Gjykata Kushtetuese ka refuzuar që të bëhet pjesë e të ashtuquajturit Komisioni i Posaçëm Anti-Korrupsion.
Përgjigjia ka ardhur nga vetë kryetarja e Kushtetueses, Holta Zaçaj, e cila përmes një shkrese drejtuar Kuvendit thekson se “s’mund të marrin pjesë në komision, pasi nuk bëhen pjesë në aktivitete ligjbërjeje”, duke refuzuar që të dërgojë ekspertët e saj.
Vendimi vjen pas ftesës që iu drejtua nga Komisioni në fjalë institucioneve Kushtetuese në vend, përfshirë edhe ato të drejtësisë, lidhur me ligjbërje, dhënie mendimi apo veprimtarinë e këtij komisioni ad-hoc.
Më herët, edhe Prokuroria e Posaçme e drejtuar nga Altin Dumani dhe Prokuroria e Përgjithshme e drejtuar nga Olsian Çela refuzuan të dërgonin ekspertët e tyre në Komisionin e Posaçëm Anti-Korrupsion.
Ky komision drejtohet nga Fatmir Xhafaj, vëllai i trafikantit ndërkombëtar të drogës Agron alias Geron Xhafaj. Komisioni ka në përbërjen e tij 11 anëtarë, 6 nga PS dhe 5 nga opozita, ku anëtarët janë kryetarët dhe zv. kryetarët e 4 komisioneve të përhershme parlamentare dhe ata të Këshillit të Integrimit Evropian.
Deri më tani opozita e ka bojkotuar duke mos marrë pjesë në asnjë mbledhje të komisionit Xhafaj, pasi e ka interpretuar ngritjen e këtij komisioni si një tentativë të kryeministrit Edi Rama për të vënën nën kontroll SPAK-un dhe GJKKO-në.