Kuvendi i Shqipërisë ka shpallur hapjen e procedurës së aplikimit për një anëtar të Gjykatës Kushtetuese për shkak të vakancës të krijuar pas dorëhqejes së gjyqtares Elsa Toska.
Kuvendi njofton se kërkesa për shprehjen e interesit nga kandidatët duhet të paraqitet brenda datës 28.10.2024. Lista e kandidatëve do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit të Shqipërisë dhe bashkë me dokumentacionin përkatës për secilin kandidat do t’i përcillet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Vakanca është e plote kurse mandati i gjykatëses Elsa Toska mbaronte ne vitin 2018. Kujtojmë që më 19 shtator 2024, gjyqtarja Elsa Toska ka paraqitur kërkesën për dorëheqje për arsye personale, por nuk ka dhënë detaje dhe nuk ka marrë pjesë as në gjykime.
“Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, pasi u njoh me vendimin nr. 62, datë 23.09.2024, të Gjykatës Kushtetuese, për mbarimin përpara afatit të mandatit të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, znj. Elsa Toska, bazuar në nenet 125, 127, pika 1, shkronja “c” dhe pika 3, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nenet 7, pika 1, 7/c dhe 8, pika 3, të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. Shpall hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant, mandat plotësues, për 1(një) anëtar të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim plotësimin e vakancës të krijuar për shkak të deklarimit të mbarimit përpara afatit të mandatit të gjyqtares Znj. Elsa Toska, i cili përfundon më datën 14.11.2028, referuar Vendimit të Kuvendit nr. 133/2019 “ Për zgjedhjen e zonjës Elsa Toska, anëtare të Gjykatës Kushtetuese””, thuhet në njoftim.
- Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte:
– të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
– të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë;
– të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit;
– të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale;
– të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
– të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.
- Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara më sipër duhet të plotësojë edhe këto kritere:
– të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike;
– të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës;
– të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.
- Plotësimi i kritereve të mësipërme vlerësohet në bazë të:
– vjetërsisë në profesion;
– përvojës së veçantë të kandidatit në një fushë të caktuar të së drejtës, ose këshilltar ligjor i Gjykatës Kushtetuese a Gjykatës së Lartë;
– kualifikimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në një fushë tjetër të së drejtës;
– treguesve shkencorë, ku përfshihen botimet dhe artikujt shkencorë në fushën juridike;
– ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë juridik, me një mesatare notash jo më pak se 8 ose të barasvlershme me të, nëse arsimi i lartë është përfunduar jashtë vendit ose vlerësimit përfundimtar në Shkollën e Magjistraturës;
– informacioneve të marra nga institucione të tjera publike.
- Kandidatët e interesuar duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:
– Kërkesën për shprehjen e interesit për të kandiduar për vendin vakant;
– Jetëshkrimin me të dhënat e plota të kontaktit (numër telefoni/e-mail);
– Fotokopje të kartës së identitetit;
– Dokumentacionin shoqërues nëpërmjet të cilit vërtetohet përmbushja e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenin 7/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
– Formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Formulari i vetëdeklarimit gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi.
– Formularin e aplikimit të plotësuar “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29, të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e Ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.