Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit, kandidati socialist për Bashkinë e Shkodrës Benet Beci, spikati me platformën e tij kryesisht teknike, duke i prezantuar elektoratit një program të detajuar për zhvillimin e qytetit. Pjesë e projekteve të infrastrukturës për Shkodrën ishte dhe rruga e re Shirokë-Zogaj-Kufi.
“Rruga e re (në ndërtim) Shirokë-Zogaj-Kufi së bashku me pikën kufitare të re do të krijojë lidhjen me zonën e Krajës si me rrugë automobilistike, biçikletash dhe varkash nëpërmjet rrjetit të moleve.”, shkruhet në Programin e premtimeve të kryebashkiakut të Shkodës Benet Beci.
Ndërtimi i kësaj rruge ka qënë një angazhim i zotit Beci që në kohën kur ishte deputet i zones, teksa socialistët e kishin zyrtarizuar si kandidat për kryebashkiak të Shkodrës.
“Për fat të keq është vonuar në mënyrë të patolerueshme por do të bëjmë ç’është e mundur që ajo të fillojë sa më shpejt…”, premtonte Beci.
Fakti
Në fund të vitit të kaluar Faktoje verifikoi se puna për ndërtimin e rrugës ende nuk kishte nisur. Edhe një vit më vonë në terren gjithçka dukej njësoj. Nuk gjetëm asnjë gjurmë të investimit të premtuar. Rruga ekzistuese Shirokë- Zogaj është tepër e ngushtë dhe e dëmtuar.
Për të shkuar nga Shkodra në Shirokë duhen më pak se 20 minuta me makinë. Për të mbërritur në Zogaj, na u desh thuajse e njëjta kohë- ndonëse distanca në kilometra është më e shkurtër.
“Ja po fillon sivjet, ja po fillon në dhjetor, ja po filllon në janar, në shtator… Ka dhjetë vjet që e flasin dhe ende nuk është realizu.”, kujton Valmir Balesi, banor në fshatin Zogaj.
“Ka 30 vjet demokraci dhe Zogaj është shumë më mbrapa se katundet e tjera. e kanë lënë shumë mbrapa…”, shprehet ai.
Segmenti i fundit i rrugës nga Zogaj deri në pikën e kalimit kufitar ishte pjesa më e degraduar e kësaj rruge.
Problemet ishin të dukshme që në fillimin e rrugës të saj, pranë shkollës nëntëvjeçare “Reshit Hyseni” në Zogaj. Ndërsa 490 metrat e fundit të kësaj rruge që të çon drejt kufirit mund të përshkoheshin vetëm me automjete të larta.
Kur do të nisë projekti?
Ndonëse ka qënë një nga premtimet kryesore të kryebashkiakut Beci, institucioni që ai drejton prej një viti, nuk ndan informacione mbi projektin. Në një përgjigje me shkrim për Faktoje Bashkia e Shkodrës ia delegon përgjegjësinë Fondit Shqiptar të Zhvillimit- si njësi zbatuese e këtij projekti.
“Rruga Shiroke-Zogaj-Kufi, është tenderuar nga FSHZH, dhe gjithashtu mund të merrni informacione më të detajuara nga FSHZH.”, thotë Bashkia.
Nga ana tjetër, Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën me dije se është në pritje të lejes së ndërtimit nga Bashkia e Shkodrës.
“Sa i përket projektit për ndërtimin e rrugës “Shirokë – Zogaj – Kufi” në Shkodër, punimet e zbatimit pritet të fillojnë në fund të vitit 2024/ fillim të vitit 2025, pas pajisjes me lejet përkatëse.”, argumenton FSHZH.
Të njëjtin afat e gjejmë edhe tek programi buxhetor afatmesëm i Bashkisë Shkodër, miratuar dhjetorin e vitit të shkuar. “Rruga Shirokë-Zogaj do të fillojë vitin e ardhshëm”, shkruhet në dokument.
Projekti i rrugës 3,2 mln €
Rruga Shirokë – Zogaj- Kufi do të kushtojë 3,2 milionë euro dhe është financim i Bashkimit Evropian përmes Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), si pjesë e projektit për Infrastrukturën dhe Turizmin në Shqipëri.
Sipas projektit, rruga e re nga Shiroka në Zogaj do të kalojë mbi atë ekzistuese, duke u zgjeruar. Ndërsa segmenti nga fshati Zogaj në kufi do të jetë tërësisht i ri, ku do të kalojë edhe një bypass.
Rruga do të jetë me korsi biçikletash dhe trotuar për këmbësorët.
Përfundimi
Nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimi në terren, premtimin e kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, për projektin e rrugës Shirokë-Zogaj-Kufi, e vlerësojmë si ende të pambajtur.
“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.