Gjykata e Durrësit ka liruar nga qelia Rigels Rajkun, reperin e njohur me ermin e artit Noizy, i cili u arrestua disa ditë më parë në Shëngjin për llogari të autoriteteve në Kosovë, pasi dyshohet se ka dhunuar ‘TikTokerin’ e njohur Medi Iseni, me 2 gusht në Pejë.
Noizy është lënë i lirë kundrejt garancisë pasurore 5 milionë lekë të rinj. Vetëm pak më parë Noizy është lënë i lirë nga policia dhe menjëherë ka hyrë live në Instagramin e tij duke i përshëndetur të gjithë fansat dhe duke lajmëruar se do të jetë prezent në koncertet sipas axhendës dhe se të mërkurën do të mbajë një super koncert.
“Sa kisha pa prek telefonin…. Uroj që të jeni mirë. Nuk di ku ta filloj, por di të them…Të mërkurën në Stadiumin Selman Stërmasi do të mbajmë një super koncert”, shkruan Noizy.
Kujtojmë se reperi i njohur u ndalua në Kune të Shëngjinit teksa po shkonte për të kënduar në një klub nate. Prangosja e tij u bë për shkak të një urdhër-arresti të lëshuar nga policia e Kosovës.
Përpara arrestimit, reperi bëri edhe një reagim në rrjetet sociale lidhur me ngjarjen që akuzohet. Ai pretendoi se nuk ka lidhje më këtë ngjarje dhe se nuk ishte arratisur.
Noizy u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë pasi e cilësoi veten “viktimë të kallëzimit të rremë”.
Lexo edhe:
Dhunoi personazhin e ‘TikTok-ut’, Gjykata e Durrësit liron Noizyn