Mësues dhe studentë treguan se si u mohohen tekstet shqip në shkolla para protestuesve që mbanin në duar pankartat ku shkruhej “Kthema adresën”, “Duam libra shqip”, “Dija nuk nostrifikohet”, “Të shtypur po, të nënshtruar jo”.
Profesori i gjuhës shqipe, Llukman Misini tha se nxënësev shqiptarë po u ndalohen tekstet e historisë dhe të gjeografisë, për të mohuar historinë e Kosovës.
“Ne po vazhdon të na mohohet sigurimi i teksteve shkollore nga Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë dhe po tentohet të na imponohet vetëm përkthimi i teksteve ekzistuese nga gjuha serbe. Po na ndalohet historia si lëndë dhe libri i historisë ku përshkruhet historia shqiptare. Po na mohohet gjeografia si lënë dhe gjeografia si libër për shkak të përshkrimit të Kosovës shtet” tha mësuesi i shkollës së mesme.
Studenti Enis Fejzullahu preku çështjen e mosnjohjes së diplomave.
“Studentin e Luginës së Preshevës gjatë kohës së studimeve e pas diplomimit e përcjell barra e mosnjohjes së diplomës, brenga se pas përfundimit të studimeve e frika që nuk do të mund të ushtrojë profesionin e tij, në vendin e tij” u shpreh ai.
Një nga organizatorët, Nevzad Lutfiu, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, tha se shqiptarët janë etnia më e urryer nga shteti serb, megjithëse në këtë vend jetojnë 24 pakica të ndryshme kombëtare.
Librat shqip për shqiptarët e Preshevës janë një shqetësim i vjetër, me të cilin dikur po merrej Kosova. Por që kur kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u afrua me presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ai mori përsipër ta zgjidhë këtë çështje duke provokuar edhe xhelozi mes shqiptarëve të Kosovës për anashkalimin që po u bëhej.
Në kohën kur Rama nisi të premtonte librat shqip për shkollat në Preshevë, 100 mijë libra prisnin në kufi të dërguar nga qeveria e Kosovës.
Por asokohe Rama e rrëmbeu kauzën e librave shqip dhe nën pozitat e liderit mbarëkombëtar u premtoi shqiptarëve të Luginës se furnizimit me libra do t’u hapej rruga shumë shpejt. Fjalën ia kishte dhënë Vuçiçi në takimin e Nishit.
Statusi që shihni më poshtë është shkruar rreth 8 vite më parë nga Rama, i cili sapo kishte nisur projektin e Nishit, të njohur ndryshe si “Minishengeni ballkanik” apo “Ballkani i Hapur”.
“Sot kryeministri Vuçiç, në takimin e përbashkët të zhvilluar në Nish me të njëjtën përfaqësi, u angazhua se do ta mundësojë kalimin e teksteve tona shkollore në Luginën e Preshevës” ka shkruar Rama.
Bashkë me 4 mijë pëlqime për premtimin në rrjetet sociale, Rama mori edhe vlerësimin “Personaliteti i vitit”, nga agjencia e lajmeve “Presheva Jonë”.
“Edi Rama është i vetmi Kryeministër i Shqipërisë, i cili vizitoi shqiptarët të diskriminuar në Luginën e Preshevës për të përmirësuar gjendjen e tyre” shkruhej në vlerësimin që i bëhej Ramës.
Kuptohej se preshevarët, të lodhur nga diskriminimi i gjatë, panë dritë në fund të marrëdhënies së re që Rama nisi të ketë me Vuçiçin. Kryeministri i Shqipërisë ia ushqeu më tej shpresën me deklaratat e tij.
Çështja e librave shqip në shkollat e Luginës ka qenë një temë për të cilën ai ka premtuar zgjidhje vazhdimisht.
“Për të kuptuar se sa e rëndësishme është ajo që ne bëjmë me Serbinë si Shqipëri, shkoni pyesni shqiptarët e Preshevës” shprehej ai në një intervistë në Klan Kosova.
Pastaj, për ta bërë më të qartë se sa e mirë ishte marrëdhënia e re me Serbinë, vazhdonte: “Më kanë kërkuar që unë të flas me kryeministrin e Serbisë, për librat. Kjo nuk kishte lidhje me librat e historisë. Por janë libra tanë të rinj, të sistemit të reformuar arsimor” shprehej Rama.
Marrëveshja që Rama arriti me Vuçiçin, sipas mediave të Kosovës ishte problematike. Sepse i lejonte Tiranës të furnizojë nxënësit shqiptarë në komunat Preshevë, Bujanoc e Medevgjë me tekste mësimore në gjuhën shqipe, kryesisht të shkencave ekzakte, por jo të shkencave shoqërore.
Problemi mbetej, sepse konteksti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë qëndronte tek historia, gjeografia dhe gjuha e letërsia shqipe.
Në vitin 2019, kur zv.ministër i jashtëm ishte Gent Cakaj, qeveria shqiptare njoftoi se kishte bërë gati buxhetin për librat shqip të shkollave të Preshevës. Në vitin 2020, kur ministre e arsimit ishte Besa Shahini, tema ngacmohej sërish, kësaj radhe me një video-montazh shoqëruar me titrat përkatëse. Shiko më poshtë:
“LIBRA SHKOLLORË SHQIP për shqiptarët në Serbi për arsimin parauniversitar. Shumë më pranë shqiptarëve të Luginës me qëllim ofrimin e arsimit sa më cilësor në gjuhën shqipe❤️”, shkruante Rama në 2020.
Por ende sot librat shqip në shkollat e Preshevës mungojnë. Historia dhe gjeografia thonë mësuesit merren ende me shënime, ndërsa vendet fqinj kanë kaluar në mësimdhënien e kompjuterizuar. Premtimet e Ramës janë harruar, ndërsa kamionët me 100 mijë libra që qeveria e Kosovës kishte parkuar në kufi me Serbinë u kthyen mbrapsht./ Lapsi.al