Qindra banorë të Krujë, Fushë-Krujës e Thumanë kanë dalë sërish në protestë dhe kanë bllokuar qarkullimin në aksin Kashar-Thumanë, ku janë përplasur fizikisht edhe me policinë.
Banorët kërkojnë që të kenë akses mes rrugës së re dhe rrugës ekzistuese (të vjetrës) përmes nyjeve, ashtu siç parashikohej edhe në projektin fillestar, pasi sipas tyre, mungesa e nyjeve lidhëse mes dy akseve rrugore ka vështirësuar jetën e banorëve dhe po çon drejt falimentit bizneset e tyre.
Policia ka ndërhyrë për të zhbllokuar aksin rrugor, ku nuk kanë munguar përplasjet fizike. Disa nga protestuesit janë shfaqur me flamuj kombëtar dhe ato amerikanë në duar, ndërsa janë krijuar radhë makinash në të dy anët e autostradës.
Policia ka tentuar të zhbllokojë aksin duke zhvendosur banorët anash autostradës duke i shtyrë forcërisht.














