Policia e Pogradecit, në kuadër të operacionit të koduar “Territor i pastër”, ka goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Tallë, ku ka asgjesuar me anë të djegies 610 bimë narkotike kanabisi
Bimët narkotike janë gjetur të kultivuara në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë”, teksa gjatë kontrollit në terren uniformat blu kanë gjetur dhe një armë gjahu dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë më dy celularë.
Autoritetet raportojnë se është arrestuar dhe shtetasi Daniel Skënderi , 31 vjeç, banues në fshatin Çermë-Sektor, Divjakë, i cili është kapur në flagrancë duke u kujdesur për bimët e kanabisit.
Policia bën me dije se vijojnë veprimet hetimore për identifikimin e shtetasve të tjerë për përfshirë në këtë rast të kultivimit të bimëve narkotike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Korçës për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.














