Në Tiranë, drejtues të qendrave studimore mbi demokracinë dhe ekonominë e vendit vlerësojnë se ndryshimet e fundit në qeveri u kryen pa transparencë apo llogaridhënie. Ekspertët e pavarur theksuan se këto janë sjellje autokratike, të cilat ndikojnë ndjeshëm në gjithë jetën e shoqërisë dhe shtetit shqiptar.
Pas një kongresi partiak të dielën qeveria socialiste do të ketë këtej e tutje 3 ministra të rinj për financat, punët e brendshme dhe ushtrinë, dy nga të cilët u ndërruan brenda një periudhe të shkurtër në ato detyra.
Drejtuesi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, Sotiraq Hroni, thotë për Zërin e Amerikës se, ashtu si dhe ndryshime të mëparshme në kabinetin qeveritar, nuk u bë asgjë e ditur mbi shkaqet e shkarkimit të ministrave Mete, Balla dhe Peleshi, lëvizje këto pa një bilanc të punës së tyre, pa informim publik dhe pa transparencë, në mënyrë autokratike.
Kjo sjellje tregon, sipas tij, një nivel shumë të ulët demokracisë së brendshme, konsultimit dhe rregullave të brendshme të partisë në pushtet, ku të gjithë heshtin për këto ndryshime, që i bën vetëm një person.
“Punët janë shumë më të lehta për t’u bërë se ç’mendohet, mjafton që të hiqet dorë nga autoritarizmi, nga vullneti i Njëshit. Duhet të ketë një check&balance, dhe nuk duhet çdo gjë, çdo emërim të varet nga një person. Kjo nuk të çon asgjëkundi”, thotë zoti Hroni.
Ndërsa drejtuesi i Qendrës për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi, thotë për Zërin e Amerikës, këto janë qëndrime autokratike të ngjashme me vende të tjera në rajon, dhe se situatat e fundit të kujtojnë sërish “mbretërinë e të barabartëve” të Xhorxh Oruellit, ku kërkohen nëpunës më të bindur se të mëparshmit.
“Kjo dukuri që nuk është vetëm shqiptare, por ka një përmasë rajonale, lidhet me forcimin e tendencave autokratike në qeverisjen e vendeve të rajonit, si dhe shpreh atë debat që ka publiku i gjerë edhe këtu lidhur me efektivitetin dhe legjitimitetin e qeverisjes. Për fat të keq, ndryshimet pa bilanc pune refletojnë mungesën e vizionit dhe përparësive të qevesirjes në tërësi”, thotë zoti Preçi.
Ekspetët pohojnë se parimisht ndryshimet në qeveri duhen lidhur me programin politiko-qeverisës, me vizionin e qeverisë, si dhe të sjellin sa më pak tronditje në tregje dhe në raportet e qeverisë me qarqet e biznesit, të cilët janë të shqetësuar se në shumë vite se ligjet ekonomike ndërrohen shpesh, dhe se tani edhe po ndryshohen shpesh edhe titullarët e sektorit ekonomik e financiar.
“Ekzistojnë të gjitha mundësitë, mendoj unë, që Partia Socialiste ka një sërë kuadrosh edhe teknicienë, të cilët mund të promovoheshin po aq mirë dhe janë shumë herë më të rëndësishëm se ata që vijnë nga jashtë partisë. Këtu nuk bëhet fjalë për motive të shëndosha për promovimin e tyre, por si filozofi mendoj që nuk mbështetet në ndonjë meritokraci as në një proces karriere të mirëmenduar bazuar në vlerat e individëve”, thotë zoti Hroni.
Ekspertët pohuan se ndryshimet e papritura në kabinetin qeveritar pa shpjegime mbi ecurinë e punës së ministrave të shkarkuar, pa kritere meritokratike, janë bërë të zakonshme në Tiranë, madje po kthehen në një traditë, duke ndikuar ndjeshëm në jetën shoqërore, institucionale, politike dhe shtetërore të Shqipërisë, duke u shumëfishuar në gjithë territorin, si “sjellje të përshtatshme”, që burojnë nga qeveria.
“Zëvendësimi i figurave me një të shkuar profesionale apo karrierë administrative të spikatur, që kanë përvojë shumëvjeçare, me drejtorët e tyre nuk mund të përkthehet ndryshe veçse me nevojën që ka kryeministri për të patur sa më pak zhurmë, sa më pak rrjedhje informacioni, për vendimmarrje që mund të kenë nevojë për sa më pak kundërshtim, për filtrim etj. Pra, vazhdon e njëjta skemë qeverisje, që vazhdon prej 10 vitesh”, thotë zoti Preçi.
Të dy ekspertët, të cilët drejtojnë dy qendra studimore me përvojë shumëvjeçare, pohuan se fakti që këto ndryshime kalojnë pa debat, pa u dhënë kohën e mjaftueshme as individëve të shkarkuar që të shpjegohen, tregon që, ashtu si në shumë parti të tjera shqiptare, në Partinë Socialiste në pushtet nuk funksionojnë mekanizmat demokratike të kontrollit dhe ekuilibrit dhe kjo mungesë bartet edhe në qeverisjen e shtetit.
Ata theksuan se lufta ndaj korrupsionit në administratën shtetërore përmes organeve të reja të drejtësisë mbetet sfida më e madhe në Shqipëri, sepse kjo dukuri është përhapur në gjithë nivelet e qeverisjes, siç theksohet në një seri raportesh vendase dhe ndërkombëtare./VOA