Nga Boldnews.al
Ermes Hoxhalli nga Bilishti, i arrestuar së fundmi për “falsifikim dokumentash” e “falsifikim kompjuterike” mund të ketë parë shpesh filmin “Catch me if you can”, në të cilin Leonardo di Caprio portretizon historinë reale të falsifikatorit Frank Abigail Jr.
E, njëlloj si 17-vjeçari Frank Abigail, edhe 20-vjeçari shqiptarë ngriti një skemë mashtrimi, sa për lojë, aq edhe kriminale, brenda së cilës përfshiu zyrtarë shumë të lartë të Ministrisë së Arsimit dhe zyrave rajonale arsimore.
Skema është aq e thjeshtë, por aq ulëritëse kur shihet se si drejtuese të rëndësishëm qeveritarë Bien pre e mashtrimeve të rëndomta kompjuterike.
Hoxhalli krijoi një profil të rremë me emrin “Klea Rama”, prezantohej virtualisht si mbesa e kryeministrit Edi Rama dhe thoshte se komunikonte në emër të një zyrtareje të Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Kaq mjaftoi që të krijonte një projekt kokë e këmbë të rremë, “Let’s talk together about US 2023”, nëpërmjet të cilit mashtroheshin të rinj gjimnazistë me premtimin se pjesëmarrësve do t’u sigurohej udhëtim në Shtetet e Bashkuara.
Mashtrimi vijoi për disa kohë, derisa një hetim i zhvilluar nga prokurorja e Tiranës, Eloida Goxhi, përfundoi këtë fillim-jave me arrestimin e “Klea Rama”, emri i vërtetë i së cilës është Ermes Hoxhalli, rreth 20 vjeç, nga Bilishti i Devollit.
Sinjali në ambasadën e SHBA
Në maj të vitit 2023, personazhi “virtual” Klea Rama, ka lëshuar 19 çertifikata për nxënës dhe një mësues të shkollës “Ali Demi” në Vlorë, për pjesëmarrje në projektin “Let’s talk about US 2023”, të nënshkruara nga zyrtarja e Ambasadës Amerikane në Tiranë, Amanda R.
Në një kohë më vonë, ky informacione mbërrin në Ambasadë. Diplomatja mohoi përfshirjen e kësaj në këtë projekt para prokurorisë shqiptare dhe eksperiza grafike tregoi se nënshkrimi i saj nuk ishte i njëjtë me ato që gjendeshin në çertifikatat e shpërndara nga koordinatorja e rreme e projektit, “Klea Rama”.
Kjo situatë nxiti hetime të mëtejshme, nga ku u zbulua se “Klea Rama”, duke u shtirur si mbesa e kryeministrit Edi Rama, kishte krijuar aksese komunikimit me zyrtarë të lartë në Ministrinë e Arsimit, të cilët, gjithësesi, nuk e kishin takuar asnjëherë personalisht.
Në listën e komunikimeve të “Klea Ramës” përfshiheshin zv.ministrja Nina Guga, drejtoresha e Agjencisë së Arsimit Parauniversitar, Rezarta Alla dhe drejtues të tjerë të Ministrisë.
Si u zbërthye mashtrimi
Në qershor të vitit 2024, personazhi “Klea Rama”, gjithnje duke u prezantuar si mbesa e kryeministrit, vihet në kontakt me drejtoreshën arsimore të Lezhës, Valentina Suta.
Në një komunikim, “Klea” i kërkon zyrtares lezhjane që të ndihmoj një mikun e saj, Ermes Hoxhalli, që të zbatojë një projekt për teatrot rinore. Në këtë komunikim, “Klea” jep gjeneralitetet e plota të Hoxhallit dhe informon drejtoreshën arsimore të Lezhës se ai është student në Akademinë e Arteve.
Drejtoresha e Arsimit në Lezhë i thote bashkëbisedueses që të komunikojë me drejtorin e Kulturës në Bashkinë e qytetit, por “Klea” i thotë që nuk mund të flasë drejtëpërdrejtë, pasi “xhaxhi Edi (Rama) nuk e lejon të flasë me zyrtarët, pasi mund të behet problem nëpër lajme”.
Ky ishte sinjali i parë dhe, mbi të gjitha, gabimi i parë i “Klea Ramës”, e cila deri në atë kohë ia kishte dalë më së miri të fshihej virtualisht.
Prokuroria e Tiranës, në përpjekje për të gjetur se kush fshihej pas identitetit të rremë “Klea Rama”, tashmë kishte një pikë mbështetjeje-Ermes Hoxhallin.
Ai u mor në pyetje, me qëllimim se kush ishte mikesha e tij, “Klea”. Marrja në pyetje zbuloi të gjithë skemën.
Zbulohet identiteti i “Klea Ramës”
Ermes Hoxhalli deklaron se kishte komunikuar për herë të parë me “Klean” në vitin 2021, kur po bëhej një projekt në gjimnazin e Bilishti.
Më tej, ata kishin rivendosur kontaktet në 2023. Sipas tij, “Klea” e kishte bindur që kishte kredenciale të forta në qeveri dhe në Ambasadën Amerikane.
Ermesi deklaroi para prokurores se “Klea” kishte adresë E-mail të Departamentit të Shtetit dhe njihte ministren për Femijët, Bora Muzhaqi, e cila e kishte uruar për ditëlindje me një video të dedikuar në rrjete sociale.
Pasi kishte parë këto të dhena, Ermesi deklaroi se i interesante komunikimit me “Klean” për të ardhmen e tij, megjithëse nuk ishin takuar kurrë.
Në vijim, Ermesi deklaron se “Klea” e angazhonte për të pergatitur grafikisht çertifikatat që shpërndaheshin në kuadër të projektit “Let’s talk about Us 2023-2024”, e dokumenta të tjerë të ngjashëm.
Deklarimet e Ermes Hoxhallit u morën me rezërvë në Prokurorinë e Tiranës.
Atij iu sekuestruat dy aparate telefonike që kishte në përdorim. Nga ekspertiza u kuptua se “Klea Rama” ishte, në fakt, Ermes Hoxhalli.
Në telefonin e tij u gjenden adresat e E-mail që përdoreshin nga “Klea Rama”, programe për bashkim fotosh, formate çertifikatash, logo të Departamentit të Shtetit, të kryeministrisë shqiptare dhe të Ministrisë së Arsimit, lloje të ndryshëm firmash, e të tjerë.
Në telefon u gjenden, ndër të tjera, edhe foto të këngëtares Amerikane, Gracie Abrams, të cilat “Klea Rama” i perdorte në profilet e saj në rrjete sociale.
Në vijim të veprimeve hetimore, prokurorja Eloida Goxhi, iu drejtuar Gjykates së Tiranës, e cila caktoi masën e sigurimit “arrest me burg” për Ermes Hoxhalli, nën dyshimet e kryerjes së veprave penale të “falsifikimit të dokumentave” dhe “falsifikimit kompjuterike”.
“Iu çoj në SHBA”/ Ngriti skemë mashtrimi në arsim, arrestohet 20 vjeçari nga Devolli
Skema fantazëm/ Mashtrimi me bursa amerikane, si u përfshi edhe zv.ministrja e Arsimit
U shtir si mbesa e Edi Ramës, kush është Klea, “fantazma” që futi në grackë qindra gjimnazistë