Janë zbardhur detaje të reja nga arrestimi në Spanjë i 47-vjeçarit nga Vlora, Leonard Luzi, i cili mban dhe mbiemrat Zejno dhe Sejno, teksa ndryshe njihet me nofkat si “Nard Çami” ose “Daku“.
Burime për mediat bëjnë me dije se ai është arrestuar disa ditë më pasi, pasi dyshohet se po planifikonte vrasjen e një tjetër shtetasi shqiptar. Plani i tij dështoi, pasi autoritetet policore spanjolle shkuan dhe kryen ndalimin e tij, pas marrjes së informacionit.
Mësohet se Luzi po qëndronte në ishullin e Ibizës, teksa punonjësit e policisë spanjolle gjatë verifikimit zbuluan se ai ishte në kërkim edhe nga drejtësia shqiptare.
Në raportin e kryer nga Ministria e Brendshme spanjolle, Leonard Luzi është cilësuar si anëtar i një organizate kriminale të dedikuar për kryerjen e “krimeve të rënda kundër njerëzve”, funksionet kryesore të së cilës ishin udhëzimi për kryerjen e vrasjeve , rekrutimi i anëtarëve të rinj, caktimi i misioneve mes tyre si dhe jep udhëzime se si të lokalizohen objektivat dhe t’i vrasin ato.
Brenda organizatës, i arratisuri vepronte si ndërmjetës midis financierit që jepte porositë dhe anëtarëve të rrjetit, duke transmetuar kështu misionet dhe duke shpërndarë paratë që u ishin caktuar.
Leonard Luzi ishte shpallur në kërkim nga SPAK, pasi akuzohet si organizatori i atentatit të mbetur në tentativë ndaj Inez Hajrullas i njohur me nofkën “Sakati” dhe Ervis Matodashajn i njohur me nofkën “Qorri”.
Mbi Leonard Luzin rëndojnë akuzat për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.
Sipas hetimeve të SPAK, Leonard Luzi kishte rekrutuar vrasësin me pagesë Amarildo Nikolli alias Xhanej, i njohur me nofkën “Shkodrani” për të vrarë në qytetin e Vlorës, Inez Hajrullan dhe Ervis Matodashajn ”. Për të kryer këtë vrasjet, ata janë ndihmuar edhe nga të bashkëhetuarit Erjon Zejno dhe Muharrem Koroveshi.
Në dosjen hetimere thuhet se “Shkodrani” do të paguhej 500 mijë euro në total, nga 250 mijë euro për secilin, për të vrarë “Sakatin” dhe Qorrin”.
Leonard Luzi është kushëri nga ana e babait me Erigert Zejno, i vrarë më datë 22 Mars të vitit 2013, në lagjen “11 Janari” në Vlorë dhe vrasja e Inez Hajrullas dhe Ervis Matodashajn do të kryej për hakmmarjen e tij, si dhe për të marrë kontrollin e lojërave të fatit në Vlorë. Pagesa do të kryhej nga një person në Dubai.
Por vrasjet nuk arritën të kryheshin pasi Amarildo Nikolli alias Xhanej u arrestua me pistole me fishekë në fole, gati për qitje, teksa më pas ai u kthye në të penduar të drejtësisë.