Një ngjarje e rëndë ka tronditur Greqinë mëngjesin e kësaj të shtune, ku një 43-vjeçar ka vrarë ish-gruan e tij 36-vjeçare me pushkë gjahu dhe më pas edhe veten, teksa më herët kishte mbajtur peng për disa orë vajzën e tyre të mitur.
Sipas raportimeve të mediave greke, burri kishte hyrë në mëngjes në shtëpinë e ish-gruas me pushkë gjahu, ku aty ndodhej vetëm vajza e tyre 13-vjeçare, ndërsa djali i ish-çiftit ishte në shtëpinë e gjyshërve nga ana e të atit.
Duke bërtitur dhe kërcënuar, 43-vjeçari i tha ish-gruas së tij se nëse nuk kthehej menjëherë në shtëpi do të vriste vajzën e tyre.
“Hajde, ose do ta vras” tha ai. Fëmija i frikësuar i kishte dërguar mesazh një fqinjeje dhe ajo kishte arritur ta nxirrte nga shtëpia duke mbyllur autorin brenda.
Ai vazhdoi në një furi kërcënimesh derisa 36-vjeçarja u kthye në shtëpi me makinë. Më pas, 43-vjeçari që nuk mundi të dilte nga shtëpia e mbyllur, u hodh nga ballkoni mbi kofanon e makinës dhe qëlloi ish-gruan me pushkën e gjahur pa u menduar nga xhami i përparmë i mjetit. Pasi vrau ish-gruan, 43-vjeçari qëlloi edhe veten.
Ajo që ka shkaktuar habi të madhe është se asnjë nga banorët që kanë dëgjuar se çfarë po ndodhte, nuk ka lajmëruar policinë.
Fundi tragjik për 36-vjeçaren erdhi pas një kohe të gjatë dhune dhe kërcënimesh nga ish-bashkëshorti i saj. Një mikeshë e ngushtë e viktimës ka treguar për mediat greke se mbrëmjen e së mërkurës, 43=vjeçari i ka prerë frenat motorçikletës së 36-vjeçares, duke dashur ta terrorizojë partneren e tij.
“Ata ishin ndarë për një kohë, por ai vazhdonte ta shqetësonte. E kërcënoi, e vëzhgoi, priti jashtë shtëpisë që të kthehej. Ai e kishte goditur disa herë dhe pardje ia preu frenat motoçikletës. Areti e ka denoncuar në polici por nuk e kanë gjetur”, tregon mikesha e viktimës.
Viktima kishte bërë padi ndaj 43-vjeçarit për dhunë dhe kanosje në familje. Por, kjo nuk ishte hera e parë që autori ia bënte jetën “ferr”.
Majin e kaluar, ai u dërgua në burg i akuzuar për dhunë në familje. Edhe pse u shpall i pafajshëm, vazhdoi ta përndiqte 36-vjeçaren.
Kërcënimet dhe rrahjet ishin disa nga dëshmitë që gruaja përjetoi deri në mëngjesin e sotëm kur 43-vjeçari e vrau, duke përjetuar tmerr edhe vajza e mitur e tyre.
“Natën ajo doli dhe sapo u kthye në shtëpi ai e priste dhe e vrau. Fëmija ishte me nënën gjatë atyre momenteve. Fëmija është në shok, si mund të jetë?”- thotë më tej shoqja e 36-vjeçares.