Nga Boldnews.al
Historiani lezhjan, Pal Trashaj, u nis mëngjesin e së martës nga vendlindja e tij, drejt e në kangjellat e Prokurorisë së Posaçme, në Tiranë. Kërkonte një takim me kreu e këtij institucioni, Altin Dumani, për të kërkuar zgjidhje për hallin e tij të madh.
Ai është një nga qindra mijëra viktimat e skemës piramidale të mikro-kredive.
Një hua minimale që ai kishte marrë në vitin 2008 në një bankë të nivelit të dytë, përfundoi tek “banda e mikro-kredive”, disa institucione financiare jo-bankare, të cilat kanë blerë kreditë e këqija dhe më tej u vendosin litarin në fyt kreditorëve, duke u marrë çdo lloj pasurie që ata kanë.
Pal Trashaj kishte humbur shtëpinë dhe katandinë për një borxh prej vetëm 76 mijë lekë të reja.
Endej prej shumë vitesh në dyert e drejtësisë dhe shpresën e kishte tek SPAK-ut. Tek ajo strukturë, e cila ka një reklamë të madhe në luftën kundër korrupsionit.
Duhet të ketë parë historiani Trashaj se si Prokuroria e Posaçme është shndërruar në një lloj vendi peligrinazhi për zyrtarët amerikanë që vijnë në Shqipëri.
Në mes të qershorit, koordinatori amerikan për anti-korrupsionin global, Richard Nepheë u habit nga stoku i dosjeve në SPAK, siç e përkufizuan “spin-doctor-ët” e Prokurorisë së Posaçme.
Para tij, edhe nënsekretari për narkotikët dhe çështjet e zbatimit të ligjit në Departamentin e Shtetit, Tod Robbinson, thonë se u mahnit dhe u habit nga ecuria dhe rezultatet e SPAK-ut, në një vizitë pelegrinazhi që zhvilloi pranë këtij institucioni në mars të vitit 2024.
Me një temp të tillë propagandistike, ku madje thonë se edhe një ambasador i rëndësishëm në ikje “i lutet” drejtuesit të SPAK-ut që të hartojë me urgjencë një projekt, pasi i kanë mbetur disa fonde për fushatë mediatike, njerëz të thjeshtë si Pal Trashaj e qindra mijëra të tjerë, besojnë dhe shpresojnë që hallet e tyre të zgjidhen në dyert e Prokurorisë së Posaçme.
***
Natyrisht, SPAK nuk ka “shkop magjik” për të zgjidhur çdo gjë. Këtë e kuptoi historian 63-vjeçar mesditën e së martës. Ai shpresoi të takonte kreun e Prokurorisë së Posaçme, Dumani, po nuk ia arriti.
Mund të jenë shumë arsye. Dumani nuk ka qenë në zyrë ose edhe ka pasur ngarkesë. Natyrisht, institucioni, si rregull, duhet të ketë struktura që mund të presin dhe dëgjojnë shqetësimet e qytetarëve dhe të vlerësojnë nëse ekzistojnë elementët e veprave penale në denoncimet e tyre e më tej të vijojnë procedurat ligjore.
Por, siç pranohet edhe nga vetë SPAK-u, Pal Trashaj nuk është lënë të hyjë brenda institucionit (ky privilegj, mesa duket, u rezervohet vetëm “pelegrinëve” të huaj). SPAK-u thotë se një hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit ishte ngarkuar t’i jepte sqarime për hallin e tij.
Më tej, siç thuhet nga vetë SPAK-u, Pal Trashaj u largua dhe nuk pranoi të dëgjonte sqarimet.
Historian duket se tashmë e kishte kuptuar fundin e tij. Ai ndërmori aktin ekstrem, të cilin një burrë, një baba, një intelektual, do ta merrte vetëm në situatë ekstreme, aty ku tuneli duket vetëm errësirë.
Piu helmin fostoksinë, priti ambulancën tek hekurat e jashtëm të SPAK-ut dhe, fatkeqësisht, ndërroi jetën në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë.
As Dumani, as kolegët e tij, as stafi administrativ i Prokurorisë së Posaçme nuk mund të ketë parashikuar një situatë të tillë kaq ekstreme.
Por, siç përmendet edhe në ligjësinë e moçme shqiptare, “u mbeti në derë” dhe tashmë është detyra e SPAK-ut që të luajë rolin e tij, atë rol të cilin refuzoi ta merrte përsipër në vitin 2022.
***
Dy vjet më parë, prokurorët e posaçëm refuzuan kallëzimin e Pal Trashaj për “bandën e mikrokredive”. Rastin ia përcollën prokurorisë së Lezhës, si një situatë e rëndomtë mashtrimi.
Të dhënat e zbuluara së fundmi nga Prokuroria e Tiranës, por që kanë qenë evidente për SPAK-un më së paku prej dy vitesh, dëshmojnë se “banda e mikrokredive” është një lloj grupi i strukturuar kriminal, i cili i shtrin tentakulat e tij tek institucionet financiare jo-bankare, tek përmbaruesit e deri lart, të shefat e financës së lartë në shtet.
Përllogariten mbi 100 mijë qytetarë shqiptarë që kanë rënë viktima të kësaj skeme gjigande mashtrimi, të ngjashme me piramidat që vendi ynë i njohu tre dekada më parë.
Mesa duket, të paktën deri më tani, SPAK-u nuk i ka rënë në gjurmë këtij skandali masiv, i cili është shumë e shumë herë më i rëndë dhe më i rëndësishëm se sa dosja masive që ka tashmë në dorë Prokuroria e Posaçme, e që lidhet me leximin si një roman i trashë, i mesazheve në SKY/Encrochat.
Ndoshta duhet akti ekstrem i Pal Trashaj për t’i përcjellë mesazhin SPAK-ut që të heqin dorë nga “përkëdheljet e pelegrinëve të huaj” dhe të jenë më të dëgjueshëm me shqetësimet për vepra penale të qytetarëve.
Ndoshta, një fjalë e mirë, mund ta kishte kthyer historianin dhe intelektualin Pal Trashaj pranë familjes së tij.
Por, “godina e qelqtë” nuk pranon në asnjë mënyrë të takohet me “qytetarët e rëndomtë”. Kushdo që ka për të kallëzuar diçka, duhet të përdorë shërbimin postar, askush nuk lejohet të afrohet tek korridoret e prokurorëve të posaçëm.
Ata duhet të jenë të qetë dhe “rutinën e tyre” sekrete mund ta prishin vetëm “pelegrinët e huaj”, ndërsa për “Pal Trashaj-t” shqiptarë, ata që paguajnë me taksat e tyre pagat e majme të SPAK-ut, duhet të qëndrojnë jashtë kangjellave.