Ndryshimi i datës së seancës plenare është bërë “mollë sherri” mes opozitës dhe mazhorancës socialiste në Kuvend.
Seanca parlamentare do të zhvillohej nesër (të enjten) por shumica e deputetëve socialistë, ministra deri tek kryeministri Edi Rama do të nisen për të bërë disa ditë pushime luksoze në Gjermani dhe me atë rast do të shikojnë edhe ndeshjet e Kampionatit Europian.
Gjithashtu edhe java e kaluar është planifikuar të bëhet pushim në Kuvend dhe në këtë mënyrë “patronazhistët socialistë” të jenë të qetë për të shkuar në Gjermani me qëllim që të përdorin Kombëtaren kuqezi për propagandën e tyre të ditës.
- Bardhi e quajti të turpshëm vendimin për të bojkotuar Kuvendin
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar ashpër për vendimin për shtyrjen me një ditë të seancës plenare. Ai tha se maxhoranca e ka kthyer Kuvendin në dyqan personal, ndërsa lëshoi akuza në drejtim të refuzimit të kërkesës për interpleancë me Ramën, të kërkuar nga deputetët e opozitës.
Bardhi tha se opozita distancohet nga atë që ai e quajti “veprim të turpshëm të mazhorancës” për të “bojkotuar” Kuvendin, pasi deputetët socialistë nisen për të parë ndeshjet e Kampionatit Europian në Gjermani. Debati i Bardhit me Felajn:
Bardhi: “Kam dy çështje për procedurë! Njëra pse keni vendosur që kuvendin ta trajtoni dsi dyqan personal, prandaj në cilësinë e drejtueses së seancës të sqaroni pse është zhvendosur seanca nga dita e enjte, që është një rregull i shkruar, për të mërkurën. Kemi detyrimin, sepse keni marrë këtë vendim të njëanshëm. Nëse është ajo arsyeja e publikuar në media, është një akt i turpshëm dhe distancoheni nga ajo arsye banale.
Së dyti, me kërkesën 2319 protokolli datë 10/6/2024, depozituar brenda afatit, një grup deputetësh të OPD, kanë kërkuar interpelancë urgjente me Eid Ramën për keqpërdorimin e fondeve publike.
Kërkesa, nëse firmoset nga 7 deputetë, sipas kushtetutës përfshihet si pika e parë e rendit të ditës. Kemi marrë një përgjigje banale, sepse jeni kthyer në banal në gjithçka bëni në këtë Kuvend, që një kërkesë të deputetëve për t’i kërkuar llogari kryeministrit. për të na e cilësojnë si cenim të nderit të kryeministrit. Kryeministri po të kishte dinjitet mos t’u japë tendera familjarëve të tij. Ju jo vetëm nuk e njoftuat, por pasi keni refuzuar interpelancën, po shkelni dhe të drejtën e kolegëve për të sqaruar seancën plenare mbi arsyet e kësaj interpelance”
Felaj: “Është vendim i konferencës së thirrur rregullisht, ku ju nuk denjuat të merrnit pjesë. Nuk jam e detyruar t’u japë asnjë shpjegim sa kohë nuk merri pjesë në mbledhjet e konferencës”
- Interpelancë urgjente me Edi Ramën, maxhoranca rrëzon kërkesën e Sali Berishës
Maxhoranca socialiste ka rrëzuar kërkesën e kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili kishte kërkuar interpelancë urgjente me kryeministri Edi Rama.
Kërkesa e Sali Berishës, e cila u hodh për votim në Kuvedin e Shqipërisë, u rrëzua me 69 vota kundër dhe 29 vota pro.
Kryetari i Partisë Demokratike, i cili ndodhet në “arrest shtëpie” përmes kësaj lëvizje synonte rikthimin në Parlament, pasi sipas rregullores deputeti kërkues ka te drejtën e paraqitjes në interpelancën urgjente duke e lexuar nga salla e Kuvendit të Shqipërisë.
Është artikuluar se Sali Berishës i përfundon mandati i deputetit në 21 qershor, pasi plotësohen 6 muaj pa qenë në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe rikthimi në Parlament pa u plotësuar afati kohor prej 6 muajsh përmes kërkesës për interpelancë, do të shmangte “djegien” e mandati të tij.
Por, mbetet për t’u parë sesi do të interpretohet mungesa e tij, nëse do të konsiderohet me apo pa arsye.
- Përplasja Vokshi-Felaj për Berishën
Seanca e sotme plenare ka nisur me tensione pasi kryefjalë ka qenë interpelanca urgjente e kërkuar nga Sali Berisha. Nëkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj tha se të drejtën e ka një grup deputetësh të PD-së dhe se për Berishën ka një vendim që i është ndaluar pjesëmarrja në Kuvend.
Deputetja demokrate Albana Vokshi reagoi e revoltuar nga fakti se Ermonela Felaj as nuk guxon ti lexojë emrin Berishës.
Vokshi: Është e turpshme kjo ka kërkuar Sali Berisha dhe ju nuk i përmendni as emrin. Do na thoni se për çfarë do të flasim tani. Jeni drejtuese mos më cakto mua se çfarë do të flas. Ju po abuzoni me atë pozicion që u është deleguar nuk mund të komentoni fjalët e deputetit të opozitës. Emri i Sali Berishës ju tmerron. Kush është ai vendim gjykate që ja ndalon të ushtrojë të drejtën e deputetit.
Felaj: Nuk ja ka dhënë gjykata të drejtën zotërinë në fjalë. Dihet botërisht se Berishës i është ndaluar pjesëmarrja në parlament me vendim gjykate,. Nuk vendos kuvendi dhe as nuk vendosni as ju.
- Shehu kërkon futjen e Berishës te grupi i PD-së, Felaj: Keni marrë përgjigje nga Nikolla
Deputeti Tritan Shehu në nisje të seancës plenare ka kërkuar nga Kuvendi që të përfshijë Sali Berishën si anëtar të grupit parlamentar të PD-së.
“Unë mendova se sot do të korrigjonit gabimin fatal, të jo vetëm izolimit dhe burgosjes politike të Sali Berishës dhe mos vendosjes së tij si anëtar i PD-së. Kështu duhet të niste seanca, duke bërë një reflektim se ku të çon shkelja e rregullores. Ato na mbrojnë neve. Kërkojmë menjëherë të rivendosë SPAK këtë të drejtë të madhe. Berisha është anëtar i grupit të PD, korrigjojeni”- tha Shehu.
Përgjigjen e mori nga nënkryetarja Ermonela Felaj.
“Kërkesa juaj nuk është proceduriale keni marrë përgjigje nga Nikolla. Grupet nuk i përcakton Kuvendi, por partia”- tha Felaj.
- Zhupa: S’ka rrezik për prishje provash nëse Berisha vjen në Kuvend
Gjatë fjalës së saj, deputetja e PD-së, Ina Zhupa replikoi për rrëzimin e kërkesës së Berishës për interpelancë me Ramën.
Ajo tha se me ardhjen e Berishës në Kuvend nuk ka asnjë rrezik për prishjen e provave.
“Para 6 muajsh kam bërë një kërkesë për interpelancë me zotin Gonxhe dhe ende nuk di se çfarë është bërë me atë kërkesë. Tenderat për familjarët tregojnë që Rama është hajdut. Duhet të njoftonit policinë që Berisha të vije ne seance. Por me ardhjen e Berishës në seancë, nuk ka rrezik për prishje të provave.”, tha Zhupa.
- Baçi: Nuk e keni më lluksin të talleni me opozitën
Deputeti i Partisë Demokratike ka mbajtur një fjalë në Kuvend pasi ka debatuar me drejtuesen e seancës që i ndërpret vazhdimisht fjalën opozitës.
Baçi shprehet se mazhoranca i merr urdhrat nga Rama për të propozuar masa ndëshkuese për deputetët demokratë çdo seancë plenare.
“Doja të ngrija çështjen e masës që merrni gjithmonë për deputetët e opozitës pavarësisht sjelljes së tyre që është brenda etikës. Keni propozuar një masë, jo ju, por disa deputetë të mazhorancës dhe unë do të kërkoja me shumë respekt nga deputetët e mazhorancës, nga ata kolegë të nderuar firmëtarë që janë shqetësuar nga sjellja e deputetëve të opozitës në seancën e kaluar dhe kanë propozuar masë për deputetë e opozitës. E para e punës do tu bëjë një thirrje që është e turpshme që përdoreni nga kryeministri juaj duke propozuar masa pa ditur fare, pa parë dhe pa dëgjuar asnjë gjë. Dhe do të thoja komisioni i etikës që nuk ka aspak etikë, nuk e di pse nuk paraqet prova filmike kur deputetët venë dhe paraqiten të Komisioni i Etikë dhe pse bëjnë diferencim në marrje e masave….”- tha Baçi.