Pamjet që shihni nga fotot e mëposhtme janë nga vendi ku pronari i hotelit “Greccia” në Dhërmi, Gerald Shehu hodhi trupin e pajetë të recepsionistit 31-vjeçar Eraldo Nevruzi, pasi e vrau me plumb në kokë në ambientet e hotelit.
Viktima ishte hedhur në përroin e Vunoit, në zonën midis fshatrave Gjipe dhe Vuno. Siç shihet, grupi hetimor ka gjetur aty një palë doreza plastike, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autori, një copë e bardhë dhe njolla pafund gjaku të viktimës.
Geral Shehu e ka hedhur trupin në këtë zonë e cila nuk është e banuar. Sipas grupit hetimor, Shehu e ka përshkuar rrugën deri në zonën ku ka hedhur viktimën për rreth 50 minuta. Trupi kishte nisur të dekompozohej dhe ka pasur dhe erë të keqe.
Burime për mediat bëjnë me dije se ka qenë vetë autori Gerald Shehu, i arrestuar aktualisht në policinë e Korfuzit në Greqi, që tregoi vendin ku kishte hedhur trupin.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesnatën mes 5 dhe 6 Qershorit. Burime nga policia e Vlorës bëjnë me dije se Gerald Shehu e kishte planifikuar vrasjen e Eraldo Nevruzi. Sipas burimeve, përgjatë mbrëmjes ai e kishte marrë veçmas viktimën në një dhomë ku pushonte stafi duke u kujdesur të justifikojë edhe mungesën e tij te vendi i punës.
Më pas ai e ka ekzekutuar i vetëm dhe me mbështetjen e dy bashkëpunëtoreve Daniel Qose dhe David Larti. Të tre e kanë zhveshur, i kanë marrë sendet personale, rrobat, dokumentet e identifikimit ja kanë djegur te furra e picerisë.
Më pas i ndihmuar nga personat në fjalë e kanë mbështjellë me plastmasa e kanë futur në mjetin tip Audi A8 dhe është larguar nga hoteli. Vrasja ka ndodhur rreth orës 1 të mëngjesit autori është nisur për Greqi në orën 5 duke pasur kohë të shkonte në shtëpi të ndërrohej të merrte pasaportat dhe lekë dhe të largohej drejt Greqisë me mjetin tip Audi A8.
Pas krimit, 43-vjeçari u arratis drejt Greqisë dhe u kap pasditen e së enjtes (6 Qershor) në ishullin e Korfuzit në Greqi. Ai u arrestua teksa po shkonte në aeroport dhe do të udhëtonte drejt Britanisë së Madhe. Kujtojmë se Gerald Shehu është i pajisur me dokumentacion të rregullt britanik.
Shkaqet e ngjarjes së rëndë nuk dihen ende. Por viktima Eraldo Nevruzi dhe autori Gerald Shehu kanë patur njohje mes tyre.