Policia e Shtetit ka dalë me një komunikatë zyrtare dhe ka publikuar pamjet e arrestimit në Fier të 61-vjeçarit të shumëkërkuar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, Pjetër Pacani nga Fushë Kuqja e Kurbinit, i dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e dy personave.
Ai ishte pjesë e listës së 50 shtetasve më të kërkuar nga Policia e Shtetit, teksa është kapur në një banesë në lagjen “1 Maji” në Fier, ku fshihej prej vitesh.
Pjetër Pacanit i janë gjetur në banesë dhe tre armë zjarri pistoleta (1 Glock, 1 Zastava dhe 1 TT), një armë zjarri automatik, municion luftarak, granatëhedhës dhe dy antiplumba, të cilat janë sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
“Ky shtetas është përfshirë në listën me 50 shtetasit më të kërkuar nga Policia e Shtetit, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vitin 2014, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, sepse më datë 18.01.2011, pranë një karburanti në aksin rrugor “Lezhë-Tiranë”, ka vrarë me armë zjarri 2 shtetas.” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
PAMJET E AKSIONIT
.
Paçani qëlloi për vdekje Ndoc Zymaj dhe Vlash Gjeçi në tetor të vitit 2011. Ngjarja erdhi pas një konflikti që kishte si shkak moskthimin e një huaje. Biznesmeni nga Laçi i kishte marrë Ndoc Zymajt një shumë prej 100 mijë eurosh me anë të një kontrate.
Por, biznesmeni Paçani nuk ishte treguar korrekt me afatin e caktuar. Për këtë arsye, biznesmeni dhe huadhënësi janë konfliktuar me anë të mesazheve telefonike, duke arritur deri në ofendime dhe sharje të rënda ndaj njëritjetrit. Pas bisedave dhe SMS-ve, Paçani ka lënë takim me Zymajt dhe Gjeçin
Pikërisht në momentin kur dy personat e fundit prisnin kthimin e borxhit, Paçani në atë kohë 48 vjeç, i qëlloi për vdekje me pistoletë. Ngjarja ka ndodhur në autostradën Laç-Tiranë, në një lokal të quajtur “Exen”. Biznesmeni i firmës së betonit, në momentin që ka hyrë në lokal, ka qëlluar nga një distancë e afërt dy shokët e tij, duke iu drejtuar me fjalët: “Shani prapë nga nëna dhe motra”.
Vlash Gjeçi në momentet e fundit i është drejtuar shokut të tij me fjalët “na preu në besë”, gjë e cila është konfirmuar dhe nga dëshmitarët në gjyq. Në fund, Gjykata, ndonëse Prokuroria kërkoi dënim me burgim të përjetshëm, dha 25 vite heqje lirie për Pjetër Paçanin.
Ky i fundit arriti të largohej nga vendi i ngjarjes dhe rezulton ende person në kërkim, edhe pse kanë kaluar 7 vite nga ngjarja. Në konkluzionet e Prokurorisë u tregua se njëri nga viktimat, Ndoc Zymaj, është kushëriri i Paçanit, njëherësh dhe furnitor e menaxher i kantierit të lavatriçes së inerteve në FushëMilot, që ndodhet në pronësi të biznesmenit Pjetër Paçani.
Ndonëse pas ngjarjes Paçani ka paraqitur në Polici dhe Gjykatë dokumente të firmosura prej tij, forcat e Rendit nuk arritën të binin në gjurmët e laçianit. Autori dhe dy viktimat, Ndoc Zymaj e Vlash Gjeçi, kanë qenë banorë të qytetit të Laçit, të njohur prej vitesh dhe me marrëdhënie shoqërore e familjare të mira e të afërta mes tyre.
Është dokumentuar gjatë hetimit se i pandehuri Paçani, për nevoja të biznesit të tij, i kishte marrë borxh me përqindje interesi një shumë financiare prej mbi 100 mijë eurosh, shumë e cila nuk është kthyer. Fakti i borxhit, sipas akuzës, provohet në disa mesazhe të zbuluara në telefonat e viktimave. Para ngjarjes së rëndë, mes biznesmenit dhe dy viktimave ka pasur sherr me SMS për shkak të moskthimit të huasë.