Në korrik 2022, një seri sulmesh kibernetike goditën infrastrukturën digjitale në Shqipëri duke ndërprerë shërbime jetike për qytetarët që sapo ishin transferuar nga regjistrat fizikë në skedarët online. Sulmi kibernetik ishte aq i rëndë saqë për të parën herë nxiti një reagim nga NATO-ja, aleanca ushtarake ku Shqipëria është anëtare që nga viti 2009.
“Ne qëndrojmë në solidaritet me Shqipërinë pas sulmit të fundit kibernetik ndaj infrastrukturës së saj kombëtare të informacionit”, lexohet në një deklaratë të Këshillit të Atlantikut të Veriut.
“Ne dënojmë fuqishëm aktivitete të tilla keqdashëse kibernetike që kanë për qëllim të destabilizojnë dhe të dëmtojnë sigurinë e një aleati”, shtohet më tej.
Sulmi kibernetik përbëhej nga disa faza, duke përfshirë ndërhyrjen në kompjuterët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), vjedhjen e të dhënave, kodimin dhe shkatërrimin e tyre, si dhe një operacion të sofistikuar të përforcimit të mesazheve politike kundër “Mojahedin e-Khalq” (MEK) – një grup opozitar iranian i vendosur në Shqipëri që nga viti 2012.
Të dhënat e grumbulluara nga sulmuesit, përfshirë emailet e brendshme të qeverisë, fillimisht u publikuan në një faqe interneti të quajtur “Homeland Justice” dhe më pas në rrjetin social “Telegram”. Sipas një raporti të mëvonshëm hetimor të kompanisë “Microsoft”, fushata online kundër MEK përfshiu shtetas shqiptarë dhe iranianë, si dhe organizata të lidhura me Teheranin.
Byroja Federale e Hetimit (FBI) në SHBA e lidhi sulmin kibernetik ndaj rrjeteve kompjuterike shqiptare me strukturat shtetërore iraniane. Pas këtij konstatimi, qeveria shqiptare mori vendimin e paprecedentë për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Teheranin dhe dëboi diplomatët iranianë nga Tirana.
Qeveria gjithashtu mori hapa për të forcuar aparatin e saj të sigurisë kibernetike. Megjithatë, dy vjet pas sulmeve, të dhënat e mbledhura nga BIRN përmes teknikave kërkimore të hapura (OSINT) tregojnë se një numër faqesh interneti, individë me pikëpamje pro-iraniane dhe organizata në dukje të lidhura me Teheranin ende propagandojnë kundër MEK-ut dhe shpërndajnë narrativa pro-Teheranit në internet dhe rrjete sociale.
Ndërkohë, ekspertët shprehen se ka një mungesë të theksuar transparence dhe marrje përgjegjësish nga qeveria shqiptare në lidhje me sulmet kibernetike. Madje, ata paralajmërojnë se ngritja së fundmi i një komisioni ad-hoc në parlamentin shqiptar kundër dizinformimit mund të instrumentalizohet për të kufizuar lirinë e medias.
Sipas Blerjana Binos, drejtuese ekzekutive e organizatës “Science and Inovation for Development” (SCiDEV), sulmet kibernetike ndaj rrjeteve kompjuterike shqiptare ishin serioze dhe zbuluan dobësitë e sistemit tonë digjital.
“Mendoj që ishin sulme shumë serioze, sepse, praktikisht, i paralizuan shërbimet që sapo kishin kaluar të gjitha online”, vërejti ajo në një intervistë për BIRN. “Treguan dobësinë shumë të fortë të infrastrukturës sonë digjitale për sa i përket sigurisë kibernetike”, shtoi Bino.
Mullahët kundër muxhahedinëve
Influenca i Teheranit në Ballkanin Perëndimor ka qenë tradicionalisht modeste dhe regjimi në Teheran ka tentuar ta zgjerojë ndikimin e tij në rajon përmes palëve të treta. Shqipëria vendosi marrëdhënie diplomatike me Iranin në vitin 1999; megjithatë, këto marrëdhënie gjatë dekadës së fundit kanë qenë të mbushura me tensione. Një pikë e madhe përplasjesh midis dy vendeve ka qenë vendimi i Tiranës zyrtare për të strehuar MEK-un, një grup revolucionar iranian që kërkon të rrëzojë regjimin teokratik të Teheranit.
“Duke e krahasuar me rajonin, Irani nuk është se ka pasur një prani shumë të madhe në Shqipëri, përjashto disa publikime letrare, kulturore dhe disa fondacioneve fetare, por jo me rol aq të madh sa mund të ketë pasur në Bosnje apo në vende të tjera të rajonit”, shpjegoi Blerjana Bino.
MEK-u është një grup me një histori të ndërlikuar. I themeluar në vitin 1965 nga studentë marksistë kundër regjimit të Shahut të Iranit, ai u kthye kundër Republikës Islamike pas revolucionit të vitit 1979 dhe udhëhoqi një fushatë sulmesh. Në mesin e viteve ‘80 disa mijëra anëtarë të MEK-ut u zhvendosën nga Irani për në Irak, ku ish-diktatori Saddam Hussein i përdori ata si një forcë të armatosur gjatë luftës Iran-Irak. SHBA-ja e listoi MEK-un si organizatë terroriste në vitin 1997, por e hoqi nga lista e zezë në vitin 2012, pasi grupi deklaroi se hiqte dorë nga dhuna dhe armët për t’u përqendruar tek advokimi politik kundër regjimit iranian.
Pas pushtimit të Irakut të udhëhequr nga SHBA-ja në vitin në 2003, forcat aleate ofruan mbrojtje për MEK-un dhe në vitin 2012 filluan t’i zhvendosin ata në Shqipëri. Mijëra anëtarë të MEK-ut që nga viti 2018 jetojnë në një kompleks të mbrojtur mirë të quajtur Ashraf-3 në një kodër afër Manzës, rreth 20 kilometra larg nga kryeqytetit shqiptar.
Grupi opozitar shpesh përshkruhet si një sekt nga kritikët, për shkak të adhurimit ndaj udhëheqësit të tij të zhdukur, Masoud Rajavi, dhe gruas së tij, Maryam. Që nga vitet 1980, anëtarët e MEK-ut deklarojnë kanë hequr dorë nga lidhjet familjare dhe marrëdhëniet intime për atë që ata e përshkruajnë si një jetë revolucionare.
Nga kompleksi i tyre në Manëz, përmes internetit dhe konferencave ndërkombëtare, anëtarët MEK-u agjitojnë për rrëzimin e regjimit të mullahëve në Iran.
Grupi deklaron se financohet nga diaspora iraniane dhe pretendon mes mbështetësve të tij një listë të gjatë politikanësh të spektrit të djathtë në SHBA, përfshirë ish-kreun e CIA-s dhe Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, ish-kryetarin e bashkisë së Nju-Jorkut, Rudolph Giuliani, ish-këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, si dhe senatorë dhe kongresmenë të cilët mblidhen çdo vit në kompleksin e tyre në Shqipëri për të mbështetur kauzën e tyre – kryesisht me deklarata dhe fjalime.
Është e paqartë se sa ndikim ka akoma MEK-u brenda Iranit. Megjithatë, autoritetet iraniane e fajësojnë atë për një seri sulmesh kibernetike në vitin 2022, të cilat dyshohet se nxitën kundërpërgjigjen e Teheranit ndaj Shqipërisë.
“Homeland Justice”
Sulmi kibernetik kundër infrastrukturës digjitale shqiptare u bë publik në korrik 2022, vetëm një javë përpara se të mbahej samiti vjetor për Iranin e Lirë – i organizuar nga MEK-u në kompleksin e tyre në Manëz të Durrësit.
Sipas një raporti të përgatitur nga “Microsoft” mbi sulmin kibenetik për qeverinë shqiptare, sulmuesit vepronin nga Irani dhe përdornin mjete digjitale që ishin përdorur më parë nga piratë kibernetikë (hacker) iranianë.
Kompania amerikane e teknologjisë së informacionit shkruan se sulmi kibernetik u shoqërua me një operacion paralel të përforcimi të mesazhit, që përqendrohej në deklaratat politike kundër prezencës së MEK-ut në Shqipëri.
Grupi i sulmuesve krijoi një faqe interneti të quajtur “HomelandJustice.ru” dhe në korrik 2022 mori përgjegjësinë për sulmin ndaj rrjeteve kompjuterike të qeverisë shqiptare.
Në muajt në vijim, llogari në rrjetet sociale të lidhura me faqen e internetit reklamuan publikimin e të dhënave nga sulmi, madje duke hapur edhe një sondazh publik mbi vendimin për t’i rrjedhur ato.
Pas bllokimit të faqes se internetit “HomelandJustice.ru”, nga shtatori 2022 u përdor rrjeti social “Telegram” për të shpërndarë mesazhet e grupit kundër MEK, si dhe dokumentet dhe të dhënat e piratuara.
Në shtator 2023, Byroja Federale e Hetimit (FBI) dhe Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturore (CISA) në SHBA e shpallën “Homeland Justice” si një aktor shtetëror iranian, duke e lidhur sulmin me qeverinë në Teheran.
Përveç rrjeteve qeveritare të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), grupi i piratëve kibernetikë ka dëmtuar dhe vjedhur të dhëna nga Kuvendi i Shqipërisë, Instituti Kombëtar i Statistikave (INSTAT) dhe kompani private të telekomunikacionit. Grupi i Telegram-it “Homeland Justice” ka në maj 2024 më shumë se 22 mijë abonentë, ndërsa dy grupe të tjera – kopje të tij – kishin më shumë se 6,800 abonentë.
Që nga korriku 2022, “Homeland Justice” ka bërë publike 110 skedarë me dokumente dhe të dhëna vjedhura nga qeveria shqiptare. Mes tyre përfshihen të dhëna sensitive, si emaile nga “Inbox”-i zyrtar i kryeministrit Edi Rama, ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, ish-ministrit të Rendit Publik, Bledar Çuçi, ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, dhe të ambasadave shqiptare në Moskë, Athinë dhe Shkup. Gjithashtu “Homeland Justice” ka bërë publike të dhëna mbi zyrtarë të Shërbimit Informativ dhe skedarë të sistemit TIMS të përdorur nga Policia e Shtetit, duke vënë në rrezik sigurinë kombëtare.
Pas sulmit kibernetik, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë nxori një urdhër ku ndalonte publikim e të dhënave të vjedhura. Ky urdhër ngriti shqetësime për censurë paraprake mes organizatave të lirisë së shprehjes, por ai nuk u zbatua në praktikë nga organi i akuzës.
“Urdhri i Prokurorisë që ndalonte ripublikimin nga mediat u prit dhe me kritika për shqetësimet që sillte në lidhje me censurën paraprake që ne e ndalojmë që në Kushtetutë”, shpjegoi Megi Reçi, hulumtuese për të drejtat digjitale pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, IDM.
“Fakti që angazhonte institucione të pavarura si AMA, AKEP-i dhe Policinë për ta zbatuar këtë urdhër, që përkthehet në monitorim apo survejim, nuk e di si mund të zbatohej në praktikë dhe si mundet që Prokuroria të veprojë nëpërmjet institucioneve të pavarura”, shtoi ajo.
“Microsoft” vëren në raportin e tij mbi sulmin kibernetik se para dhe pas nisjes së fushatës së “Homeland Justice”, një grupi individësh – iranianë dhe shqiptarë, propaganduan pikat kryesore të saj.
Raporti përmend shoqatën “Nejat” dhe udhëheqësin e saj Ebrahim Khodabandeh, shoqatën për Mbështetjen e Iranianëve që Jetojnë në Shqipëri (ASILA), historianin shqiptar Olsi Jazexhi dhe gazetarin Gjergj Thanasi, mes individëve dhe organizatave të cilat pretendohen se ishin të lidhura me sulmin kibernetik.
“Promovimi paralel i fushatës së ‘Homeland Justice’ dhe temave të saj kryesore nga këta individë dhe organizata në internet – si para ashtu edhe pas sulmit kibernetik, sugjeron ekzistencën e një operacioni që kishte për qëllim përforcimin e ndikimi të sulmit [kibernetik]”, shkruan Ekipi i Zbulimit dhe Reagimit të Microsoft (DART).
Gergj Thanasi, gazetar nga Durrësit dhe aktivist i organizatës ASILA, i hodhi poshtë akuzat e “Microsoft” si të pabaza dhe insistoi se ato ishin shpifje të shpërndara nga MEK.
“Një kompani 60 miliardë USD që merret me mua”, pyeti Thanasi, ndërsa shtoi se “është idiotizëm i ‘Microsoft’”.
Thanasi e përshkroi qasjen e tij kundër prezencës së MEK-ut në Shqipëri kryesisht si rezultat të një mërie personale, pas një raporti që ai botoi në vitin 2017 mbi ndërtimin e kampit të tyre në Manëz, ‘Ashraf 3”.
“Pas publikimit të historisë më quajtën ‘një vegël të mullahëve’”, kujtoi ai, ndërsa shtoi: “Unë jam një shqiptar hakmarrës dhe jo produkt sere.”
Historiani Olsi Jazexhi, i cili jeton në Malajzi, gjithashtu mohoi të ishte pjesë e ndonjë fushate ndikimi të lidhur me autoritetet shtetërore iraniane dhe argumentoi se personat që e hartuan raportin e “Microsoft”-it e keqkuptuan letrën që ai dhe Thanasi kishin dërguar në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ku ata paralajmëronin për kërcënimin e paraqitur nga MEK-u dhe aktiviteti i tij në Shqipëri.
“Me këtë letër, Gjergji Thanasi dhe unë i kërkuam Presidentit të vendit dhe informuam Kryeministrin dhe zyrtarët e tjerë të Sigurisë Kombëtare se aktiviteti i MEK-ut në Shqipëri, me sulmet terroriste dhe kibernetike që MEK-u po kryente kundër Iranit dhe sulmet kibernetike që Shqipëria po përballej, po e vinin vendin në rrezik”, shkruan Jazexhi.
Jazexhi mban titullin Profesor i Asociuar nga Universiteti Ndërkombëtar i Malajzisë, ku jep mësim mbi nacionalizmin, islamin dhe komunitetet myslimane në Evropë pas rënies së Perandorisë Osmane. Ai ka qenë më parë lektor në Universitetin Aleksandër Xhuvani në Elbasan dhe Aleksandër Moisiu në Durrës. Ai mban një doktoratë në histori nga ‘European University Institute’ në Firence.
Jazexhi shfaqjet shpesh në mediat shqiptare dhe iraniane dhe poston shpesh në media sociale ku përhap pikëpamjet e tij mbi një sërë temash gjeopolitike, përfshirë luftën në Gazë dhe Ukrainë, muxhahedinët e MEK-ut. Pikëpamjet e tij janë shpesh kritike ndaj Perëndimit dhe përkojnë me narrativat e regjimit në Teheran. Ai gjithashtu mbështet dhe pushtimin rus të Ukrainës.
Jazezhi i tha BIRN se ai nuk ka asnjë lidhje me qeverinë në Teheran dhe as ndonjë qeveri tjetër, pasi është akademik dhe “një njeri i lirë”.
“Edhe pse punoj si profesor në një universitet islamik malajzian, dhe paguhem nga Malajzia, në mendimet e mia historike dhe profesionale unë nuk ndikohem nga qeveritë e botës”, tha ai, ndërsa shtoi si “principi im në shkrimet dhe analizat e mia është e vërteta.”
Qeveria shqiptare nuk ka dalë me një raport të vetin në lidhje me sulmet kibernetike dhe fushatën hibride të rrjedhjes së të dhënave nga “Homeland Justice”.
“Sa i përket transparencës, ne kemi parë që i vetmi dokument i publikuar është raporti i ‘Microsoft’, që ekspertët nuk e shohin të mjaftueshëm sepse nuk është dokument zyrtar, por dokument i një kompanie private që udhëhiqet nga interesat e veta ekonomike”, tha Megi Reçi, ndërsa shtoi se gjatë sulmit qeveria nuk ka pasur një plan strategjik komunikimi. “Nga ana e institucioneve ne kemi parë diskursin politik, propagandistik dhe joinformues”, shtoi ajo.
Edhe Blerjana Bino beson se qeveria ka bërë një sy qorr ndaj fushatës së rrjedhjes së informacionit nga “Homeland Justice”. “Unë shoh një përpjekje, ndoshta është strategjike, ndoshta jo, për ta lënë disi në heshtje”, tha ajo.
Propaganda iraniane në shqip
Përveç dokumenteve dhe mesazheve të publikuara nga “Homeland Justice”, mediat iraniane dhe shoqatat kundër MEK-ut kanë disa publikime të tjera në gjuhën shqipe që përhapin narrativat e Teheranit në hapësirën shqipfolëse.
Dritarja kryesore e propagandës iraniane në shqip është agjencia “Pars Today’, e cila është pjesë e shërbimit të jashtëm të radios Iraniane (IRIB). Kjo faqe që publikon në një duzinë gjuhësh të huaja dhe transmeton pikëpamjet gjeopolitike të regjimit në Teheran, për sa i përket aktualitetit dhe ngjarjeve politike në botë dhe rajonin e Ballkanit.
Blerjana Bino, autore e një studimi mbi propagandën iraniane të shpërndarë nëpërmjet Pars Today, shprehet se shumica e lajmeve të botuara nga kjo faqe kundërshtojnë me forcë prezencën e MEK-ut në Shqipëri dhe politikat e Perëndimit në përgjithësi.
“Shumica e lajmeve që ato nxjerrin inkuadrohen duke rritur supremacinë, pozitën e Iranit përkundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, apo vendeve të Bashkimit Evropian dhe duke e pasqyruar si terrorist këtë grup që është strehuar në Shqipëri”, shpjegoi ajo.
Shoqata Nejat (Shpëtimi), e cila është krijuar nga një grup prej ish-pjesëtarësh të MEK-ut, ka gjithashtu një faqe interneti në shqip ku propagandon kundër muxhahedinëve, të cilët i konsideron si një kult terrorist. Kjo shoqatë është themeluar nga Ebrahim Khodabandeh, një ish-anëtar i MEK-ut dhe komentues i rregullt në televizionin iranian.
Në postimet saj kritike ndaj muxhahedinëve, shpeshherë kjo faqe i referohet shoqatës ‘Për Mbështetjen e Iranianëve që Jetojnë në Shqipëri’, ASILA, zëdhënësit të saj apo individëve që kundërshtojnë prezencën e MEK-ut në vend. Një tjetër faqe aktive kundër MEK-ut në të shkuarën ka qene edhe shoqata Habilian – gjithashtu organizatë jofitimprurëse iraniane.
Media aktualisht më aktive në gjuhën shqipe që shpërndan propagandë iraniane është edhe publikimi online Gazeta Impakt, e cila riciklon shpesh deklaratat e organizatës ASILA dhe të historianit Olsi Jazexhi. Një nga temat kryesore të Gazeta Impakt është portretizimi i MEK-ut si një organizatë e rrezikshme, e përfshirë në terrorizëm, në trafik qeniesh njerëzore dhe trafik droge.
Analiza e të dhënave të marra nga rrjeti social Facebook nëpërmjet aplikacionit “Crowdtangle” dhe të vizualizuara nëpërmjet aplikacionit “Ghephi” tregon se Gazeta Impakt në të shkruarën është shpërndarë shpesh në rrjetin social Facebook nga një faqe e quajtur ‘Albapoli’. Kjo faqe shpërndan tani kryesisht një publikim online gjeopolitik të titulluar “Shqipëria Jonë” dhe ka 136 mijë ndjekës.
Mbetet e paqartë nëse lidhja midis këtyre publikimeve është e natyrës ideologjike apo komerciale; megjithatë, shpeshtësia e ndërveprimeve sugjeron se marrëdhënia nuk ka qenë tërësisht rastësore.
Komisioni kundër dezinformimit
Më 28 mars, shtatë deputetë të Partisë Socialiste propozuan krijimin e një komisioni të posaçëm parlamentar për të luftuar dizinformimin dhe ndërhyrjen e huaj në demokracinë e brishtë shqiptare. Vetëm një javë më pas, nëpërmjet një procedure të përshpejtuar dhe pa konsultime, Konferenca e Kryetarëve të Parlamentit miratoi krijimin e komisionit vetëm me votat e deputetëve të mazhorancës.
Ngritja e këtij komisioni bazohet në një memorandum mirëkuptimi midis Shqipërisë dhe SHBA-së, deklaratës të nënshkruar në muajin shkurt në Tiranë midis Ukrainës dhe vendeve të Evropës Juglindore dhe një rekomandimi të Bashkimit Evropian për Shqipërinë, dokumente të cila nënvizojnë nevojën për të luftuar dizinformimin dhe kërcënimet kibernetike për të kontribuar në stabilitetin global.
Megjithatë, procedura e përshpejtuar për ngritjen e komisionit ka sjellë reagime nga opozita dhe organizatat e lirisë së shprehjes, që kanë bërë thirrje për konsultime dhe më shumë transparencë rreth qëllimeve dhe fushës së veprimit të tij.
Sipas ekspertëve, lufta kundër dizinformimit duhet të marrë në konsideratë dhe të peshojë ndikimin që mund të ketë në lirinë e shprehjes dhe medias. Në këtë kontekst, studiuesja Blerjana Bino theksoi se mandati i komisionit të posaçëm të ngritur nga Kuvendi nuk është shumë i qartë dhe është miratuar pa konsensus.
“U miratua shumë shpejt, vetëm më votat e Partisë Socialiste, pa pasur konsensus të opozitës, për një çështje që duhet të kishte ndjeshmëri shumë të lartë dhe konsensus politik, pasi është një çështje delikate”, tha ajo. “Fakti është që është përqendruar shumë te media dhe brenda medias mandati është shumë i gjerë”, tha Bino.
Për hulumtuesen Megi Reçi çdo ndërhyrje ligjore që prek balancën midis luftës kundër dizinformimit dhe lirisë së shprehjes duhet t’i nënshtrohet testit të proporcionalitetit dhe për t’u zbatuar ky i fundit duhet të marrë në konsideratë konteksti shoqëror.
“Për mua ishte shqetësuese shpejtësia me të cilën u krijua komisioni, mungesa e konsultimit, paqartësia pse u krijua”, tha Reçi. “Konteksti shqiptar është që çështja e lirisë së media është shumë më shqetësuese sesa dezinformimi i huaj”, përfundoi ajo./Reporter.al