Nga Artan Hoxha
Në vitin 2012 ndodhën 35473 lindje, 7054 më pak se në vitin 2002 ose 16.6% me pak. Rënia mesatare vjetore e lindjeve në 10 vite rezulton 1.66%. Sipas CENSUS-it 2011 kundrejt atij 2001, popullsia kishte rënë nga 3.06 milionë banorë në 2.82 milionë, me një rënie prej rreth 240 mijë vete apo 7.8% gjithsej, me një rënie mesatare vjetore prej 24 mijë vete çdo vit apo 0.78%. Sipas vlerësimeve të INSTAT, emigracioni neto (të ikur minus të ardhur) për të njëjtën periudhë 10-vjeçare rezulton rreth 325 mijë vetë apo rreth 32.5 mijë mesatarisht çdo vit.
Në vitin 2023 ndodhën 23617 lindje, 11856 me pak se në 2012 ose 33.4% me pak. Rënia mesatare vjetore e lindjeve në këto 11 vite rezulton 3.04%. Sipas vlerësimeve të INSTAT, në 2023 popullsia e Shqipërisë rezulton në 2.76 milionë vetë apo me rënie prej veç 60 mije vetë gjithsej në 12 vite kundrejt CENSUS-it 2011, pra 2.1%, apo rreth 5 mijë vetë çdo vit apo 0.18%. Për të njëjtën periudhë 12-vjeçare, emigracioni neto i vlerësuar nga INSTAT rezulton më pak se 260 mijë vetë, rreth 21.5 mijë vetë mesatarisht çdo vit, pra intensitet emigrator neto mesatar vjetor rreth 34% më i ulët se në dekadën pararendëse.
Shifrat e dekadës pararendëse, që bazohen në dy CENSUS-e janë mjaftueshmërisht të sakta. Ndërsa pas CENSUS-it 2001, INSTAT përdorte disa hipoteza për projeksionet demografike, pas CENSUS-it 2011 këto hipoteza u korrigjuan dhe për periudhën mes dy CENSUS-eve u rikalkuluan të gjitha shifrat. Pas CENSUS-it 2023 INSTAT do veprojë njësoj – në varësi të rezultatit konkret, do të rivlerësojë hipotezat e përdorura për dekadën e fundit e do bëjë rivlerësimin e shifrave.
Por, shtyrja e kryerjes së CENSUS-it me dy vite, (vetëm 2021 ishte i justifikuar prej COVID-19, por jo viti 2022) dhe veçanërisht, shtyrja e publikimit të rezultateve nga fundi i dhjetorit 2023 për në qershor 2024, ka provokuar dyshime të arsyeshme se INSTAT është nën presion politik për të modifikuar rezultatin.
Për krahasim, në vitet 2001 dhe 2011, vite aspak të lehta qoftë nga pikëpamja politike, qofte ajo ekonomike, CENSUS-et përkates u kryen në kohë e po në kohë rekord u shpallën edhe rezultatet paraprake dhe ato përfundimtare. Aktualisht Kosova po kryen CENSUS-in e saj dhe çdo javë atje raportohen shifrat operative të regjistrimit të popullsisë dhe banesave.
Ky dyshim – presioni politik mbi INSTAT për modifikimin e rezultatit – përforcohet edhe nga fakti se çështja se sa ka rënë popullsia, apo se sa ka qenë emigrimi, është mjaft e nxehtë në debatin politik, me opozitën që pretendon për mbi 1 milion të ikur dhe për Qeverinë që e minimizon këtë fenomen pa dhënë shifër (kështu bëri edhe ne 2015-tën edhe në 2018-tën me shifrat e rritura të azilkërkuesve) ndërkohë që Kryeministri po kryen turin propagandistik të “takimeve” masive me “emigrantët” në Greqi, Itali, Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Që ikja është masive gjatë qeverisjes rilindëse, veçanërisht pas pandemisë COVID-19, kjo duket qartë kudo në Shqipëri, së fundmi edhe në Tirane ku në dy vitet e fundit është shfaqur rënia e lindjeve e ku ndihet fuqishëm gjithashtu mungesa e fuqisë punëtore, ndaj vështirë se mund të jetë i saktë vlerësimi i INSTAT për emigrimin me rreth 260 mijë vetë që nga 2012-ta dhe popullsinë rreth 2.76 milionë vetë në 2023.
Nga burime të pakonfirmuara thuhet se INSTAT, pra Qeveria, përgatitet të deklarojë se CENSUS-i 2023 ka regjistruar një shifër prej rreth 2.65 milionë vetë (ndërsa pëshpëritet gjithashtu se në regjistrim kanë rezultuar më pak se 2 milionë vete e se ka pasur mendime për ta shpallur të dështuar këtë census, të paktën për sa i përket popullsisë). Edhe kjo shifër, ndonëse më e ulët se projeksioni aktual i INSTAT me 2.76 milionë banorë, duket e pabesueshme dhe ajo në fakt nuk është gjë tjetër veçse një korrigjim i lehtë i projeksioneve të sipërcituara e të deritanishme të INSTAT duke mbajtur thuajse të pandryshuar hipotezën emigratore të deritanishme.
Në fakt, nëse pohojmë se sjellja e çifteve të martuara nuk ka ndryshuar në dy dekadat e fundit dhe të bazohemi tek treguesit vjetorë të rënies së lindjeve (qofte ato absolutë e qoftë ato relativë), emigracioni në dekadën rilindëse s’ka se si të jetë më i ulët se ai i dekadës pararendëse, qoftë në vlerë absolute e qoftë në vlerë relative. Përkundrazi, duhet të jetë shumë, shumë më i lartë.
Natyrisht që ka pasur një farë ndryshimi në sjellje, një tendencë për të pasur më pak fëmijë, por kjo vështirë se përmbys konkluzionin e mësipërm, pasi shifrat tregojnë se rënia e lindjeve në dekadën rilindëse, përjashtuar vitet 2015, 2018, 2022 dhe 2023, ka qenë mëse normale, me një normë mesatare vjetore prej afro 2%, veç paksa më e lartë se ajo e dekadës pararendëse me vlerë 1.66%, koefiçientë këto që përfshijnë edhe efektin emigrator, pjesa më e madhe, edhe rënien e lindjeve në dekadat e mëparshme, edhe atë zakonor, pjesa tjetër.
Ndërkaq, në vitet e sipërcituara rënia mesatare vjetore e lindjeve ka tejkaluar nivelin prej 7% dhe kjo rritje kaq e fortë e rënies së lindjeve nga baza normale e saj, në dy vite sporadike dhe në dy vitet e fundit, nuk mund të shpjegohet assesi me ndryshimin e zakonit, por afërmendsh veçse me rritjen e emigracionit, theksueshëm të moshave fertile, e me një koeficient emigrator 4-5 herë më të lartë se ai në periudhat normale.
Qeveria mund të na gënjejë sa të dojë për rezultatin e CENSUS-it 2023, por ajo nuk e fsheh dot atë qe duket ashiqare: (Ri)lindje (pa)lindje, Shqipëri në arrati.