M., është 29 vjeçe. E veshur me të zeza, ma bën me dorë, nga ballkoni i katit të dytë, të një pallati të vjetër, pak metra larg shtëpisë së Artur Kurtit, burrit që u vra të hënën, në korridorin e apartamentit të tij. Nga ai ballkon, ku M. e kishte pritur Arturin, çdo herë, për pesë vjet, ajo e pa për herë të fundit, rreth orës 19.00 të së hënës, kur ai i tha se po ikte te nëna. Nuk jam e sigurt për orën”, thotë ajo për dritare.net.
M., mësoi nga lajmet se Arturi kishte vdekur. Nuk e besoi dhe e mori në telefon. Telefoni doli mbyllur. E pranoi vdekjen e tij, vetëm kur shkoi në varrim. “Pasi të gjithë ikën, unë mora një taksi dhe shkova me vajzën. E qamë të dyja dhe vumë lule mbi varrin e Turit. Pastaj erdhëm në shtëpi, edhe nuk dalim të dyja. Ku të shkojmë tani?”
Kur e pyet si janë njohur, M. tregon: “U njohëm në një lokal, unë sapo erdha nga Dibra në Tiranë. E divorcuar, me një vajzë 5 vjeç. Ai më pëlqeu dhe unë doja një njeri të kujdesej për mua dhe vajzën. Arturi ishte njeri i mirë, është kujdesur shumë për ne. Ai fliste gjithë kohën për të birin, me shumë krenari, por e donte vajzën time. Djalin e tij e kam takuar një herë, me Turin, djalë shumë i mirë. Edhe gruan ia shikoja.
Të gjithë flisnin mirë për të. Por ata nuk ishin të ndarë. Unë nuk di të jenë divorcuar. Di vetëm që Arturi jetonte me nënën në shtëpi dhe gruaja jetonte me djalin”.
Kur e pyet çfarë ndodhi atë natë, M., tregon se ai e mori në telefon, kur ajo ishte nga liqeni me vajzën. “Më tha, që ishte poshtë pallatit. E kuptova se kishte pirë. Mezi fliste. I thashë që të mos ikte se isha afër. Në fakt isha larg, por vrapova. E gjeta në një lokal të lagjes, me një raki dhe kafe para. Vetëm. Shkuam bashkë në shtëpi. Vajzën e nxora të luante me shoqet. Turi ishte keq, qante. Nuk më tha pse, por them se e kishte nga pija. Ai pinte shpesh, por nuk tregonte çfarë kishte, as ankohej kurrë. Unë gjithmonë e qetësoja. Nuk e pyesja. Dhe atë ditë e ndihmova të shtrihej në divanin këtu, i vura lecka me ujë derisa u bë më mirë.”
Kur e pyes a kishte me vete thikën me të cilën u tha se shkoi në shtëpinë e gruas, atë ditë, M., thotë me siguri, që i pa të gjitha rrobat e tij, kur i hoqi në divan, por nuk kishte asgjë.
Kur Artur Kurti doli për herë të fundit nga ajo shtëpi, M., e ndoqi me sy nga ballkoni. Ai nuk kishte gjë në duar. Por ajo nuk di të shpjegojë çfarë ndodhi në shtëpinë e tij atë natë.
“Do i them dhe policisë”, thotë, “nuk kanë ardhur, por besoj do të vijnë. Do i them këto që të thashë ty.” “Nuk kam qenë unë shkaktarja,” thotë mes lotëve.
“Mbase nuk duhet të qaj për burrin e një gruaje tjetër, por ai më donte dhe unë e doja shumë. Të betohem nuk më ka lënë asgjë. Nuk kam gjëra të tij, veç një makine që përdorja dhe dua ta dorëzoj në familjen e tij. Tani nuk di ç’do bëj. Ai kujdesej për mua dhe vajzën, por nuk mendoj për këtë, mendoj vetëm si iku ai. Ndërsa unë jam gjallë. Të paktën”, shton më tej.
M., jeton në një apartament me një dhomë gjumi, ndërsa korridori është edhe kuzhinë edhe lavanderi, edhe sallon, edhe kuzhinë. Është veshur me të zeza dhe një rrip i shtrëngon barkun. Kur e pyes a i bën keq kjo bebit, thotë që ajo në media dëgjoi se është shtatzënë. “Menjëherë bëra testin, por nuk doli gjë. Mbase dhe jam, do e bëj prapë testin. Gjithsesi unë jam 29, dhe nuk jam 25 vjeçe dhe as pesë muaj shtatzënë. Ndoshta është një vajzë tjetër, por unë nuk e kam pyetur kurrë Turin për këto gjëra. Nuk bëja kurrë pyetje, e doja shumë, për ta pyetur. Megjithëse nuk besoj, ndoshta media e ka gabim”, shprehet e reja. M., është e hutuar dhe e frikësuar. Është vajza 10 vjeçare që kujdeset për të dhe e përkëdhel, e qetëson.
Frika e M., tani është vajza: “Mos ma marrin meqë bëra këtë gabim? Shkova me burrin e një gruaje tjetër dhe nuk e di, nëse po të kapën, të marrin vajzën. Se pastaj do vdes dhe unë…”./Dritare.net