Trajneri i Partizani, Orges Shehi, u shpreh tepër i lumtur për triumfin 1-2 që skuadra e tij arriti në derbin ndaj Tiranës.
Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes për mikrofonin e “MCN”, tekniku i kuq, ndër të tjera deklaroi:
“Fitore e rëndësishme, përballë një rivali historik. Për atë çka skuadra dha në fushën e lojës, më të rëndësishëm janë ata që janë në stol sesa ata që e filluan nga fillimi. E nisëm me dy dëmtime, të Taipit dhe Carës, u çekuilibruam pak. Gjithsesi u munduam të kishim agresivitet dhe ekulibër. Fituam një ndeshje të dominuar.
Fitorja është për të gjithë tifozët, në veçanti për presidentin tonë, që po kalon një gjendje kritike. Këtë fitore ia dedikoj atij dhe babait të tij.
Ka qenë periudhë që asnjëherë nuk kemi qenë të plotë, me përjashtim të Rrogozhinës dhe Dinamos. Kur ke kontigjent të plotë implementon ato që t’i kërkon, edhe në bazë të karakteristikave. Jam i kënaqur me atë çka skuadra jep, sepse po tregon karakter dhe uri në çdo ndeshje.
Tirana kishte ndryshim nga pjesa e parë në të dytën. Ndryshe uy sillte nga krahu i djathtë dhe ndryshe nga i majti. Në shumicën e rasteve dolëm me 2 ekrane. Në fund kërkuam të ngjisnim mbrojtësat e krahëve lartë dhe të fusnim dy uingerat lartë që të dilnim para portës.
Me atë vendosje që kishte kundërshtari, kërkonim nga mbrojtësat tanë që ta qarkullonim topin shpejt dhe ta fillonim manovrën me mbrojtësat anësorë. Taipi ndryshon me Mehmetin se ka këmbën e mirë plus edhe pozicionimi. Morëm masat në varësi të vendosjes së kundërshtarit. Presionin lartë e bëmë me Muratajn. Rrapaj me Mehmetin nuk janë të mirë në kohën e presionit. Kështu e kishim menduar. Mehmeti nuk është në gjendjen e tij më të mirë. Gradualisht do të rritet dhe ai.
Kërkojmë ta ndërtojmë manovrën në bazë të karakteristikave që kanë. Duam të marrim më të mirën nga brumi i lojtarëve. Nuk duhet të rrimë strik i mendimeve tona, por duhet të ndryshojmë në bazë të karakteristikave.
Maget është lojtari i jonë më i rëndësishëm. Ofertat janë të pranishme. Ka kontratë me ne, futbolli ka një dinamikë të madhe, klubi do të vlerësojë situatat dhe kushtet dhe pastaj do të vendosi. Nuk prishim çdo gjë, për të transferuar lojtarët. Është i përqendruar te ne, të gjithë lojtarët kanë oferta, do t’i vlerësojmë, pa prishur grupin.
Ne kërkojmë të përmirësohemi dhe të ngjitemi sa më shumë. Bravo i qoftë kundërshtarit në qoftë se i fiton të 3 ndeshjet, në të kundër ne do të bëjmë maksimumin për t’u ngjitur në klasifikim”, u shpreh Shehi.