Mesnatën e 8 Prillit profilet e Instagramit të Citizens Channel, Lëvizjes Bashkë dhe Nismës Thurje u sulmuan nga mijëra profile të rreme në pak minuta. Një ditë më parë i njëjti sulm ndodhi me të treja faqet dhe profilin e ekspertit të IT Genti Progni.
“Në mëngjes pamë që ishin shtuar ndjekësit, po nuk e kuptuam çfarë po ndodhte. Folëm më një ekspert dhe na tha se jemi sulmuar me ndjekës të rremë”, thotë Kristjan Zoto, aktivist i Lëvizjes Bashkë.
Endrit Shabani kryetar i Nismës Thurje, tha se kjo nuk është hera e parë që qeveria sulmon mediat dhe grupimet e pavarura që kritikojnë punën e saj, thjesht “këtë herë ka gjetur një metode të re”.
Zoto dhe Shabani mendojnë se sulmi ka të bëjë pikërisht me veprimtarinë e tyre kundër Bashkisë Tiranë.
“Mendojmë se po behet prej aksioneve edhe fushatës që kemi ndërmarrë ndaj bashkisë së Tiranës dhe Erion Veliajt”, tha Zoto. Pas sulmit në profilin e Lëvizjes Bashkë ata u sulmuan dhe tek profili i “Kontradikta“, një faqe e hapur së fundmi ku postojnë video denoncuese.
Po ashtu Shabani përmendi kallëzimin që Nisma Thurje ka dërguar në SPAK, por shtoi se nuk është rast i izoluar sulmi vetëm kundrejt tyre por është e koordinuar.
“Ata sulmojnë një media të lirë, kritike dhe që na jep hapësirë ne që shumë pak kemi hapësirë në mediat e mëdha, kështu që godasin të gjithë zërat kundër”, tha Shabani.
Grupimet e reja politike shprehen të vendosur për të vijuar punën e tyre pavarësisht këtyre sulmeve.
Çfarë pasojash ka sulmi me profile të rreme?
Fluksi i ndjekjes nga profile të rreme, të njohura si Bots, sjell disa rreziqe për prezencë online të profileve që sulmohen. Rreziku i parë është nga vetë platforma Meta, e cila mund t’i sinjalizojë faqet si të dyshimta, duke urdhëruar mbylljen.
Profilet e rreme ndikojnë negativisht tek algoritmi, që i bën të padukshme postimet e profileve të sulmuara tek ndjekësit. Robotët nuk angazhohen me përmbajtjen e faqes që ndjekin, dhe Instagram e merr këtë si një sinjal se përmbajtja juaj nuk është me interes për shumicën e përdoruesve dhe për këtë arsye nuk ia vlen të shfaqet.
Si rezultat, përmbajtja “zhduket” edhe nga ndjekësit real.
“Rritja artificiale e ndjekësve çrregullon metrikat e nivelit të angazhimit të faqes. Këto llogari të mundësuara nga bot-et kanë potencialitn të raportojnë postime specifike në Instagram, duke bërë që këto postime të hiqen, apo edhe duke ndikuar që llogaria e sulmuar të mbyllet“, tha për Citizens, ekspertja digjitale Orkidea Xhaferraj nga SCiDEV.
Ajo përmend një rast të ngjashëm që ka ndodhur me grupet feministë ne Iran, të cilat u përballën me një rritje të shumëfishtë brenda natës.
Shabani shprehet se qeveria ka “call-center, të rinj që i marrin dhe i punësojnë dhe i përdorin për të sulmuar disa faqe duke i bombarduar me trolls dhe duke bërë report, për të shkaktuar mbylljen e faqeve ose që këto faqe të zhduken dhe mos të dalin më”.
Ai shprehet se më herët qeveria ka përdorur forma të tjera, siç është agjencia ACROMAX për të drejtat e pronësisë.
“S’është hera e parë kjo, dhe më herët me Acromax ku kërkonin të drejtat e pronësisë edhe për video ku ne bënim denoncime”, tha Shabani.
Studiesi i medias, Elvin Luku shprehet se sulme të tilla janë të paprecedenta, sidomos kur drejtohen ndaj medias.
Duke analizuar rastin e Citizens me sulmin të nisur së pari në Facebook dhe në ueb e më pas duke u ndjekur në Instagram, ai e cilësoi si një rast problem të ri, të sofistikuar dhe të rrezikshëm të medias shqiptare.
Së pari raportimet bëjnë që të fshihen qindra artikuj dhe hulumtime qe kërkojnë kohë të rikuperohen nëse ndjek procedurat e rimarrjes së produktit te Facebook.
Së dyti, tha ai “sulme të tilla te organizuara me raportime në pak minuta zhvendosin axhenden mediatike te medias”.
“Nga një redaksi e cila duhet të mendojë për investigimin apo raportimin e radhës, në një redaksi që harxhon kohë dhe burime njerëzore për mbrojte dhe rikuperim të artikujve”, sqaron Luku.
Ai e sheh këtë fenomen si një sulm drejtuar raportimit cilësor dhe fjalës së lirë.
“Kjo strategji mund të përdoret ndaj cilësdo media për ta mbyllur apo për ti fshirë artikujt”, tha Luku.
Si e dallojmë një profil të rremë?
Sulmi me ndjekës të rremë është i koordinuar, e kjo verifikohet jo vetëm nga fakti që erdhi në të njëjtën por edhe nga ngjashmëria e profileve të rreme.
Le të marrim në analizë dy profile “Spam” në Instagram. Për ta bërë këtë përzgjodhëm dy prej rreht 70 mijë profileve që kanë ndjekur faqen e Citizens.
I pari quhet Jordan Hall, ai ka 7 foto të publikuara që të gjitha mbajnë të njëjtën datë (20 maj 2023). Postimet e këtij profili nuk kanë asnjë “like” dhe asnjë koment. Jordan ka 120 ndjekës, që janë të gjitha profile false. Ai ndjek mbi 3,212 profile në Instagram, mes të cilave shumë profile false, por edhe profile të vërteta që mund të kenë qenë subjekt i sulmeve të ngjashme.
E dyta quhet Ridley Archer, njëlloj si Jordan ajo ka publikuar 7 foto, në 20 maj 2023 dhe nuk ka asnjë “like” dhe ansjë koment. Ridey ndiqet nga 121 profile false, dhe ndjek 3,150 faqe në Instagram. I vetmi informacion në këtë profil gjendet në një prej fotografive, ku ajo mban në dorë një pije energjike të prodhuar në Rusi, të quajtur “Adrenaline Game Fuel”.
E njejta tipoliogji ndjekësish është dhe në profilet e Lëvizjes Bashkë apo Nismës Thurje.
“Fermë trollsash dhe pushteti”
Një fermë trollsash, është një grup njerëzish që kanë profile të rreme në rrjetet sociale dhe komentojnë ose bëjnë spam profile të caktuara.
Në fillim të Facebook, kompani të ndryshme zbuluan një mundësi si të fitonin më shumë para. Duke krijuar ushtri njerëzish të keqpaguar, këto kompani krijonin llogari të njëpasnjëshme në Facebook dhe i ofronin faqeve të ndryshme mundësinë për të blerë një numër të caktuar likesh.
Propaganda është tashmë diçka e vjetëruar, pasi teknologjia ka lehtësuar mjetet e përhapjes së lajmeve të rreme dhe të orientimin të opinionin në internet.
Një raport i Freedom House zbulon se 30 nga 65 vende përdorin trolling të sponsorizuar nga shteti.
Ata janë në gjendje ta bëjnë këtë me ndihmën e fermave të trolleve, të njohura gjithashtu si fabrika të trolleve ose ushtritë e trolleve.
Fermat e trolleve janë grupe profesionale njerëzish që krijojnë profile të rreme në internet për të mbushur mediat sociale dhe forumet e internetit me një mesazh të paracaktuar – për shembull, duke lavdëruar një politikan të caktuar ose duke sulmuar dikë kritik ndaj qeverisë.
Ata punojnë në mënyrë të koordinuar duke ndarë ose komentuar postimet e njëri-tjetrit.
Qeveria shqiptare ka provuar se ka një fermë trollsash në përdorim. Citizens zbuloi se si apliakcioni Aktiv1st përdorete të njëjtat mekanizma si një fermaë klikimesh, duke shfrytëzuar administratën publike dhe militantët.
Në dhjetor të vitit 2022 Partia Socialiste prezantoi një aplikacion të quajtur “Aktiv1st”. Krijuesit e kanë përshkruar atë si një “platformë që i jep mundësi çdo personi që ka ide dhe dëshirë të jetë pjesëmarrës në gara lokale ose kombëtare, të çojë përpara nismat e tij dhe të jetë faktor aktiv në komunitet”.
Por Citizens zbuloi se “Aktiv1st” është shumë i përhapur tek punonjësit e administratës publike, që janë njëkohësisht anëtarë të Partisë Socialiste dhe shërbente si makineri likesh, sharesh dhe komentesh për partinë.