Prerjet pa kriter, në një masë të madhe, të paligjshme, si dhe flakët, që herë-herë vendosen për të mbuluar provat për shfrytëzimin agresiv të pyjeve, kanë ulur, jo vetëm sipërfaqen, por edhe volumin e pyjeve në Shqipëri. Qeveria qendrore e ka “deleguar” përgjegjësinë te bashkitë, të cilat nuk kanë, as fonde, as kapacitete njerëzore për t`i ruajtur pyjet.
Nga Artan Rama
“Ndikimi i pyllëzimeve, i parë nga lart, nuk është i dukshëm”, – thotë Ronny Dobbelsteijn, një specialist i Sistemit të Informacionit Gjeografik (GIS).
Ai shqyrton prej muajsh imazhet satelitore mbi krahinën malore, qendrore të Shqipërisë. Rezultatet u bënë publike dhjetorin e shkuar në një studim të mbështetur nga Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA).
Studimi tregon se në malin e Munellës pranë Pukës dhe në vargun malor Polis-Valamarë pranë liqenit të Ohrit pyjet po pakësohen. Dhjetëvjeçarin e fundit të dhënat janë edhe më dëshpëruese. Shkalla e shpyllëzimit rezulton më e lartë sesa ripërtëritja. Mali i Munellës është dëmtuar veçanërisht nga rënia e zjarreve, ndonëse Munella, krahasuar me vargun malor Polis-Valamarë, përbën një ekosistem natyror me fuqi më të lartë ripërtëritjeje.
Pamjet satelitore, të ofruara nga Sistemi Europian për Informacionin e Zjarreve (EFFIS) tregojnë se ne gjashtëmbëdhjetë vitet e fundit në vend janë djegur nga zjarri rreth 295,000 ha, saktësisht pyjore, me një mesatare prej 18,400 ha/vit. Akoma më keq, një tjetër tregues, i lidhur me shfrytëzimin e lëndës drusore, paraqitet në parametra të mjeruara: volumi.
Në dy dekadat e fundit Shqipëria po përjeton një rënie drastike të volumit pyjor. Prej vitit 2006 rënia vlerësohet në 33% ose një humbje prej 1,5 milionë m3/vit. Pakësimi i volumit “vlerësohet të ketë ardhur si rezultat i zjarreve, prerjeve dhe mungesës së investimeve për ripyllëzim”, – citohet në Inventarin Kombëtar të Pyjeve dhe të Kullotave (IKPK 2021).
Sipas Forest Europe, Traktati Ministerial për Mbrojtjen e Pyjeve në Europë, në vitin 2020 Shqipëria rezultoi e parafundit në radhë krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor për nga madhësia e sipërfaqes pyjore, por edhe për nga mesatarja e sipërfaqes për frymë.
Shqipëria u klasifikua si një prej katër vendeve (të vetmet) europiane, e cila në tridhjetë vitet e fundit (1990-2020) kishte pakësuar sipërfaqen e saj, pyjore ndryshe nga të gjitha vendet e tjera europiane, që për të njëjtën periudhë e kishin shtuar.
Në librin “Pyjet në rrjedhën e një shekulli” autorët, Irfan Mete dhe Genc Kacori, dy inxhinierë të spikatur pyjesh, pohojnë që edhe në Shqipërinë socialiste prerja e lëndës drusore ka qenë më e madhe sesa mundësia vjetore e shfrytëzimit. Por, veçanërisht pas vitit 1990 raporti mes prerjes dhe rritjes së drurëve ka qenë jashtëzakonisht i paqëndrueshëm.
Shkalla e shfrytëzimit arriti kulmin në vitin 2005, kur Shqipëria shfrytëzoi pesë herë e gjysmë mbi mundësinë vjetore të shfrytëzimit, duke shënuar një rekord europian.
Shqipëria është i vetmi vend që ka volumin më të vogël të pyjeve në Ballkanin Perëndimor. Përgjatë tri dekadave të fundit volumi i përgjithshëm është ulur sistematikisht, ndërkohë që vendet e tjera kanë pësuar ngritje.
Propaganda që shmang emergjencën
Këtë janar qeveria e shpalli vitin 2024 si Vitin e Pyejve dhe publikoi kalendarin cvjetor të aktiviteteve, ku spikasin pyllëzim të reja.
“Është një fushatë propagande tipike, – shprehet inxhinieri i pyjeve, Abdulla Diku. – Teksa sheh në mediat sociale, të krijohet përshtypja se po gjelbërohet planeti, ndërkohë që sasia e mbjelljes përbën një të qindtën apo një të mijtën e asaj që digjet vetëm në një vit”, – vijon me shpoti.
Të njëjtin mendim ndan edhe specialisti GIS, Ronny Dobbelsteijn, i cili eksploron prej vitesh sipërfaqet pyjore të vendit.
“Sipërfaqet e degraduara janë të shumta, ndaj ju duhet që të mbillni kudo dhe ta bëni vazhdimisht”,- nxit ai.
Faza e parë e pyllëzimeve mbaroi, por jo propaganda e mbjelljeve. Ministria nuk shpenzoi lekë as për një fidan të vetëm, ndërkohë që në tremujorin e parë të vitit 2024 ajo shpenzoi disa dhjetëra milionë në panairet ndërkombëtare, turistike të Madridit dhe të Berlinit.
Qeveria krijoi Agjencinë e Pyjeve (AKP) në vitin 2020. Kjo mund të quhet një arritje, ndonëse me shumë vonesë, pasi pyjet iu ishin dhënë bashkive për t’i administruar që në vitin 2016 përmes një tjetër vendimi të qeverisë. Asokohe bashkitë u gjendën të papërgatitura. Përveç mungesës së përvojës, bashkitë nuk kishin as pará për t`i ushtruar detyrimet ligjore për mirëmbajtjen e fondit pyjor. Ndihmat prej buxhetit qendror nëpërmjet transfertave të pakushtëzuara ishin shumë herë më të ulëta sesa nevojat. Bashkitë po hasnin vështirësi edhe në strukturimin e sektorit, që do të administronte pyjet. Kësisoj, roli i AKP mbetet një domosdoshmëri.
Si për ironi sot ajo përballet me të njëjtat probleme, që u përballën bashkitë në vitin 2016. Agjencia është një entitet kombëtar, ndonëse paradoksialisht nuk ka ende ndarje administrative, rajonale.
Me një staf të ngushtë, i cili operon vetëm në Tiranë, inspektorët e saj, të cilët gjenden si në një sandwich mes presioneve të të dy pushteteve, atij qendror dhe atij vendor, hasin vështirësi të mëdha.
Agjencia arriti që ta bindë qeverinë, që ta shpallë vitin 2024 Vitin e Pyjeve, por duhen ende edhe disa muaj për të parë se si e ka kuptuar qeveria këtë shpallje; është e njëjta qeveri që ndryshoi Ligjin për Zonat e Mbrojtura për të favorizuar investimet e rënda, turistike, dhe jo vetëm, brenda këtyre territoreve.
Në përpjekje për të ushtruar përgjegjësitë e saj, Agjencia iu ka kërkuar për herë të parë të gjashtëdhjetë e një bashkive të vendit planet e pyllëzimeve për vitin 2024. Pak më shumë se gjysma janë përgjigjur dhe nuk është pak. Është premtuar mbjellja e dy milionë fidanëve. Për herë të parë investimet e parashikuara prej bashkive në fondin pyjor kalojnë të ardhurat që sigurohen prej këtij fondi.
“Janë projekte të buxhetuara dhe një pjesë e tyre kanë marrë miratimin e Këshillave Bashkiakë”, – siguron drejtori i Agjencisë, inxhinieri Artur Kala.
Kaosi me shifrat
Jo vetëm pyjet, por edhe shifrat për to, Shqipëria i ka të varfra.
“Na duhet të dimë, sa pyje kemi”, – parashtrohet në Inventarin Kombëtar, rezultatet e të cilit u publikuan në vitin 2022 nga Agjencia Kombëtare e Pyjeve (AKP). Në të vërtetë, pas publikimit të këtij dokumenti të shumëpritur pyetjet u shtuan edhe më shumë. INSTAT, Instituti Kombëtar i të Dhënave, vijon që të publikojë të tjera shifra për gjendjen e pyjeve. E njëjta kontradiktë mes shifrave vihet re në të dhënat e publikuara nga Banka Botërore dhe Eurostat (Agjencia Europiane e Statistikave).
“Të dhënat priten të unifikohen së shpejti, – shprehet një prej zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. – Marrja në konsideratë vetëm e të dhënave të IKPK, 2021 është domosdoshmëri”, – përfundon ai.
Inventari Kombëtar i Pyjeve dhe Kullotave u hartua në vitin 2021 dhe teknikisht përditësohet çdo tetë vjet. Referenca ndaj tij mendohet të jetë “Bibla” e pyjeve në të ardhmen.
Në vitin 2020 Shqipëria ndryshoi Ligjin e Pyjeve; bashkë me të edhe konceptin se çfarë quhej “pyll”. Këtej e tutje do të konsiderohet si i tillë një sipërfaqe më e madhe, ndërkohë që, në të kundërt, shkalla e mbulimit me drurë brenda saj ulet në 10%, nga 30% që ishte në ligjin e vjetër. Natyrisht, Shqipëria nuk e bëri e vetme këtë ndryshim. Ajo “respektoi” rregulloren e re të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), së cilës iu nënshtruan edhe të tjera vende. Sipas ekspertëve, FAO zbatoi të njëjtat kritere, që përdorte për pyjet e thata, tropikale.
Por, ka edhe një tjetër parametër, përcaktimi i të cilit luan rol thelbësor në cilësinë e hapësirës pyjore. Kur flasim për sipërfaqe pyjore, sipas legjislacionit shqiptar, i referohemi fondit pyjor, që përfshin edhe pasuritë jopyjore (bashkëshoqëruese), si dhe sipërfaqet e zhveshura (djerrë). Konkretisht, mjafton të përmendim se 13% e fondit pyjor të Bashkisë së Librazhdit, e cila është një bashki e pasur me pyje, është joproduktive apo djerrë. Pikërisht, kjo sipërfaqe pyjore, joproduktive konsiderohet gjithashtu pjesë e fondit pyjor.
Kësisoj, në tërësinë e tyre ndryshimet ligjore favorizuan artificialisht shtimin e sipërfaqes së përgjithshme, pyjore, ndërkohë që shkalla e mbulimit me drurë për njësi u ul. Me këto manovra autoritetet ia dolën që të ruajnë formalisht të njëjtën sipërfaqe prej 1,2 milionë hektarësh pothuajse konstante në dy dekadat e fundit, duke rritur teknikisht edhe përqindjen e pyjeve në raport me territorin e vendit, i cili mbetet i pandryshuar.
Ku po gabojmë?
Në vitin 2019 Shqipëria përmirësoi legjislacionin për krimin mjedisor, duke e ashpërsuar Kodin Penal për veprimtarinë kriminale në fushën e mjedisit. Megjithatë, neni 205 i Kodit, të cilit i referohet “Prerja e paligjshme e pyjeve”, vijon të mbetet vepra me dënimin më të ulët, krahas dy dispozitave të tjera të Kreut për Krimit Mjedisor, ato të keqtrajtimit të kafshëve shtëpiake.
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, në dy vitet e fundit (2022-2023), referuar dy veprave penale: Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve, përkatësisht sipas nenit 206/a dhe 206/b, nuk pati asnjë të dënuar nga gjykata, ndonëse numri i procedimeve në këto dy vite së bashku me ato të mbartura arriti në 113.
Lidhur me dëmtimet e pyjeve për shkak të zjarreve, të dhënat e organeve ligjzbatuese tregojnë një efikasitet të ulët të veprimtarisë zbuluese dhe ndëshkuese. Kështu, gjatë periudhës së fundit, 4-vjeçare (2019-2023) u regjistruan rreth 1,500 zjarre në të gjithë territorin e vendit, duke përshkuar një sipërfaqe prej rreth 70,000 ha. Ndonëse shkaqet e këtyre zjarreve janë klasifikuar si të shkaktuara nga veprimtaria njerëzore, nuk ekziston ende asnjë i dënuar për zjarrvënie me qëllim shkatërrimin e pyjeve.
Gjatë vitit 2022, 65 zjarre u regjistruan brenda territoreve të zonave të mbrojtura. Numri i zjarreve ra në vitin 2023, por jo humbjet.
Peizazhi i Mbrojtur Pishë-Poro-Nartë mori zjarr fundshtatorin e shkuar brenda zonës së tij qendrore, duke djegur plotësisht 300 ha pishë të egër, ndërsa po aq sipërfaqe më shumë u përshkua pjesërisht. Helikopteri i vetëm zjarrfikës në dispozicion të Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen Civile ndodhej jashtë gatishmërisë. Forcat e ushtrisë, të mbështetura nga një numër zjarrfikësesh të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në nivel qarku, nuk arritën që ta fiknin. U desh ndërhyrja e Mekanizmit të Bashkimit Europian për Mbrojtjen Civile, që mundësoi ndërhyrjen nga Greqia të dy avionëve amfibë zjarrfikës, që vrulli i zjarrit të fashitej. Kërkimet treguan se nuk ekzistonte asnjë dokument apo projekt-plan për pastrimin e shtigjeve dhe rrugëve për parandalimin e zjarreve brenda parcelave pyjore, të hartuar nga administratat rajonale të zonave të mbrojtura. Nga rreth 1,500 ha gjithsej, vetëm gjysma shpëtoi pa u prekur nga zjarri.
Deri tani autoritetet nuk kanë miratuar asnjë program për rehabilitimin e pyllit të Pishë-Poros.
Faji është poshtë, thonë ata lart
Në janar ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Kumbaro, u takua në një sallë të mbyllur me “pronarët” e pyjeve: bashkiakët e gjashtëdhjetë e një bashkive të vendit, por i trajtoi si të ishin “përdoruesit”. Në një komunikim urdhërues, përgjatë një ore, ajo iu tërhoqi vërejtje për mungesën e planeve të menaxhimit dhe mungesën e investimeve në pyje.
“Pa këto plane nuk mund të prodhojmë ekonomi”, – iu drejtua bashkërisht të gjithëve, por pa dëgjuar mendimin e secilit prej tyre për gjendjen e pyjeve.
Në fakt, mungesa e planeve shoqërohet me mungesën e kontrollit. Shumica e bashkive nuk kanë struktura të mjaftueshme kontrolli, pasi madhësia e sipërfaqes pyjore në bazë, që kontrollohet nga inxhinierët, është shumë herë më e madhe se madhësia e sipërfaqes, që ligji iu cakton këtyre të fundit për të kontrolluar.
Në vitin 2016, kur sipërfaqet pyjore iu transferuan bashkive, këto të fundit nuk kishin fonde dhe kapacitete të mjaftueshme, njerëzore për ta përballuar këtë përgjegjësi të re.
Mbështetja prej qeverisë ishte lehtësim, veçanërisht në vitet e para, por kjo kujdestari po shihet sot edhe si pengesë, që dëmton ushtrimin e vullnetit të lirë të bashkove për t’i administruar burimet e tyre.
Bashkia e Fushë-Arrëzit i ndau sipërfaqet pyjore me Bashkinë e Pukës, por edhe pas kësaj ndarjeje ajo mbeti një bashki e pasur me pyje, me rreth 43,000 ha, nga të cilat 30,000 ha i ka pyje të larta.
“Ne kemi katërmbëdhjetë specialistë pyjesh, por na duhen edhe njëzet të tjerë”, – thotë kryetari i bashkisë, Hil Curri. Por, ai tregon se nuk ka mundësi financiare që t’i paguajë. Fushë-Arrëzi së bashku me Mirditën, Pukën, Tropojën dhe Dibrën formojnë grupin e bashkive veriore, që u kritikuan nga Kumbaro për mungesë investimesh në pyje.
Por, Fushë-Arrëzi, si dhe bashki të tjera, të pasura me pyje, konsiderohen të vogla, për shkak të kategorizimit sipas numrit të banorëve dhe jo sipas sipërfaqes pyjore. Strukturalisht, Bashkia e Fushë-Arrëzit ndan të njëjtin numër inspektorësh në sektorin e pyjeve, sikurse edhe një tjetër bashki e vogël, por që mund të mos ketë pyje.
“Qoftë Bashkia e Fushë-Arrëzit, qoftë Bashkia e Pukës, – thotë Hil Curri, kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit, – mund ta sigurojnë buxhetin e tri viteve brenda një viti, nëse do të na lejojnë që t`i shfrytëzojmë pyjet, por nuk mundemi për shkak të Moratoriumit”, – përfundon i dëshpëruar.
“Moratoriumi na pengon, që të marrim të ardhura të konsiderueshme edhe nga rrallimi i domosdoshëm apo nga pastrimi i parcelave”, – shpjegon ai.
Në janar, inxhinieri i pyjeve në Bashkinë e Fushë-Arrëzit, Pashuk Lulashi, denoncoi në llogarinë e tij në Facebook ndërhyrjen e paligjshme për hapjen e një shtegu pranë fshatit Lumardhë, në krahun lindor të malit të Krrabit, me pasojë prerjen e një sasie lëndore drusore.
Curri pranon se mundësitë për të kontrolluar pjesën më të madhe të territorit, që ai administron, janë të pakta. Ai sqaron se nga 400 km rrugë, që lidhib 32 fshatrat e Fushë Arrëzit mes tyre, ai mund të kontrollojë vetëm 90 km.
Të dhënat e siguruara përmes një kërkese për informacion në Bashkinë e Fushë-Arrëzit tregojnë se investimet në pyje kanë qenë dukshëm më të ulëta në raport me të ardhurat e siguruara prej shfrytëzimit të fondit pyjor (1 me 5); ndërkohë që për vitin 2023 portofoli i investimeve ishte zero (0) lekë.
Por, Bashkia e Fushë-Arrëzit nuk është e pasur vetëm me pyje. Në territorin e saj ndodhen tri fabrika uji; operojnë tri miniera dhe rreth dymbëdhjetë hidrocentrale (disa ende të pandërtuara), ndërkohë që të tjera kompani të prodhimit të energjisë së rinovueshme kanë shprehur interes për ndërtimin e turbinave të erës.
Mbi territorin e Fushë-Arrëzit kalojnë të katërta linjat kombëtare të interkoneksionit, të cilat përbëjnë sistemin e transmetimit të energjisë elektrike, çka favorizon edhe më shumë tërheqjen e investimeve në zonë.
Po atëherë, si shpjegohet varfëria e bashkisë në financa?
“Shpesh bashki me burime të bollshme priren të kenë rritje të ulët ekonomike”, – shpjegon Agron Haxhimali, ekspert i qeverisjes vendore dhe Drejtor E kzekutiv i Shoqatës së Bashkive. Ai vijon të parashtrojë arsyet e këtij paradoksi, ku përmend ndër të tjera kufizimet ligjore dhe institucionale nga lart, të cilat i vendosin bashkitë në pozita të pamundura për të gjeneruar të ardhura lokale. “Ndaj dhe shuma e përgjithshme, e vënë në dispozicion nga bashkitë për administrimin e pyjeve për vitin 2024, është një shifër e papërfillshme: 470,000 lekë”, – informon me keqardhje Haxhimali.
Mungesa e planeve të mbarështimit mbi ekonomitë pyjore të vendit është pasojë e drejtpërdrjetë e kësaj shpërfilljeje. Vetëm një në çdo tetë ekonomi pyjore ka plan mbarështimi. Pa këtë të fundit bashkitë nuk mund të planifikojnë asgjë.
“Mungesa e planeve të menaxhimit të pyjeve është shkaku parësor i degradimit të pyjeve tona”, – thotë eksperti i mjedisit, Abdulla Diku. “Pa një plan mbarështimi askush nuk e di mundësinë vjetore të shfrytëzimit, çka cenon, jo vetëm shëndetin, por dhe sigurinë e pyjeve në të ardhmen.
Përgjatë vitit pyjor 2019-2020, vetëm gjysma e bashkive bashkëpunuan me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për të bashkë-caktuar sasinë vjetore të shfrytëzimit. Për vitin 2020-2021, numri i bashkive aplikante u ul në 27 dhe u ul akoma më shumë (në 22) për vitin pyjor 2022-2023. Kjo do të thotë që pjesa tjetër e bashkive prenë kuturu.
A po shfrytëzojmë mbi mundësinë vjetore të rritjes?
Derisa askush nuk mund të provojë të kundërtën, gjithkush nuk mund ta përjashtojë më të keqen…
Kostumi i gjelbër i propagandës
“Nëse vazhdohet në këtë drejtim, pas disa vitesh nuk do të kemi pyje”, – thuhet në Dokumentin e Politikave për Pyjet në Shqipëri, 2019-2030.
Me publikimin e Inventarit Kombëtar të Pyjeve (2021), fillimisht u duk sikur ndryshoi diçka, por përfundimet e tij nuk i përmbushën pritshmëritë. Të dhënat e Inventarit janë të varfra, kontradiktore dhe të papërshtatshme. Agjencia Kombëtare e Pyjeve nuk iu shmang përgjigjes së një kërkese për informacion, kur pranoi mungesën e Kadastrës Kombëtare të Pyjeve, por ajo fajësoi bashkitë e vendit, për shkak se nuk i kishin dërguar informacionet e nevojshme për ngritjen e Kadastrës.
Viti i pyjeve po shfrytëzohet për t ë ndryshuar mendjet tona. “Dora e ngrohtë”, që mban një fidan të gjelbër në sfondin pastoral, përpara kamerave të komanduara synon të tregojë se qeveria punon mirë, Por, në rradhë të parë, ajo synon që të zhveshë nga përgjegjësia e të mos fajsojë askënd atje lart, atje ku peisazhi (qoftë dhe virtual) duhet që të mbetet përherë i gjelbër: në Tiranë.
Kemi mësuar që propaganda nuk shteron kurrë, ndaj përpjekjet për demaskimin e saj nuk duhet që të rreshtin, sa herë që ajo ngre kokë. Nuk mjafton që tëngrihemi vetëm për çështjen mjedisore, por të bashkojmë energjitë për t’i dhënë fund trushpëlarjes së gjelbër dhe agjendës së rreme, që ajo promovon në kurri të burimeve tona, natyrore.
/INA MEDIA