Është vënë në pikëpyetje ekstradimi nga Turqia drejt Shqipërisë i 31-vjeçarit Ibrahim Lici, një prej emrave më të njohur të botës së krimit në Shkodër.
Mediat raportojnë se Lici ka pajtuar një prej avokatëve më të njohur në Turqi dhe ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë të caktuar ndaj tij.
Ai akuzohet nga drejtësia shqiptare për veprën penale “Vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet si autor i vrasjes së Endri Mustafës në Shkodër më 15 maj të vitit 2021.
Policia njoftoi se ai ishte arrestuar në Turqi më 13 shkurt, në kuadër të operacionit të koduar “Jehonë”, por vëllai i tij, Hamza Lici reagoi duke përgënjeshtruar autoritetet policore shqiptare, duke deklaruar se 31-vjaçari nuk ishte arrestuar, por vetëdorëzuar për të kërkuar azil me pretendimin se jeta e tij është në rrezik nga bashkëpunimi i shtetit me bandat kriminale.
“Vëllai im nuk është arrestuar siç deklaroi me bujë policia e shtetit në Shqipëri por është vetëdorëzuar tek autoritetet turke me qëllim për të kërkuar azil pasi nuk ka besim tek shteti dhe qeveria shqiptare. Shteti në Shqipëri është vërtetuar se bashkëpunon me bandat kriminale ndaj Ibrahimi ka vendosur që të vetëdorëzohet në Turqi. Në Shqipëri vëllait tim i rrezikohet jeta dhe në këtë mënyrë ka vendosur që të vetëdorëzohet. Nuk është e vërtetë se është arrestuar por si gjithmonë policia kërkon që t’i bëjë të bujshme edhe pse nuk ka asgjë të vërtetë. Vëllai im është i pafajshëm pasi nuk ka kryer asnjë vrasje dhe kjo është e vërtetuar por drejtësia shqiptare nuk do që t’i marrë parasysh. Ibrahimi do të ndjekë procedurat e azilkërkuesit në Turqi dhe nuk mund të ekstradohet pasi në Shqipëri jeta e tij është në rrezik nga bashkëpunimi i shtetit me bandat kriminale”, deklaroi Hamza Lici nga Turqia.
Ibrahim Lici është djali i ish-këshilltarit të Bashkisë së Shkodrës, Mustafa Lici. Së fundmi ai ka qenë edhe subjekt i strukturës, Operacioni Forca e Ligjit.
Ibrahim Lici njihet si kundërshtari kryesor i Bajrave në Shkodër. Ai ishte në shënjestër të grupit të Bajrave për t’u ekzekutuar sipas dosjes Metamorfoza. Ndërsa Endri Mustafa njihej si pjesëtar i grupit të Bilalajve në Shkodër. Në familjet Lici dhe Bilali janë kryer një sërë vrasjesh. Në gusht 2018 u ekzekutua me breshëri kallashnikovi Fatbardh Lici, vëllai i Mustafa Licit.
Si u ekzekutua Endri Mustafa?
Endri Mustafa u ekzekutua në mënyrë makabre më 15 maj të vitit 2021. Mustafa, baba i tre fëmijëve, u gjet në afërsi të bregut të liqenit të Shkodrës, në një vend i njohur si zona e Livadheve. Ai ishte vrarë me 6 plumba, njëri prej të cilëve në pjesën e gojës, dy të tjerë në kokë dhe 3 në gjoks. Nga këqyrja e trupit dyshohet se fillimisht ai është dhunuar dhe më pas është qëlluar me armë zjarri. Trupi i pajetë u gjet tri ditë pas denoncimit të zhdukjes në mënyrë të mistershme të 31-vjeçarit.
Ndërsa organet e hetimit akuzojnë si autor të vrasjes Ibrahim Licin, bashkëshortja e viktimës tha një vit më parë se me këtë familje kishin marrëdhënie të mira dhe se nuk ishin ata që e kishin kryer vrasjen. Prapa hekurave për ngjarjen është Ergys Malja, i cili dyshohet se e çoi viktimën në vendin e ngjarjes.
Nga hetimet e Prokurorisë, rezulton se Malja ka qenë ai që ka çuar Endri Mustafën në zonën e quajtur Livadhe, duke pretenduar se atje kishte mbjellë rreth 150 rrënjë kanabis. Në këtë zonë, ka ndodhur edhe vrasja e tij dhe sipas dëshmisë paraprake, Lici ka ardhur me motor dhe e ka qëlluar për vdekje me armë zjarri. Atë natë, adoleshenti ka shkuar në shtëpi dhe vetëm të nesërmen, ka çuar Policinë në vendin ku ishte fshehur trupi i pajetë.
“Më 15 maj, solla në banesë një qengj të blerë në Postribë pasi ma kërkoi Endri Mustafa, i cili më dha fillimisht 40 mijë lekë të vjetra dhe më pas, rreth orës 19:00 më dha edhe 70 mijë lekë të tjera. Atë ditë kemi biseduar për punë hashashi, pasi i thashë se kisha mbjellë 150 rrënjë hashash ‘3-muajsh’ në Livadhe me dy shokë dhe doja t’i merrja. Endri më tha se do të më ndihmonte që t’i merrja t’i çonim në shtëpi për t’i tharë. Pas kësaj bisede, u nisëm për në shtëpi. Rreth orës 22:00, u nismë për në Libvadhe, pasi u takuam te shtëpia e Endrit, u nisëm në këmbë, duke kaluar rrugën e ‘Bypass’-it dhe u kthyem djathtas për të dalë në vendin e quajtur ‘Gropa e ekskavatorit’, ku kisha hashashin. Aty na doli përpara Ibrahim Lici me armë në dorë, duke qëlluar direkt mbi Endrin. Ai u shtri në tokë, duke i thënë: ‘aman mos më vrit pasha Zotin se kam fëmijë’. Ai e ka qëlluar përsëri edhe në fytyrë, duke i thënë ‘qofsh i xhenetit’. Pas kësaj, Ibrahim Lici është larguar me motor nga vendi i ngjarjes”, ka dëshmuar ai.
Sipas policisë, Lici dyshohej dhe si autori kryesor i atentatit ndaj vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, ngjarje kjo e ndodhur në datën 30 mars të 2019. Ata u ekzekutuan në portën e shtëpisë me breshëri kallashnikovi dhe ngjarja u hetua si përplasje mes bandave rivale në Shkodër. Astrit Bilali, i cili mbetur i vdekur së bashku me të vëllanë e tij me 30 mars 2019, është babai i Astmer Bilali, ish kampionit boksit i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër.
Astriti ishte biznesmen i njohur në Shkodër dhe në qytet ai identifikohej për pasionin e tij për kuajt së bashku me vëllain Brahimin, i cili ishte kryetar i shoqatës “2 prilli”. Viktima e vitit 2021 në Shkodër, Endri Mustafa ka qenë shok me Astmer Bilalin, ndërsa emrat e tyre dalin bashkë në disa ngjarje kriminale.
Si nisen përplasjet mes fiseve Lici dhe Bajri
Krimi është vijim i përplasjeve mes dy grupeve Lici dhe Bajri në Shkodër, përplasje që ka regjistruar disa viktima. Gjithçka dyshohet se ka nisur që prej atentatit në janar të 2018 ndaj biznesmenit Lulzim Kulla.
Shpërthimi i telekomanduar shkaktoi tetë persona të plagosur, mes të cilëve dhe Kulla. Më 18 qershor, u vra në servisin e tij teksa po riparonte brava makinash shtetasi Mehdi Kavaja, vrasje e dyshuar për hakmarrje. Ende ajo ngjarje është pa autor, ndërsa riparuesi i bravave u qëllua me plumb në kokë, duke mbetur i vdekur në vend.
Më 15 korrik të vitit të 2018, poshtë banesës që kishin me qira ekzekutohen çifti Boran Bërçana dhe Silvi Ndoci, ndërsa bashkë me ata në makinë ndodhej edhe një fëmijë 3 vjeç, që u shpëtoi mrekullisht plumbave.
Ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje me grupin Bajri që aktualisht janë të arrestuar dhe po ashtu ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje në atentatin ndaj Lul Kullës në janarin e 2018-ës dhe vrasja dyshohet se është kryer nga fisi Lici në Shkodër, që kanë lidhje me Lul Kullën, duke qenë se është dhëndri i tyre.
Më 10 gusht të 2018-ës vritet Fatbardh Lici, pjesëtar i familjes Lici, vëllai i të fortit Sokol Lici dhe ish-anëtarit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Mustaf Lici. Kjo vrasje dyshohet se erdhi si hakmarrje nga fisi Bajri pas vrasjes së ish-policit Bërcana.
Më 23 gusht zhduken shtetasit Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, nip dhe dajë, dhe ende sot nuk janë gjetur. Këta dy shtetas dyshohet se kishin lidhje me fisin Lici, ndërsa mendohet se pasi janë zhdukur, janë vrarë.
Pa kaluar shumë ditë, vjen vrasja e Arjan Ferracakut, i cili u qëllua teksa ndodhej me kalin e tij në zonën e Livadheve, më 1 shtator të vitit të 2018. Arjan Ferracaku, pak minuta para se të vritej, kishte komunikuar me Astrit Bilalin dhe ky i fundit e kishte thirrur që të dalë me kalë, pasi Astriti do shoqëronte disa turistë nga Kosova në Liqenin e Shkodrës.
Më 14 nëntor vritet Fatos Ferracaku, kushëri i Arjan Ferracakut. Fatos Ferracaku u vra në mes të ditës, teksa po shiste peshk në lagjen “Rus”. Më 20 mars ndodh një tjetër vrasje, teksa ekzekutohet me 20 plumba Ferdinand Polia, por që është një vrasje që është zbardhur nga Policia dhe nuk ekziston asnjë lidhje me përplasjet e grupeve Bajri-Lici, por me disa ngjarje të ndodhura në Itali, ku viktima ka qenë pjesë e një grupi kriminal atje, 9 vite më parë.
Në shtator të 2019, pas fillimit të serisë së krimeve, policia ndërhyri duke arrestuar anëtarët e dyshuar të grupit kriminal “Bajri”. 12 persona u vunë në pranga në Shqipëri, Hollandë, Belgjikë e Spanjë, përfshirë dhe Astmer Bilalin.
Arrestimi si pjesë e bandës së gjobëvënësve
Ibrahim Lici ka një histori të gjatë përplasjesh dhe njihet nga policia. Ai ka qenë i arrestuar së bashku me vëllanë e tij, Muhamed Lici, në mars të 2017 pasi drejtonin një grup kriminal që u vendosnin gjoba tregtarëve të Zdrales në Shkodër.