Në njëvjetorin e vrasjes së Agim Arapit në Durrës, vrasësit janë ende të lirë! Bashkëshortja e tij, Vjollca, dëshmitare okulare, tregoi për “Fiks Fare” se gjatë këtij viti janë bërë hetime dhe gjykime, por autorët e vërtetë janë jashtë hekurave të burgut. Dhe, sipas saj, gjithçka ka qenë e stisur, pasi prokurorët dhe gjyqtarët kanë marrë lekë.
Vjollca kërkon me forcë burgosjen e shtetasit Jurgen Kurti, për të cilin thotë se “është përgjegjës për dy vrasje, burrit tim dhe babait të tij”. Fiksi transmetoi edhe pamjet filmike të momentit të vrasjet, ku duket se në vendngjarje është edhe Jurgen Kurti. Por, pas ngjarjes së 11 prillit 2017, Jurgen Kurti u shoqërua nga policia dhe më pas u la i lirë, ndërkohë, dy të akuzuarit e tjerë, Kujtim dhe Konstandin Ekonomi u arrestuan. Kostandini u shpall i pafajshëm, ndërsa Kujtimi u dënua me 5 vite burg për vrasje nga pakujdesia.
“Janë hedhur miliona lekë”
Vjollca Arapi thotë që gjykata nuk ka marrë parasysh si provë pamjet filmike që ajo ka dorëzuar. “Vritet me qepena të mbyllur dhe thonë që është vrasje nga pakujdesia. Dëshmia ime nuk u mor parasysh. Kishte dëshmi të rreme që i leverdiste edhe prokurorit edhe gjyqtarit. Kamerat e faktojnë një gjë të tillë. Në vrasje kanë marrë pjesë tre kriminelë. Pasi e vranë burrin tim, shkonin dhe e kontrollonin nëse vdiq apo është gjallë. Nuk kam besim te drejtësia” vijon Vjollca. Ajo thotë se i ka dërguar letër edhe prokurores së Përgjithshme në detyrë, Arta Markut.
“Kam mbyllur aktivitetin dhe jetoj me frikë. 30 minuta përpara ngjarjes, burri im vjen në dyqan. Më thotë se kishe bërë llafe me Jurgen Kurtin, që është dhëndër i Kostandin Ekonomit. Jurgen Kurti ka vrarë edhe babain e vet në 9 prill 2016 dhe dënimin e mori daja. Këtë procedurë e nxori edhe te Kostandin Ekonomi që mori pafajësinë” thotë Vjollca, ndërsa beson se te kjo çështje janë hedhur milona lekë. “Kanë paguar prokurorin, gjyqtarin. Kam shumë prova. Pas tre muajsh që Kostandin Ekonomi vrau burrin tim, del nga burgu i pafajshëm. Nuk ka mundësi që të mbyllësh qepenin dhe të thuash vrasje nga pakujdesia. Edhe sikur te dhunohej një banesë, dënohesh. Jo që të vrasësh. Kam kërkuar pushimin e vendimit të Kostandin Ekonomit me çfarë motivi e ka nxjerrë ky prokuror dhe i dha pafajësinë. Kjo është prova më e madhe. Se s’ka mundësi t’i japë pushim vendimi atij, unë s’kam marrë akoma vendim pushimi” tregon Vjollca. Më tej shton se kur iu vra burri, nga hetimet doli se vrasje ishte bërë me mjete të forta dhe prerëse. Por më pas dolën dy epikriza, ku në njërën prej tyre, doli që vdekja ishte bërë në spital. Ndërkohë, në raportin tjetër rezulton se bashkëshorti im ka vdekur nga zemra. “Burri im po të kishte vdekur nga zemra do kishte vdekur aty, por ai vdiq në spital pas 30 minutash. Unë kam punuar vetë në spital dhe e di si mbyllen gjërat. Mjekësia i mbyll gjërat 7 pash nën dhe” thotë Vjollca.
Kamerat e sigurisë; Jurgen Kurti në vendngjarje!
Fiks Fare transmetoi edhe pamjet e tre kamerave të sigurisë, të instaluara në disa biznese në Durrës. Këto pamje i solli zonja Vjollca Arapi. Në këto pamje duket se në vendngjarje janë tre persona; Jurgen Kurti dhe Kujtim dhe Konstandin Ekonomi. Në këto regjistrime duket qartë se Jurgen Kurti ka pasur një rol aktiv. Ai ka qenë gjatë gjithë kohës në vendngjarje. Ka lëvizur shpesh te dyqani i viktimës. Madje, ka hyrë edhe brenda lokalit. Në pamjet duket edhe bashkëshortja e viktimës, e cila me duart në kokë lëviz me shpejtësi. Por, ashtu siç e tha edhe denoncuesja, Gjykata e Durrës dënoi vetëm Kujtim Ekonomin me 5 vite burg./ TCh