“Të nderuar drejtues të agjencive turistike, drejtues të tureve kulturore dhe palë të tjera të interesuara, ju bëjmë me dije se: Në kuadër të zbatimit të projektit “Restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi i Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë”, Muzeu Historik Kombëtar do të jetë i mbyllur për vizitorët për periudhën 15 Mars 2024 deri më datë 15 Mars 2028” – thuhej në një njoftim në faqen zyrtare të Muzeut Historik Kombëtar në Facebook.
Por çfarë ndodhi 24 orë më pas. Postimi u fshi nga faqja e Facebook ku ishte publikuar. Nga një verifikim u vu re se ai nuk gjendet më online.
Njoftimi shkaktoi mjaft reagime dhe u prit me habi se si do t’i vihej dryni për një kohë kaq të gjatë një prej aseteve më të rëndësishme kulturore në vend dhe një nga më të vizituarit nga turistët vendas dhe të huaj. Muzeu Historik Kombëtar i Tiranës mbajti vendin e dytë për vizitorë në 2023 (pas atij të Krujës) me 99 796 vizitorë. Pavarësisht renditjes në vend të dytë ai pësoi një rritje prej 218% në raport me shifrat e vitit 2022.
Ashtu si në momentin e postimit edhe në rastin e fshirjes nuk u dha asnjë shpjegim shtesë. Kanë heshtur dhe drejtuesit e muzeut. Prej majit të vitit të kaluar ky institucion nuk ka as drejtor pasi ish-ministrja Elva Margariti firmosi largimin e Dorian Koçit dhe vendosi zëvendësimin e tij përkohësisht me Entela Çipën. U tha se ishte hapur një garë për drejtuesin e ri, por po mbushet një vit dhe ende nuk është gjetur një drejtor.
Nuk ka dhënë asnjë shpjegim as nga ministria e Kulturës që tashmë drejtohet nga Blendi Gonxhe që ka edhe dikasterin e Ekonomisë dhe të Inovacionit.
Të parat që shprehën hapur kundërshtinë ishin agjencitë turistike. Ato thanë se njoftimi i ka zënë në befasi pasi muzeu ka qenë prej kohësh pjesë e tureve të prenotuara të turistëve të huaj. Në media flitet për një projekt rinovimi dhe rikonceptimi të pavioneve. Ndërhyrja parashikon disa faza si dhe afatet që do ketë secila prej tyre. Paketimi dhe evakuimi i objekteve do të zgjasë 4 muaj, konsolidimi i strukturës ekzistuese do zgjasë 1 vit. Restaurimi i fasadës prej guri të oborrit të jashtëm dhe të brendshëm dhe dritareve/dyerve do të zgjasë 9 muaj, riparimi i çatisë do të kërkojë 5 muaj të tjerë. Më pas do të punohet për eficioencën e energjisë dhe për rivendosjen e objekteve./Lapsi.al