Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi kalimin në seancë publike të çështjes ndaj ish-prokurores Antoneta Sevdari. Vendimi për të shqyrtuar kërkesën për rishikimin u mor pas kërkesës së Sevdarit dhe vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, GJEDNJ, që e gjeti shkarkimin e saj jo proporcional.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të hënën të kalojë në seancë publike shqyrtimin e kërkesës për rishikim vendimit në çështjen ndaj ish-prokurores Antoneta Sevdari.
“Gjatë kësaj séance në dhomë këshillimi, trupi gjykues vendosi kalimin e shqyrtimit të çështjes në seancë gjyqësore publike me praninë e kërkueses znj. Antoneta Sevdari dhe Institucionit të Komisionerëve Publikë, ditën e hënë, në datën 11.03. 2024, ora 10:00”, thuhet në njoftimin e Kolegjit, për vendimin e marrë në dhomë këshillimi, nga trupa me kryesuese Natasha Mulaj, me relator Sokol Çomon dhe anëtarë Albana Shtylla, Ina Rama dhe Rezarta Schuetz.
Sipas njoftimit Kolegji synon të garantojë “një proces të rregullt ligjor” dhe ka për qëllim t’i japë “mundësinë Institucionit të Komisionerëve Publikë dhe kërkueses, znj. Antoneta Sevdari, të dëgjohen dhe të mbajnë qëndrimet e tyre lidhur me kërkesën për rishikimin e vendimit të Kolegjit (JR) nr. 6, datë 28.02.2019”.
Kërkesa e Sevdarit për rishikim erdhi pasi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, GJEDNJ gjeti shkelje të nenit 8 të Konventës në rastin e shkarkimit të saj nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Gjykata vuri në dukje se vendimi i shkarkimit ishte “disproporcional”, por theksoi gjithashtu se rasti i Sevdarit duhet të konsiderohet përjashtimor dhe se nuk shërben për të hedhur poshtë në tërësi procesin e vetingut në Shqipëri.
Po ashtu, GJEDNJ rekomandoi se mënyra e duhur për rivënien në vend të drejtësisë në rastin e Sevdarit është rihapja e procesit në rrugët e brendshme.
Sevdari u shkarkua nga KPA në shkurt 2019 me një vendim kontravers, që u kritikua ashpër nga vëzhguesit ndërkombëtar dhe më pas u gjet joproporcional edhe në GJEDNJ.
Nga trupas që votoi në favor të shkarkimit të saj, gjyqtarët Çomo dhe Schuetz janë pjesë e trupës që do të shqyrtojë kërkesën për rishikim të vendimit. Nga gjyqtarët që votuan në favor të shkarkimit Luan Daci u gjet fajtor me vendim përfundimtar për falsifikim të dokumenteve gjatë aplikimit për pozicionin në KPA dhe është shkarkuar nga detyra. Ndërkohë gjyqtari Ardian Hajdari është pezulluar, ndërsa u gjet fajtor pak kohë më parë për fshehje pasurie nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë.
Pjesë e trupës është edhe Ina Rama, e cila në pakicë kundërshtoi vendimin e shkarkimit si të padrejtë.
Në kërkesën për rishikim, Sevdari argumenton se kërkesën e ka paraqitur në KPA, pasi është ky atoritet që e ka shqyrtuar çështjen në themel dhe ka dhënë vendimin, sipas të drejtës së brendshme. Nisur nga fakti se KPA është një nga Kolegjet e Gjykatës Kushtetuese, Sevdari vëren se kërkimi i saj mund të rishqyrtohet edhe bazuar në parashikimet e nenit 71/c të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”./BIRN