Shërbimi burgjeve ruse tha se udhëheqësi i burgosur i opozitës ruse Alexei Navalny, vdiq të premten në rajonin Yamalo-Nenets.
Në një deklaratë të publikuar në faqen e tij të internetit, Shërbimi Federal i Qarkut Autonom të Yamalo-Nenets tha se Navalny “u ndje keq” gjatë një shëtitje të premten, “humbi vetëdijen” dhe shumë shpejt vdiq.
Në njoftim thuhet se personeli mjekësor nuk arriti të ndihmojë Navalny, ndërsa po punohet për të mësuar shkakun e vdekjes. Navalny ishte zhvendosur në muajin dhjetor në një burg në një rajon të Arktikut në pjesën veriore të Rusisë.
Ai u arrestua në janar të vitit 2021 pasi u kthye në Moskë nga Gjermania ku po kurohej pas helmimit me agjent nervor, për të cilin fajësoi Kremlinin.
Ndërsa po vuante një dënim prej nëntë vitesh heqje lirie, në gusht të vitit të kaluar u dënua me 19 vjet burg nën akuzat për ekstremizëm.
Navalny është armiku më i ashpër i Presidentit Vladimir Putin, ka ekspozuar korrupsionin zyrtar dhe ka organizuar protesta të mëdha kundër Kremlinit.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Presidenti rus Putin është njoftuar për vdekjen e Navalny dhe se shërbimet e burgjeve do të hetojnë për vdekjen e tij në përputhje me procedurat standarde.
Vetëm disa orë pas njoftimit të vdekjes tij, bashkëshortja e Navalny, Yulia, pjesëmarrëse në Konferencën për Sigurinë në Mynih, foli para të pranishmëve. Ajo tha se kishte menduar ta anulonte pjesëmarrjen.
“Por pastaj mendova se çfarë do të bënte Alexei po të ishte në vendin tim. Dhe jam e sigurt se do të qëndronte këtu,” tha ajo, duke shtuar se nuk e dinte nëse u duhej besuar lajmeve që vijnë nga burime zyrtare ruse.
“Por nëse është i vërtetë lajmi, dua që Putini dhe të gjithë rreth Putinit, miqtë e Putinit, qeveria e tij ta dinë se mbajnë përgjegjësi për atë që i kanë bërë vendit tonë, familjes time dhe bashkëshortit tim. Dhe kjo ditë do të vijë shumë shpejt,” deklaroi ajo.
Zëdhënësja e Navalny, Kira Yarmysh njoftoi përmes një postimi në platformën X se ekipi i tij nuk kishte konfirmim për vdekjen e tij dhe se avokati i Navalny ishte rrugës për në qytetin ku ai po mbahej.
Navalny u burgos në janar të vitit 2021, kur u kthye në Moskë pas trajtimit në Gjermani nga helmimi me një agjent nervor, për të cilin ai fajësoi Kremlinin. Para arrestimit të tij, ai kishte zhvilluar fushatë kundër korrupsionit zyrtar dhe organizuar protesta kundër Kremlinit, si dhe kishte vënë kandidaturën për president.
Ai është dënuar tre herë me burg, të cilat i ka hedhur poshtë si të motivuara politikisht.
Pak orë para vdekjes, Navalny ishte paraqitur në gjykatë, ku shihet duke u ngritur në këmbë, duke qeshur dhe bërë shaka. Këto janë pamjet e tij të fundit, të xhiruara një ditë më herët, gjatë një video lidhje në gjykatën e qytetit Kovrov, nga burgu i sigurisë së lartë në Kharp, ku po vuante dënimin.
Në Rusinë e Putin, kundërshtarët politikë janë përndjekur vazhdimisht nga qeveria, disa janë detyruar të iknin jashtë vendit, pasi janë arrestuar, për të tjerë ka dyshime se janë helmuar, po ashtu ata shpesh janë dobësuar për shkak të përçarjeve brenda tyre, Por Navalny u bë një zë gjithnjë e më i fuqishëm, përmes kurajës, guximit dhe shfrytëzimit me mjeshtëri të fuqisë së rrjeteve sociale në kushtet kur shtypi i pavarur në Rusi është eliminuar nga Kremlini.
Vdekja e tij ngjalli reagime të menjëhershme.
Nën Presidentja amerikane Kamala Harris, nga Konferenca e Sigurisë në Mynih, tha se Shtetet e Bashkuara po punojnë për të konfirmuar vdekjen e Navanly dhe shtoi se vdekja e tij është edhe një shembull i brutalitetit të Presidentit rus Vladimir Putin.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken bëri përgjegjës Putin për vdekjen e kundërshtarit të tij politik.
“Për më shumë se një dekadë, qeveria ruse, Putini, ka përndjekur, helmuar dhe burgosur Alexei Navalnyn… Nëse këto raporte janë të sakta, ngushëllojmë bashkëshorten dhe familjen e tij. Vdekja e tij në një burg rus dhe fiksimi dhe frika e Putinit nga një njeri vetëm, nënvizon dobësinë dhe kalbjen e sistemit të ndërtuar nga Putini. Rusia është përgjegjëse për këtë dhe do të flasim edhe me shumë shtete tjera për Alexei Navalnyn, sidomos nëse këto informacione dalin të sakta,” deklaroi Blinken.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se Rusia duhet t’i përgjigjet pyetjeve serioze rreth vdekjes së Navalny.
“Jam thellësisht i mërzitur dhe i shqetësuar me lajmet që vijnë nga Rusia se Alexei Navalny ka vdekur. Duhet të zbardhen të gjitha faktet. Rusia duhet t’iu përgjigjet pyetjeve serioze. Alexei Navalny ishte një zë i fuqishëm për liri, për demokraci për shumë vite. NATO dhe aleatët e NATO-s kanë bërë thirrje për lirimin e tij për një kohë të gjatë. Sot, ngushëlloj familjen dhe të dashurit e tij. Dhe vazhdojmë të jemi të angazhuar për të përkrahur të gjithë ata që besojnë në demokraci dhe liri siç besonte për shumë vite Alexei Navalny,” deklaroi ai.
/VOA/