Emisioni “Stop” ka shkuar në lagjen Kushtrimi, në Vlorë, për denoncimin e zotit Klajdi Shaipi, i cili tregon se babai i ka ndërruar jetë në 11 nëntor 2023. Prej asaj kohe Klajdi nuk ka mundur ta çregjistrojë të atin e ndjerë, pasi skedën e vdekjes bashkë me dokumentet e tjera e certifikatat e pronësisë ia ka vjedhur xhaxhai.
Ky i fundit as nuk ia jep djalit ato e as nuk shkon ta çregjistrojë të vëllain. Ky konflikt është çuar edhe në polici, ku xhaxhai ka pranuar që ka marrë skedën e vdekjes dhe nuk pranon t’ia japë nipit.
Klajdi Shaipi: Kur vdiq babai na morën në telefon. Erdhëm në Greqi, xhaxhai kishte ardhur më përpara. Sa erdhëm ne xhaxhai i kishte marrë ato letra, i kishte futur lart, ku jetonte babai në kat të tretë dhe na i kishte marrë. Kur vajtëm ne, ai tha që nuk i kishte marrë. Pasi i bëri ato, mori disa gjëra nga shtëpia; ka vjedhur derë alumini, ka vjedhur pompën, rakinë, nuk kishte turp për vëllain e vet.
Gazetarja: Kur thoni letrat, çfarë letrash konkretisht ka marrë?
Klajdi Shaipi: Letrat e tokës, letrat e shtëpisë që banojmë këtu, letrat e çregjistrimit…
Gazetarja: Kartelën e vdekjes?
Klajdi Shaipi: Edhe atë e ka marrë, të gjitha i ka marrë.
Gazetarja: Po nga e dini që i ka marrë ai të gjitha këto?
Klajdi Shaipi: I deklaroi në polici ai që i ka marrë letrat.
Gazetarja: I bëtë denoncim juve?
Klajdi Shaipi: Po.
Gazetarja: E çfarë thotë në momentin, pasi e ka pranuar në polici, çfarë thotë?
Klajdi Shaipi: Që nuk ka besim tek unë t’i lë letrat. Do i lë në shtet, kështu tha.
Në gjendjen civile nr. 4 na u konfirmua nga punonjësja e Gjendjes Civile, se i ndjeri Hasan Shaipi, rezulton i gjallë dhe kryefamiljar. Sipas saj, është detyrim çregjistrimi, për më tepër, që kanë kaluar më shumë se dy muaj nga vdekja. Për këtë problem takojmë Bajram Shaipin, vëllain e të ndjerit, xhaxhain e denoncuesit. Ai refuzon të jap shpjegime, se përse nuk ia jep nipit skedën e vdekjes, apo pse nuk e ka çregjistruar vëllain e ndjerë.
Gazetarja: Zoti Bajram, në “Stop” është drejtuar djali i vëllait tuaj të ndjerë, zotit Shaipi. Tani ai thotë që ju keni dokumentet pronave, kartelën e vdekjes të babait të tij, të vëllait tuaj. Ju e keni pranuar këtë në Policinë e Vlorës, përse nuk ia jepni letrat?
Bajram Shaipin: Për këtë ke ardhur ti? S’t’jap përgjigje ty unë.
Gazetarja: Pse?
Bajram Shaipin: S’kam dokumente, kush tha që kam dokumente.
Gazetarja: Me çfarë të drejte mbani kartelën e vdekjes së zotërisë?
Bajram Shaipin: Kush tha?
Gazetarja: E keni pranuar në polici.
Bajram Shaipin: Po mirë e kam pranuar se s’kam vajtur akoma, kur të vete unë do ta ashtu.
Gazetarja: Kur do shkosh?
Bajram Shaipin: Kur të shkoj unë, e di unë kur do shkoj.
Gazetarja: Sot vëllain që ka vdekur, e ke akoma gjallë në Gjendjen Civile.
Bajram Shaipin: E di shumë mirë.
Gazetarja: Po pra, këtë po flasim! Pse?
Bajram Shaipin: Se nuk kam pasur kohë të vete.
Gazetarja: Po përse nuk ia jep djalit?
Bajram Shaipin: Jo djalit s’ia jap unë, ashtu kemi mosmarrëveshjet. Janë muhabete të brendshme.
Në këto kushte, i kërkuam mjekut ligjor në Vlorë, që të lëshojë një dublikatë të vdekjes, në mënyrë që djali të bëjë çregjistrimin e më pas hapat e mëtejshëm për çelje trashëgime dhe kalimin e pasurive në emër të tij.