Nga Boldnews.al
Artur Lusha, një 32-vjeçar nga Kamza, ka qëndruar 6 muaj padrejtësisht në paraburgim, para se çështja ndaj tij të pushohet për shkak se prokurorja Alketa Zifla ka “harruar” të kryejë veprimet hetimore.
“Boldnews.al” ka siguruar vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila ka vendosur pushimin e çështjes për Lushën, i arrestuar si i dyshuar për “Dhunë në familje”.
Në dosjen gjyqësore, rezulton se prokurorja e çështje, Alketa Zifla nuk ka kryer asnjë veprim hetimor për të dyshuarin për 6 muaj. Për më tepër, nuk ka vendosur as zgjatjen e afateve të hetimit, të cilat janë 3-mujore.
Në këtë mënyrë, prokurorja Zifla, e cila sot është Shefe e Kabinetit dhe krahu i djathtë i Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku, rezulton të ketë mbajtur pa ligj dhe në shkelje të plotë të procedurës nën arrest një person, pa kryer hetime.
Zifla duket se është në gjurmët e shefes së saj aktuale, Arta Marku, e cila është kallëzuar në vitin 2008 nga ministri i Drejtësisë në atë kohë, Enkelejd Alibeaj. Marku kishte “harruar” në paraburgim një shtetas për dy muaj. Ndërsa vartësja e sotme, Alketa Zifla, e ka “harruar” më shumë të dyshuarin Lusha, për plot 6 muaj.
Artur Lusha u arrestua në 26 gusht 2017, si i dyshuar për veprën penale të “Dhunës në familje”. Bashkëshortja e tij kishte bërë kallëzim penal në Komisariatin e Policisë nr. 5, e cila e referoi rastin në Prokurorinë e Tiranës. Shorti zgjodhi si prokurore Alketa Ziflan.
Prokurorja Zifla, në bazë të deklarimeve të dhëna në polici nga bashkëshortja e të dyshuarit, kërkoi në gjykatë caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Gjykata e Tiranës, më dt. 29.08.2017, e pranoi kërkesën për arrest dhe tashmë ishte detyrë e prokurores që të siguronte provat për pretendimin e të dhunuarës.
Por, pas miratimit të masës së sigurisë, rezulton se prokurorja Alketa Zifla nuk ka kryer asnjë veprim hetimor. Në Dhjetor 2017, kur Lusha kishte mbi 5 muaj që qëndronte në paraburgim, Alketa Zifla transferohet nga prokurore e Prokurorisë së Tiranës, në pozicionin e Shefes së Kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm.
Në dosje hetimore rezulton një vendim i Policisë Gjyqësore, për kryerjen e aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, marrë që ditën e arrestimin nga Policia. Por, rezulton që e dëmtuara nuk është paraqitur për kryerjen e aktit para mjekësisë ligjore. Pra, në dosje e Prokurorisë, nuk rezulton as akti i ekspertimit, për të provuar se është kryer vepra penale e Dhunës në Familje.
Dosjet që kishte nën hetim iu dhanë një tjetër prokurori. Ky i fundit, konstatoi se dosja në ngarkim të Artur Lusha nuk kishte asnjë veprim hetimor. Gjithashtu, prokurori konstatoi se prokurorja Zifla nuk kishte vendosur shtyrjen e afatit 3-mujor të hetimeve, të cilat përfundonin në muajin nëntor 2017. Në bazë të Kodit të Procedurës Penale, çdo veprim hetimor i kryer përtej afateve ligjore, konsiderohet nul.
Në këto kushte, kur dosja nuk kishte asnjë hetim dhe kur u konstatua se prokurorja e parë e kësaj çështjeje, Alketa Zifla, nuk kishte zgjatur afatin hetimor, prokurori që mori dosjen nuk mund të kryente më asnjë veprim procedurial, për shkak se e kishte të ndaluar ligjërisht.
Në bazë të nenit 324/1 të Kodit të Procedurës Penale “…Kryerja e veprimeve të mëtejshme hetimore që kanë të bëjnë me provat pas mbarimit të afatit hetimor, i bën ato të papërdorshme…”
Për këto arsye, prokurori i dytë iu drejtua gjykatës me kërkesën për pushimin e hetimit dhe lirimin e të dyshuarit nga paraburgimi, ku gjendej prej 6 muajsh. Kërkesa e prokurorit u pranua nga Gjykata e Tiranës, e cila argumenton edhe mungesën e plotë të hetimeve nga prokurorja Alketa Zifla.
Në vendimin nr. 1042, dt. 01.03.2018, gjykata e Tiranës, konstaton se: “…Kriteri përcaktues për të patur përgjegjësinë penale për kryerjen e veprës penale të sipërcituar (Dhunë në familje) është fakti që subjekti duhet ta ketë kryer atë,… por fashikulli hetimor nuk përmban asnjë provë në funksion të këtij argument…”.
Pra, rezulton se Alketa Zifla, njeriu më i afërt i Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, ka mbajtur në burg një person, pa asnjë provë dhe fakt.