Të mbledhur rreth një tavoline në qendër të fshatit Kuç, një grup ekspertësh të mjedisit dëgjuan për disa orë shqetësimet e banorëve mbi ujësjellësin që do ju marrë ujin.
I njëjti grup shkencëtarësh që pa gërryerjen e pyllit dhe shtrimin e tubave, u takua një ditë më pas zv. Ministren e Mjedisit, për t’i argumentuar rreziqet që i kanosen zonës së mbrojtur.
“Pasojat ekologjike të nxjerrjes së ujit mund të çojnë në zhdukjen totale të specieve”, deklaroi “Riverwatch”, një organizatë europiane në mbrojtje të lumenjve.
Po ashtu ata i bënë thirrje Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit që “të ndalojë menjëherë ndërtimin, të bëjë një Vlerësim të plotë të Ndikimit Mjedisor dhe Social dhe të eksplorojë burimet alternative të ujit të pijshëm për bregdetin”.
Së bashku me banorët dhe ekspertët e “Save the Blue Heart”, Citizens Channel vizitoi burimin e Lëpushës nga ku do të merret uji për t’u dërguar në ujësjellësin e Himarës. Punimet kanë nisur dhe po avancojnë më shpejtësi. Burimi ujit nuk rrjedh më i lirë, gërryerjet për të devijuar shtratin kanë nisur të jepnin efektet e para edhe në peizazh.
Uji i Lëpushës do të futet në një rrjet tubash prej 20 kilometër, për të furnizuar zonat turistike në bregdet.
“Do të ngelim pa ujë, kjo buronjë që e mbajmë mend gjithë jetën kështu, që është dhe zonë e mbrotjur s’do jetë më”, thotë njëri prej banorëve i keqardhur teksa zbresim afër burimit të Lëpushës.
Pas Drinosit, Shushica është degëzimi i dytë kryesor i lumit Vjosa, i fundit lum i egër në Evropë.
Kujtojmë se në mars të 2023, qeveria pas shumë përpjekjesh të organizatave vendase e të huaja dhe rezistencës së komunitetit, shpalli në mënyrë ceremoniale Parkun Kombëtar të Vjosës.
Shpallja u duk sikur e shpëtoi Vjosën nga hidrocentralet, vetëm për ta përballur me një kërcënim të ri, tharjen e burimeve nga ujësjellësi i Himarës.
Kjo për banorët është “një tentativë për shpopullim”. “Ne po duan të na lënë pa të ardhme, të ikim në e të vijnë investitorët”, tha një banor tjetër teksa.
Ekspertët shprehen se ka ekzistuar mundësia për burime alternative “por kjo ka qenë rruga më e thjeshtë”.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, pasi mbajti një fjalim poetik mbi Vjosën duke e cilësuar “mbretëreshën e lumenjve evropianë” tha se plot 12.727 hektarë janë shpallur zonë e mbrojtur.
“Së bashku me degët e lumit Vjosë, konkretisht lumi Drino, lumi Bënçë, dhe lumi i Shushicës, bëjnë atë që quhet sot parku i parë në Evropë i një lumi të egër siç është lumi Vjosa”, deklaroi Kumbaro në 2023, por sot në vend të mbrojtjes, në lumin Shushica kanë zbarkuar makineritë të cilat po gërryejnë tokën e po ndërtojnë tubat që do t’ia marrin ujin një prej degëzimeve kryesore të Vjosës.
Punimet po avancojnë më shpejtësi, në një kohë kur plani i menaxhimit të Vjosës Park Kombëtar nuk është miratuar ende. Që prej verës së 2023, banorët e zonës kanë kundërshtuar projektin dhe kanë mbajtur disa protesta, duke denoncuar se janë mbajtur jashtë konsultimeve pulblike për projektin.
Mitat Balili, banor i fshatit Kuç na tregoi se është njohur me projektin vetëm kur nisën punimet në terren. “Kjo që po na ndodh neve nuk quhet problem por quhet një krim”, thotë Mitati teksa shton se kjo prek jo vetëm fshatin Kuç por plot 30 fshatra.
“Heqja e ujit dhe ndryshimi i rrjedhës së ujit të Shushicës nga Kuçi është një shkatërrim”, thotë Mitati teksa e ka shumë të rëndësishme të sqarojë se kjo nuk është një “luftë mes nesh dhe Himarës, por ka burime të tjera ku ta marrin uji, s’kanë pse vijnë deri këtu”.
“Neve po na detyrojnë që më çdo kusht të na zhdukin nga këtej”, shprehet ai dhe tregon se tre djemtë e tij që janë aktualisht jashtë vendit, kishin dëshirën për të investuar në fshat, por pasi u njohën me projektin dhe faktin që zona mund të mbetet pa ujë, u tërhoqën.
“Po kjo është krim, t’i marrësh ujin një fshati që me atë jeton e ha bukë”, thotë i revoltuar Mitati. Ai rrëfen përpjekjet e tij dhe të bashkëfshatarëve në kundërshtimin e këtij projekti, ku rendit hapat që kanë marrë që nga protestat tek peticioni dhe kërkesat për takime me përfaqësues të institucioneve.
“Asnjë përgjigje, asnjë konsultim, në vesh të shurdhët”, ky ishte reagimi i institucioneve për këta banorë, sipas rrëfimit të Mitatit por dhe banorëve të tjerë që ndeshëm aty.
Këto fshatra ekonominë e tyre e kanë të varur nga lumi, pasi mbahen me tokat bujqësore dhe rritjen e kafshëve.
Leonard Malaj është banor i fshatit Brataj, i cili mori pjesë në takim dhe shprehu kundërshtitë e tij për projektin. Leonardi shprehet se arsyeja kryesore që ata protestojnë për mbrojtjen e lumit Shushicë është ekonomike.
“Jemi të mbështetur te ky lum, kemi toka vaditëse, ky lum ka një impakt shumë të madh në bujqësi dhe në blegtori”, thotë Leonardi teksa nuk lë pa përmendur impaktin në mjedis që do të sjellë kjo ndërhyrje.
“Por ajo që na prek më shumë është shpopullimi që do i bëhet zonës, sepse këtu nuk ka asnjë burim alternativ jetese nëse s’ka uji”, tregon Leonardi.
“Projektimi i ujësjellësit të Himarës”
Leja për ujin është lëshuar në dhjetor 2021, por burimi i Lepushës ndodhet brenda territorit të mbrojtur “Pylli i Dushkut të Zercit”. Ky territor është një monument natyre që i përket një formacioni të veçantë dushqesh të gjelbëra, habitatet e të cilit, në rang kombëtar, janë klasifikuar në listën e kuqe të llojeve të rrezikuara, duke qenë kështu një burim i mbrojtur.
Edhe pse një vend i pasur me burime ujore, në Shqipëri ende ekziston mungesa e ujit 24 orë.
Që nga viti 2007, mbulimi i përgjithshëm i furnizimit me ujë ka mbetur i njëjtë, në nivelin 77.7% deri në vitin 2021. Kështu zonat urbane përgjatë vijës bregdetare sidomos gjatë muajve të verës o e vuajnë më së tepri këtë problem. Durrësi, Vlora, Himara apo Saranda po përballen me sfida të mëdha për sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm.
Nisur nga ky problem është hartuar projekti që parashikon devijimin e luginës për të dërguar ujin në Himarë.
Programi Ujësjellësve Rural IV zbatohet në bashkitë Himarë & Orikum për zhvillimin e turizmit në këtë zonë të Rivierës Shqiptare. Sipas projektit, 80 mijë banorë dhe turistë do të përfitojnë nga ky shërbim.
Zhvilluesi i projektit FSHZH shprehet se ky projekt do të ketë një ndikim pozitiv në mjedis falë ndërtimit të dy HEC-eve të vegjël në Himarë, duke kontribuar në prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe mbrojtjen e mjedisit.
Projekti ka nisur planifikimin në vitin 2019 me studimin e fizibilitetit. Në datën 5 maj 2021 AKM lëshoi Lejen Mjedisore bazuar në VNM Paraprake, pra projektit i është dhënë e drejta për të vazhduar me zhvillimin pa një VNM të plotë. Gjatë vitit 2022 janë dhënë të gjitha lejet, përfshirë këtu Lejen e Përdorimit të Ujit dhe Lejen e Ndërtimit.
Pas procesit të lejeve projekti ka hyrë në fazën e avancuar të ndërtimit. Ndërtimi ka nisur zyrtarisht më 10 janar 2023 dhe pritet të zgjasë 18 muaj. Projekti pritet të përfundojë në gusht 2024.
Projekti i devijimit, referuar ekspertëve të EcoAlbania, ka të ngjarë të ndikojë në funksionalitetin e lumit dhe do të reflektojë ndikimin negativ në florën dhe faunën ujore dhe bregore të lumit.
Eksperti i Mjedisit, Olsi Nika sqaron se devijimi i shtratit të lumit “104 l/s, ku prurja mesatare vjetore e ujit llogaritet të jetë 139 l/s, pritet të lërë shtratin e lumit të thatë gjatë verës”.
Në datën 18 dhjetor, Citizens Channel i dërgoi një kërkesë për koment Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), e cila nuk bëri asnjë vlerësim mbi ndikimin që mund të kishte shndërrimi i asaj hapësire në vepër marrje për ujësjellësin e ri, duke pranuar propozimin e raportit teknik menjëherë. AKZM nuk dha asnjë koment mbi këtë pyetje.
“Çdo devijim nga një pellg ujëmbjellës në tjetrin, ekologjikisht sjell të meta”, shprehet Aleko Miho, pedagog dhe përgjegjës për kërkimin shkencor të botanikës.
Miho thotë se ndihet krenar që Vjosa pas shumë përpjekjes u shpall Park Kombëtar, por shton se “Park Kombëtar pa Bënçn, pa Drinon e pa Shushicën nuk ka”.
“Të pretendosh se po marrë ujin se dua të zhvilloj bregdetin ta marrësh nga një zonë e mbrojtur, është një qasje jo pozitive dhe e paparanueshme”, shprehet Miho për ndërhyrjen në zonën e mbrojtur.
Për Mihon kjo që po ndodh bie në kundërshtim e atë që ai pret nga një zonë që është pjesë e Parkut Kombëtar.
“Unë pres që kjo zonë të ketë një zhvillim të qëndrueshëm, ku uji i pijshëm është i rëndësishëm po ashtu dhe ai për anën ekologjike”, shprehet Miho dhe sqaron se merret rreth 30% e ujit dhe gjatë verës.
Kujtojmë se ky projekt që kërcënon mbrojtjen e Vjosës po zhvillohet në një moment ku ka debate në parlament nga organizatat mjedisore për ndryshimet ligjore në ligjin për Zonat e Mbrojtura. Këto ndryshime i hapin rrugë investimeve në zonat e mbrojtura, pasi koncepti zonë e mbrojtur po ndryshohet.
Shqetësuese për komunitetin dhe ekspertët është edhe parashikimi i ndërtimit të 2 HEC-eve të vegjël pranë Himarës.
Në studimin e fizibilitetit si dhe në shpalljen publike të projektit përmendet ky fakt. Megjithatë, një informacion shumë i kufizuar është dhënë në Raportin e VNM-së për këto projekte. “Është e paqartë se kush do ta drejtojë këtë HEC dhe sa është kapaciteti i tyre i instaluar”, thuhet në dokument.
Për ekspertët më e rëndësishmja është se ky projekt po dëmton Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa si vizion.
/Citizens Channel