Ekuadori është në buzë të greminës, i pushtuar nga një spirale dhune që arriti kulmin, më 9 janar, në një ditë çmendurie me sulme të njëkohshme nga grupe të armatosura në qendra tregtare, zyra dhe madje edhe në një stacion televiziv gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë. Guayaquil, qyteti i dytë i vendit, përkon me epiqendrën e luftës midis forcave të policisë dhe komandove të lidhura me krimin e organizuar, të cilě autoritetet nuk kanë hezituar t’i përcaktojnë si “terroristë”.
Lufta e brendshme ka rezultuar në një kaos të paprecedentë pas arratisjes të dielën e kaluar të Adolfo Macias, i njohur si “Fito”, kreut të bandës kriminale Los Choneros dhe shpërthimit të trazirave në gjashtë qendra dënimi në vend. Kush është ai dhe çfarë dimë për trafikantin e drogës që mban nën kontroll një popull të tërë?
Krimineli më i kërkuar i Ekuadorit
Adolfo Macías Villamar, i njohur më mirë si “Fito”, është lideri i Los Choneros, një bandë e fuqishme që besohet të jetë përgjegjëse për disa nga trazirat vdekjeprurëse të burgjeve në të gjithë Ekuadorin në muajt e fundit. Ai u mbajt në zonën e sigurisë maksimale të burgut La Rajonal, në Guayaquil, një kompleks që ka gjithsej pesë burgje dhe më shumë se 12,000 të burgosur. Policia tha se ata e vunë re mungesën e tij herët në mëngjesin e së dielës dhe nuk ishin në gjendje ta gjenin.
Tani bosi i drogës është krimineli më i kërkuar në vend. I njëjti që me arratisjen e tij detyroi Presidentin Daniel Noboa të denonconte ekzistencën e një “konflikti të armatosur të brendshëm” në vend, duke urdhëruar Forcat e Armatosura të konsideronin grupet paraushtarake dhe bandat e lidhura me narkotikët si “objektiva ushtarake” dhe të dekretonte gjendjen e jashtëzakonshme për gjashtëdhjetë ditë.
Shumë pak dihen për Fiton. Gushtin e kaluar ai u transferua për një periudhë të shkurtër në La Roca, një burg më i vogël në të njëjtin kompleks, La Regional, i konsideruar më i sigurt për shkak të numrit më të vogël të të burgosurve. U deshën mijëra ushtarë për ta zhvendosur, por vetëm pas një muaji, avokati i të dënuarit paraqiti dhe fitoi ankesën kundër vendimit për transferimin e klientit të tij. Kështu Fito u rikthye në La Regional, vendi ku kaloi pjesën më të madhe të 12 viteve të tij të fundit.
Në vitin 2013, ai dhe 17 të burgosur të tjerë u arratisën nga La Roca me varkë në lumin Daule, i cili kufizohet me kompleksin. I arratisuri u kap së bashku me vëllain e tij, anëtar i Los Choneros, katër muaj më vonë në shtëpinë e nënës së tyre në qytetin Manta.
Mes krimeve dhe burgut
Që atëherë, Fito, prejardhja modeste e të cilit ishte si shofer taksie dhe i klasifikuar nga qeveria si “kriminel me karakteristika jashtëzakonisht të rrezikshme”, i ka kaluar ditët në burg. Edhe pse burgosja e tij ka qenë gjithmonë shumë e rehatshme, e krahasueshme me atë të Pablo Escobarit në Kolumbi në vitet 1990. Në fakt, po qarkullojnë video që tregojnë festime brenda burgut me muzikantë dhe fishekzjarre, por edhe një narkokorridor për nder të tij në një oborr spanjol, realizuar nga një mariachi dhe vajza e tij, e cila prezantohet si mbretëresha Michelle. Në regjistrim ai shfaqet duke përshëndetur, duke qeshur dhe duke përkëdhelur një gjel luftimi.
Ngritja e Fitos në krye të bandës, e përbërë nga rreth 8,000 njerëz, u bë e mundur nga vdekjet, në një radhë të shpejtë, të paraardhësve të tij. Ai më vonë mori komandën e organizatës në vitin 2020, pas vrasjes së bashkëpunëtorëve Jorge Luis Zambrano dhe Junior Roldan. Madje Fito mori diplomën e drejtësisë në burg, ku vuante një dënim prej 34 vitesh për armëmbajtje, trafik droge, krim të organizuar dhe vrasje. Ngritja e tij në drejtimin e bandës u shoqërua me copëzimin e grupit, i cili deri në vdekjen e Zambranos kishte bashkuar shumicën e organizatave më të vogla.
Nga ana e tij, Fito akuzohet se ka nxitur vrasjen e kandidatit presidencial Fernando Villavicencio, i cili u qëllua për vdekje në gusht nga një vrasës kolumbian me pagesë. Fito nuk u dënua për atë krim, por qeveria e Presidentit të atëhershëm Guillermo Lasso (2021-2023) urdhëroi transferimin e tij në një burg të sigurisë maksimale, në një operacion spektakolar të zbatimit të ligjit që shkaktoi protesta nga të burgosurit. Por pas një farë kohe, falë një sërë teknikash ligjore, Fito u kthye në “çifligun” e tij, në burgun rajonal të Guayaquil. Para se të zhdukej pa lënë gjurmë.
/il giornale – bota.al/