Nga Boldnews.al
Reforma në Drejtësi ka marrë formën e një kubi, ku, ngado ta rrotullosh, do të konstatohet nga një komunist ose pinjoll komunisti në krye të piramidës së gjyqësorit.
Natyrisht, siç është shprehja “Çfarë pjell macja, do të haj minj”, edhe Reforma “e ngjizur” nga një komunist i thekur, si Fatmir Xhafaj, nuk do të kishte tjetër përfundim, përveçse rikthim të kastës që drejtoi me metoda diktatoriale vendin për 45 vite.
Së fundmi, Sokol Sadushi, kryetari i Gjykatës së Lartë, nuk i rezistoi tundimit për të treguar jo vetëm prejardhjen e tij komuniste, por edhe ndjenjat e tij karshi atij sistemi.
Në këtë fundjavë, Sadushi u fotografua me shallin e kuq të komunizmit në qafë, në përvjetorin e një brigade partizane, në Tërbaç të Vlorës.
Lufta anti-fashiste është një prej përpjekjeve madhore të popullit shqiptar. Ajo është kryer pa “shallin e kuq”, por me idealin e mijëra të rinjve, burrave e grave që u bashkuan për të luftuar kundër pushtuesve fashistë dhe nazistë.
Ai “shalli i kuq” ishte një simbol komunist, i cili, megjithë propagandën 45-vjeçare, nuk mund të vendoset si shenjë barazimi me luftën anti-fashiste.
E, megjithatë, Sokol Sadushi, i cili është në krye të piramidës së sistemit të pavarur gjyqësor, nuk ka aspak skrupuj të shfaqet me simbolin komunist në qafë.
I rrethuar nga kryebashkiaku socialist i Vlorës, Ermal Dredha, deputeti socialist Vullnet Sina dhe prefekti i Edi Ramës, Flamur Mamaj, kryegjyqtari nuk përpiqet të fshehë aspak publikisht preferencat e tij politike, megjithëse diçka të tillë ia ndalon, më së paku, Kodi i Etikës. Kryegjyqtari duket I lumtur e I gëzuar ashtu si ccdo njeri mes familjes së tij politike.
Sebepi që mblodhi Sadushin dhe socialistët e tjerë është përvjetori i një formacioni partizan, ku ka bërë pjesë edhe i ati i kreut të Gjykatës së Lartë, Maliq Sadushi.
Maliqi hyri i ri një luftë, por pas saj ishte një prej përfituesve kryesorë të sistemit komunist. Babai i Sadushit ka mbajtur poste të larta në Ministrinë e Mbrojtjes s Enver Hoxhës, derisa u godit si “pjesëtar i grupit të Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut”.
Megjithë këtë goditje, i biri i tij, Sokol Sadushi, nuk duket se u prek shumë, pasi ai përfundoi studimet për Drejtësi në vitin 1986 dhe nisi punën si hetues që në kohën e komunizmit.
Sokol Sadushi, si çdo person, ka të drejtë të nderojë dhe respektojë të atin. Po ashtu, ai nuk mund të mbaj përgjegjësi për veprimet e të atit.
Por, kur nderimi për babain shndërrohet në një shfaqje politike, madje të asaj periudhe politike diktatoriale, nga e cila vuajtën mijëra e mijëra shqiptarë, kjo nuk është më çështje familjare dhe raporti mes birit dhe babait të tij.
Çfarë do të thotë fotoja me “shallin komunist” në qafë për mijëra ish-të përndjekur nga regjimi diktatorial, të cilët përballen me gjyqtarin Sokol Sadushi në Gjykatën e Lartë. A mund të fitojnë të drejtën në gjykatë ata persona që janë përndjekur nga regjimi “i shallit të kuq” që mban Sadushi në qafë?
Çfarë do të ndodh me proceset gjyqësore në Gjykatën e Lartë të qindra mijëra ish-pronarëve, të cilët humbën pronat e tyre nga regjimi i “shallit të kuq” që mban në qafë Sokol Sadushi?
Kushdo mund të thotë se “drejtësia është e verbër” dhe kushdo fiton në gjykatë, nëse ka të drejtë. Kjo shprehje mund të qëndrojë për vendet Skandinave.
Por, për një vend si Shqipëria, ku Sadushi i shallit të kuq do të gjykojë viktimat e sistemit diktatorial të forcuar nga babai i tij dhe të glorifikuar publikisht prej vetë kryegjyqtarit të sotëm, drejtësia “nuk është e verbër”, por është “e drejtë” si drapri.