Franca, Gjermania dhe Austria janë disa nga vendet evropiane që kanë rritur kontrollet e sigurisë dhe mbrojtjen për kishat përpara festimeve të Krishtlindjeve, mes shqetësimeve për kërcënimin e terrorizmit.
Ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin udhëzoi policinë dhe xhandarët që të rrisnin praninë e tyre në kishat në të gjithë vendin për të mbrojtur besimtarët e krishterë që do të mblidhen për festimet e Krishtlindjeve këtë mbrëmje dhe nesër në mëngjes. Në Gjermaninë fqinje, autoritetet gjithashtu shtuan përpjekjet e tyre të sigurisë.
“Policia do të bëjë gjithçka që mundemi sonte për të garantuar sigurinë e vizitorëve të katedrales në prag të Krishtlindjes,” tha në një deklaratë të shtunën shefi i policisë së Këlnit, Michael Esser, duke shtuar se të gjithë vizitorët në katedralen e famshme të qytetit do t’i nënshtrohen sigurisë.
Policia kontrolloi katedralen me qen nuhatës të shtunën mbrëma pas raportimit se grupet islamike po planifikojnë një sulm në kishë për natën e Krishtlindjes ose për Vitin e Ri, shkruan CNN. Policia i këshilloi vizitorët të mos mbanin çanta me vete për të shmangur vonesat në kontrollet e sigurisë.
Policia në kryeqytetin austriak të Vjenës rriti praninë e saj të sigurisë, për shkak të një rreziku nga sulmet terroriste në rritje në Austri gjatë festave të Krishtlindjeve.
“Ndërsa aktorët terroristë në të gjithë Evropën po bëjnë thirrje për sulme ndaj ngjarjeve të krishtera në këtë kontekst – veçanërisht rreth 24 dhjetorit – autoritetet e sigurisë kanë rritur masat përkatëse mbrojtëse në hapësirat publike në Vjenë dhe provincat federale,” thuhet në deklaratë.
Natyra e kërcënimit është e paqartë, por Komisionerja Evropiane për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson paralajmëroi në fillim të këtij muaji se me luftën midis Izraelit dhe Hamasit në vazhdim, ekzistonte një rrezik i madh sulmesh. Javën e kaluar, katër anëtarë të dyshuar të Hamasit të dyshuar për planifikimin e sulmeve terroriste në tokën evropiane u arrestuan nga autoritetet gjermane dhe holandeze.