Nga Agim Nesho
Procesi zgjedhor i 17 Dhjetorit në Serbi evidentoi një problematikë të gjerë të manipulimit të procesit zgjedhor, si blerja e votave, presioni ndaj administratës publike, keqmenaxhim të burimeve publike, transportim të votuesve nga Bosnja-Hercegovina dhe Kosova, influenca e Presidentit Vuçiç në zgjedhje, etj. Këto fenomene negative në procesin zgjedhor kanë qenë prezent edhe në zgjedhjet e kaluara, por vëzhguesit ndërkombëtarë i kanë certifikuar në heshtje, duke marrë pjesë, sipas analistëve të huaj, në legjitimitetin pa meritë të një pushteti autokratik dhe një regjimi jo liberal në Serbi. Nevoja për të mbajtur Serbinë afër BE-së dhe Perëndimit si dhe për hir të të ashtuquajturës stabilokraci ballkanike, Perëndimi ka parë me indiferencë kërkesat e përsëritura të opozitës për kapjen e shtetit, kontrollin e medieve të lira nga regjimi dhe rritjen e pushtetit autokratik në vend.
Shqipëria nën regjimin e Edi Ramës është në një situatë akoma më kritike për procesin e zgjedhor, ku e drejta për të zgjedhur manipulohet jo vetëm nga pushteti dhe dhuna që prodhon ai me patronazhistët, presionin ndaj administratës civile, blerjen e votës por edhe kërcënimit që vjen nga organizata kriminale (rasti i Bajrave në Shkodër), të cilat janë të privilegjuara apo kërkojnë favore nga pushteti. Megjithëse në Shqipëri janë vënë re këto dukuri, si në zgjedhjet e v. 2017 (dosjet 184, 339), në zgjedhjet e v. 2021 dhe atyre të majit 2023, reagimi i komunitetit ndërkombëtar ka qenë i vakët dhe pa qëndrime. Demokracia e brishtë ballkanike duket që është sakrifikuar në mbrojtjen e figurave kontroversiale autokratike Rama dhe Vuçiç, të cilët vetë-ofrohen si agjentë të stabilitetit ballkanik dhe janë pranuar si të tillë nga presioni i grupeve të interesit, naiviteti apo indiferenca e Perëndimit.
Por ndërsa Vuçiç trajtohet në kushtet e një zgjidhje të caktuar gjeopolitike për Europën, trajtimi i Ramës – një autokrat klientelist dhe i korruptuar – si një lider i nevojshëm, është qesharake dhe e pajustifikuar nga Perëndimi. Rama, një lider karizmatik në mënyrën si aktron dhe drejton propagandën, është lideri që po shkatërron shtetin e së drejtës dhe demokracinë në Shqipëri, ka kapur institucionet dhe prishur balancën e pushteteve, ka inkriminuar jetën e vendit dhe e ka kthyer Shqipërinë në një Kolumbi të Europës.
Atë që Rama i jep Perëndimit është vetëm klientelizmi i tij, servilosja dhe gatishmëria për ta kthyer vendin e tij në një gropë septike për të gjitha projektet që janë të papranueshme për standardet demokratike të vendeve perëndimore. Ai vrapon të presë afganët, muxhahedinët për t’ju bërë qejfin amerikanëve por godet opozitën dhe do ta lërë vendin pa alternativë; ai i hidhet në qafë Melonit, por nuk ngurron të bëjë ‘armik’ Mitsotakis kur preken interesat e tij të ngushta; ai pretendon se drejtësinë nuk e komandon, por e lë partinë kryesore opozitare pa vulë dhe pa emër.
Por dëmi më i madh që Rama po i bën Shqipërisë është goditja e opozitës dhe përgatitja e tij për ta çuar Shqipërinë jashtë familjes demokratike me një regjim të fortë putinesk. Pretendimi i Ramës se drejtësia e re po funksionon por duke fshehur faktet që tregojnë se kjo drejtësi është e komanduar dhe i shërben atij për të pastruar rrugën drejt një pushteti të pakufizuar, i kthen ndërkombëtarët thjesht në noterizues të fondeve që kanë dhënë.
Përdorimi i drejtësisë për të goditur liderët e opozitës si dhe kërkesa për arrest për liderin e opozitës Berisha për një çështje të vjetër, pa prova direkte dhe pamundësinë e prishjes së provave, tregon se SPAK po kthehet në një organ të politizuar.
Por nëse drejtësia po thyhet nga presioni i pushtetit, partnerët tanë ndërkombëtarë nuk duhet të lejojnë që Shqipëria të mbetet pa opozitë reale dhe regjimi të tallet me një opozitë vitrinë. Sot Rama po përdor ‘përkrahjen’ perëndimore për të instaluar regjimin e tij, duke e shitur këtë si kërkesë perëndimore.
Ngjarjet e fundit në Serbi duhet të shërbejnë si një kambanë alarmi për BE-në dhe SHBA-në për vërtetësinë e realiteteve antidemokratike në Ballkanin Perëndimor. Binomi Rama-Vuçiç, i projektuar dhe përkrahur me kujdes në të shkuarën, sot është bërë një problem jo vetëm për Ballkanin Perëndimor por edhe për të ardhmen e komunitetit ndërkombëtar demokratik në betejën e Demokracisë përballë Autokracisë.
Nesër do të jetë vonë.