Dikush e do të vrarë biznesmenin 52-vjeçar Andrea Kalemi alias Adriatik Kalemi dhe këtë e tregon fakti se brenda 5 muajsh, ai i ka shpëtuar dy atentateve.
Dy ditë më parë, ai u tentua të vritej me thikë brenda burgut të Koridhalos në Greqi. Autori është 28-vjeçar egjiptian, i cili dyshohet se është paguar nga persona të tjerë për të kryer krimin. Kjo për shkak se ai kishte në dorë një telefon ku kishte foton e shqiptarit dhe sapo ka parë foton e tij, ai ka qëlluar disa herë me thikë duke e lënë të plagosur. Telefoni egjiptianit iu gjet i thyer dhe nuk dihet nëse e ka thyer vetë apo nga përleshja me të burgosurit e tjerë. Andrea (Adriatik) Kalemi do të fitonte pas disa ditësh lirinë. Autori egjiptian ishte transferuar nga burgu i Domokos në burgun e Koridhalos.
Kalemi ka marrë plagë në kraharor, qafë e krah dhe u transportua në spitalin e burgut ku mori ndihmën e parë. Sapo kanë parë skenën, të burgosur të tjerë kanë goditur 28 vjeçarin, i cili ka marrë plagë në kokë dhe trup. Ashtu si Kalemi, edhe autori është transportuar në klinikën e burgut për të marrë ndihmën e parë. Burime jo zyrtare konfirmojnë se pas daljes nga spitali, Kalemi është shoqëruar ditën e djeshme për në kufirin greko-shqiptar nga policia pasi e ka përfunduar dënimin dhe për këtë arsye është riatdhesuar.
Gjithashtu, Andrea (Adriatik) Kalemi i shpëtoi një atentati dhe më 9 gusht të këtij viti në ishullin Paksos, ku u qëllua me 10 plumba, teksa ndodhej me familjen për pushime. Autori dyshohet se kishte mbërritur në ishull me jet-ski dhe ende nuk është identifikuar. Në atë kohë, ai u transportua fillimisht drejt urgjencës për ndihëm e parë e më pas drejt Igumenicës për mjekim te specializuar. Për shkak të gjendjes mjaft të rëndë shëndetësore, Kalemi u dërgua më pas në spitalin e Janinës.
Andrea (Adriatik) Kalemi është kushëri i Aleksandër Sadikaj, që njihej si “Aleksi i Memaliajt” apo “Sancho”, i cili u ekzekutua në mënyrë makabre mesditën e 11 qershorit 2022 pranë rrethrrotullimit të TEG-ut në Tiranë, me minë me telekomandë.
Pas këtij krimi të rëndë dyshohet se qëndronin njerëzit e biznesmenit Edmond Papa nga Saranda, , i cili u ekzekutua nga njerëzit e Sadikajt më 16 dhjetor të vitit të kaluar në zonën e Selitës në Tiranë. Për vrasjen e Papës u arrestua shoku i Andrea Kalemit, Albano Velo dhe është në kërkim shoku tjetër Andreë Bode. Në dosjen hetimore të autoriteteve shqiptare përmendet edhe emri i Andra (Adriatik) Kalemit, i implikuar në krim si bashkëpunëtor.
Autoritetet kanë dyshime të forta se pas dy atentave ndaj Andra Kalemi qëndrojnë pikërisht njerëzit e Edmond Papës që kanë dashur ta eliminojnë për herë të dytë brenda vitit. Përballja mes dy bandave dikur aleatë në trafikun e drogës,ka prodhuar disa të vrarë dhe të plagosur ndërsa duket se ende s’ka mbaruar.
Po ashtu, në vitin 2001 Andrea (Adriatik) Kalemi rezulton i arrestuar nga forcat speciale RENEA. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë belge, pasi akuzohej se në bashkëpunim me vëllain e tij Fatmir Kalemi kishte vrarë vëllezërit shqiptarë Mevlan e Adriatik Çaça, ngjarje e ndodhur në Anderleht të Belgjikës, më 13 prill 2001.
Në vitin 2017 ai është arrestuar në Tiranë së bashku me 2 persona të tjerë, pasi duke qenë edhe nën efektin e alkoolit, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kundërshtuar punonjësin e policisë në detyrë, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, ndërsa një person i katërt që ishte me ata goditi me shufër hekuri në kokë, punonjësin e policisë E. V., i cili u dërgua në spital.
Andrea Kalemi rezulton bashkëpronar dhe administrator i kompanisë “Shiza Kalemi” sh.p.k me adrese ne Memaliaj dhe objekt “Ne fushën e tregtisë, import, eksport, tregti me shumice dhe pakice e mallrave industriale, ushqimore, bujqësorë e blegtorale, veshmbathje, konfeksione, prodhim, përpunim e tregtim i materialeve te ndërtimit, inerte, rëre, zhavorr, tregtim i automjeteve, makinerive, hidrosanitare, bimëve medicinale, te lendes drusore, plastike, duraluminit etj. Bar bufe, restorant, pika servisi, parkim automjetesh, lavazh, hotele etj. Agjensi shitblerje dhe dhënie me qira te pasurive te patundshme, agjenci transporti te udhëtareve dhe mallrave brenda dhe jashtë vendit, si dhe aktivitete te ndërtimit. Pastrim te sipërfaqeve urbane, gjelbërim mirëmbajtjen e sipërfaqeve te gjelbëria, mirëmbajtjen e varrezave publike dhe dekorim te qytetit”.