Këngëtarja fort e dashur për publikun shqiptar, e cila është bërë dhe nënë e një djali, ka folur për herë të parë rreth eksperiencës së Big Brother Vip III.
Ajo është ndalur specifikisht tek momenti kur i ka rënë të fikët në “Big Brother VIP” dhe përjetimet rreth asaj ngjarjeje.
Më një rrëfim të rrallë, në “S’e Luan Topi”, ajo tregoi se ka përjetuar shumë keq mënyrën se si publiku e trajtoi ngjarjen. Në lot këngëtarja Filloreta Raçi u shpreh se ka qenë shtatzënë gjatë periudhës ku “memet” shpërthyen në rrjete sociale.
“Rënia e të fikëtit që më ndodhi u mor dhe u hiperbolizua, u shkatërrua. E bënë parodi dhe thanë që nuk më ra të fikët kurrë, por bëra vetë. Ishte e dhimbshme, e frikshme. Ishte edhe një periudhë që unë isha shtatzënë, dhe kur e kam parë kam thënë pse ta përdorin sërish.
Nga ana tjetër po të thoja që isha shtatzënë, nuk mundesha dhe nuk doja ta tregoja, sepse nuk ngela shtatzënë për njerëzit, për social media.
Unë ngela shtatzënë sepse atë e kishte caktuar Zoti dhe për veten time. Zoti është i madh dhe nuk harron kurrë, nuk më ka lëshuar kurrë deri në greminë. Zoti më ka sprovuar për të më parë sa e fortë që jam dhe unë e di që jam e fortë dhe nuk dorëzohemi kollaj. Madje unë e di që këto lotët e mi sot do të paragjykohen sërish”, tha Fifi.
Ndër të tjera artistja tregoi se gjithçka është gjykuar në bazë të videove të shkurtra që qarkullonin në rrjete sociale.
“Është një problem, ata të cilët kanë gjykuar se Fifi ka qenë toksike, mashtruese dhe psikopatë, ata nuk e kanë parë farë Big Brother VIP, por kanë ndjekur vetëm videot e shkurtuara në rrjete sociale”, u shpreh ajo.
Fifi tregoi se i ka rënë në të vërtetë të fikët dhe nuk është shtirur. E gjithë kjo situatë ka ardhur si pasojë e fjalëve të opinionistes së “BBV1”, Balina Bodinaku.
“Momenti më i vështirë që unë kam pasur aty brenda ka qenë kur më kanë thënë që të ka humbur vëmendja dhe po mundohesh të kapesh me njerëzit sepse nuk ke vëmendje. Debati që kam pasur me atë njeri (Balina Bodinaku) më shqetësoi shumë. Më bëri të kuptoj se njerëzit jashtë më urrejnë, unë nisa ta mendoj që po më prisnin të më ekzekutonin.
Mua më ra të fikët edhe jam larguar nga ajo shtëpi. Më vrau opinioni i njerëzve se çfarë po ndodh jashtë. Nëse nuk do të më kishte rënë të fikët unë do kisha vazhduar rrugëtimin. Gjithçka ka ndodhur prej komentit, emocionet e forta të këqija i përjetova”, përmbylli Fifi.