Doktori i Shkencave në fushën e Sportit Mel Ostreni ka folur në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi ditën e djeshme ku lojtari i klubit të Egnatias, Raphael Dwamena humbi jetën gjatë kohës që po luante ndeshjen.
Në një intervistë për Syri Tv, Ostreni thotë se 28 vjeçari ishte koshient për ç’ka e priste dhe sërish vendosi të luante.
Ai thotë se vende të Europes nuk e lejuan ta pranonin të luante për shkak të rrezikut që i kanosej, dhe i ndjeri vendosi të zhvendosej në Shqipëri duke parë që strukturat mjekësore nuk kishin kontrolle të rrepta.
“Unë pashë që ambulanca iu afrua menjëherë. Janë këto ambulancat e reja që kanë të gjitha pajisjet brenda dhe natyrisht janë dhe me personelin por në përgjithësi nuk është se shpëtojnë të gjithë edhe kur jepet ndihma e parë.
Ky djal fatkeq kishte edhe një gjë tjetër që sipas sinjalizimeve që më kanë bërë kishte hequr dhe defibrilatorin , pra atë që rregullonte ritmin e zemrës. E kishte hequr disa kohë më parë sepse e pengonte në lojë dhe në stërvitje. Praktikisht unë do të them që ai vetë me duart e veta ka bërë një hap drejt vdekjes, vetë.
Pa dalë autopsia e të ndjerit nuk mund të thuhet asgjë sepse të gjitha këto që themi mund të na përmbyten dhe mbase mund të ketë edhe ndonjë çarje të aortës dhe nganjëherë ndodh dhe në sport , kur kemi anomali gjenitale, të trashëguara. Këta vijnë nga Afrika, një kontinent që është i varfër, dihet për mungesat e ushqimeve që ka, dihet edhe për analfabetizmin, injorancën dhe pa kulturë shëndetësore. Kështu që praktikisht janë një mori gjërash që duhen parë dhe vërtetuar.
Vetë futbollisti ka zgjedhur Shqipërinë si më pak të kontrolluar nga strukturat mjekësore, kjo është ajo që më bën përshtypje.
Ai ka luajtur në Zvicër, në Austri, ka shkuar deri në Angli pastaj është kthyer në Spasnjë tregon që edhe atje fillimisht e kanë lejuar. Faji është i të gjithëve por në fund fare faji është i sportistit sepse është paralejmëruar nga mjekët në Angli, në Spanjë, në Austri që nuk duhet të luajë. Kjo është zgjedhje individuale e tij por rregullat mjekësore nuk duhet ta kishin lënë të vazhdonte sportin. Megjithatë ai mund të kthehesh në Afrikë të luante dhe do ti ndodhte e njëjta gjë. E kishte të pashmangshme këtë ndodhi në qoftë se ai do vazhdonte të luante futboll kudo që të ishte.”