Sipërmarrës privatë dhe ekspertë të fushës së gazit diskutuan për “Amendamentin Kigali”, i cili synon reduktimin e gazrave serrë të fluoruar në atmosferë, në një konferencë kombëtare dy-ditore të organizuar në Tiranë.
Në Tetor të vitit 2017, rreth 197 vende anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara miratuan “amendantin Kigali”, për eleminimin progresiv të përdorimit të gazeve të fluoruara.
Parlamenti Shqiptar e bëri pjesë të legjislacionit të vendit “amendamentin Kigali” në Janar të vitit 2023, kur miratoi ligjin e ri “Për gazet e fluoruara”.
Ky ligj i ri parashikon normat e reja për të siguruar një ambjent sa më të pastër, duke kufizuar dalëngadalë hyrjen në treg të pajisjeve që përdorin gaze, të cilat ndikojnë në përkeqësimin e ambjentit.
Ligji i ri hyn në fuqi në janar të vitit 2024 dhe konferenca e zhvilluar në datat 9-10 nëntor 2023 në Tiranë, me titull “AMENDAMENTI KIGALI – Mbështetja e Industrisë Shqiptare për Klimën”, kishte për synim diskutimet mbi; legjislacionin e ri për F-gazet (gazet e fluoruara); skemat e trajnimit dhe çertifikimit; planifikimin e fazës së parë të Planit të Implementimit të amendamentit “Kigali”; zhvillimi dhe perspektiva e ftohësve me GWP të ulët në rajonin tonë; efikasitetin e energjisë; ndryshimet klimaterike, e të tjerë.
Duke nisur nga fillimi i vitit 2024, Shqipëria do të zbatojë planin për reduktimin e gazrave që kanë fuqinë e ngrohjes globale (GWP) më të lartë se 2500, si një detyrim i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të vendit tonë me Bashkimin Europian.
Ky është një nga parashikimet më të rëndësishme të ligjit “Për gazet serrë të fluoruara”, i cili u miratua nga Parlamenti në janar të vitit 2023 dhe nis zbatimin në janar të vitit të ardhshëm.
Ligji i ri ka qëllim të shpallur reduktimin e shkarkimeve të gazeve serrë të fluoruara, me synim final mbrojtjen e mjedisit.
Në bazë të këtij ligji, duke nisur prej fillimit të vitit të ardhshëm do të aplikohen kufizime për vendosje në treg të një numri të konsiderueshëm pajisjesh, të cilat përdorin gazet serrë të fluoruara mbi normat e parashikuara në Marrëveshjet Ndërkombëtare.
Ligji parashikon detyrime specifike për të gjithë operatorët ekonomikë, shtetërore ose privatë që përdorin gazrat R-404A dhe R-507A.
Ky ligj ndalon përdorimin e gazeve serrë të fluoruara, me një potencial të ngrohjes globale prej 2500 apo më tepër për shërbimin ose mirëmbajtjen e pajisjeve të ftohjes, me një masë mbushjeje prej 40 tonësh dioksid karboni ose më të mëdha.
Aktualisht, pjesa më e madhe e sektorit të ftohjes industriale (ku përfshihen frigorigerët industriale, në të cilat depozitohen ushqime që kërkojnë ftohje të thellë, si mishi, peshku, etj), punojnë me gazet R-404A dhe R-507A.