Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të mërkurë vendimin që disa ambiente të ndërtesës “Rezidenca Qeveritare, vila 31 Tiranë”, ish-vila e diktatorit Enver Hoxha, do të shfrytëzohen për realizimin e projektit kulturor “Vila Art Rezidencë Tirana”.
Zbatimi i projektit do të bëhet nga Ministria e Kulturës, e cila do të marrë përsipër vetëm tarifat e furnizimit me energji elektrike dhe ujë, si dhe koston e mirëmbajtjes së trajtimit të këtyre ambienteve gjatë gjithë periudhës së dhënies në shfrytëzim.
Ndërtesa gjendet në qendër të kryeqytetit, në lagjen që njihet si ish-Blloku, ku gjatë diktaturës komuniste 1944-1991 jetuan familjet e kupolës së njërit prej regjimeve më të egra të Lindjes.
Vendimi i plotë:
VENDIM PËR MIRATIMIN E TARIFËS SË REDUKTUAR PËR DHËNIEN NË SHFRYTËZIM TË DISA AMBIENTEVE NË OBJEKTIN “REZIDENCA QEVERITARE, VILA 31 TIRANË”, PËR REALIZIMIN E PROJEKTIT KULTUROR “VILA ART REZIDENCË TIRANA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 8, të kreut III, të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e tarifës së reduktuar për dhënien në shfrytëzim Ministrisë së Kulturës të disa ambienteve në objektin “Rezidenca Qeveritare, vila 31 Tiranë”, për realizimin e projektit kulturor “Vila Art Rezidencë Tirana”.
2. Vlera e tarifës së shfrytëzimit të ambienteve të objektit “Rezidenca Qeveritare, vila 31 Tiranë” do të jetë në masën ekuivalente të shpenzimeve për furnizimin me energji elektrike dhe ujë, si dhe koston e mirëmbajtjes e të trajtimit të këtyre ambienteve gjatë gjithë periudhës së dhënies në shfrytëzim për këtë projekt.
3. Ngarkohen Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA