Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në hapjen e mbledhjes së kryesinë së partisë, theksoi se po vazhdon me egërsi të paparë mohimi i të drejtave elementare kushtetuese të opozitës dhe përpjekja për ta vënë në kontroll të plotë opozitën.
“Kjo mbledhje është thirrur në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe të veçantë, – tha Berisha. – Pas përfundimit të denoncimeve dhe verifikimeve të farsës elektorale maj 2023, për të cilën edhe njëherë dua të falënderoj të gjithë ata të cilët me përkushtim të madh, u angazhuan në këtë proces, nga anëtarësia deri te grupi qendror”..
Teksa hidhte akuza ndaj Edi Ramës, Berisha tha se, Rama po përdor një peng të shpërfytyruar nga çdo lloj integriteti moral, politik, njerëzor, të çfarëdollojshëm, i cili quhet Lul Brava.
Duke folur për deklaratat e Ramës ndaj Kosovës, Berisha tha se, ai këto muaj ka dalë më qartë se kurrë një armik i egër i Kosovës dhe kombit shqiptar.
Sipas tij, bashkimi i deputetëve të opozitës ka tronditur thellë Edi Ramën.
FJALA E PLOTE
Kjo mbledhje është thirrur në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe të veçantë.
Pas përfundimit të denoncimeve dhe verifikimeve të farsës elektorale maj 2023, për të cilën edhe njëherë dua të falënderoj të gjithë ata të cilët me përkushtim të madh, u angazhuan në këtë proces, nga anëtarësia deri te grupi qendror.
Por nëse ky proces në tërësi, u kompletua siç duhet të kompletohej, me përgjegjësi të plotë, ky proces vërtetoi para shqiptarëve dhe botës, se nën regjimin e Edi Ramës, Shqipëria është vendi ku krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim.
Ky proces faktoi edhe njëherë se zgjedhjet nuk mund të vidhen dhe fitohen. Ato ose vidhen, ose fitohen.
Zgjedhjet në Shqipëri janë zgjedhje të vjedhura, të rrëmbyera, janë zgjedhje në të cilat u përdorën mekanizma nga më antikushtetuese dhe antiligjorë, për të kontrolluar vullnetin e zgjedhësve dhe ndryshuar rezultatin e tyre.
Sot, në këtë aspekt, nuk jemi më vetëm, por kemi raportin e institucionit më të specializuar ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve, që ka të njëjtat konstatime me ato që janë denoncuar nga PD.
Por, cilat janë zhvillimet e këtyre muajve pas kësaj farse?
Zhvillimet janë si pasojë dramatike e farsës elektorale të 14 majit 2023.
Vazhdon me egërsi të paparë mohimi i të drejtave elementare kushtetuese të opozitës. Vazhdon me egërsi përpjekja për ta vënë në kontroll të plotë opozitën, e cila përfaqëson 600 mijë burra dhe gra, që votuan si idealistë, pavarësisht nga industria e tmerrshme e votës dhe makineria e tmerrshme e frikës.
Ato që ndodhin sot në parlamentin e Shqipërisë, nuk ndodhin kurrë në asnjë parlament në Europë përveçse të themi në Korenë e Veriut.
Në parlamentin e Shqipërisë, përdoret pushteti i krimit, i dalë nga krimi dhe vota e krimit për të shtypur, për të përjashtuar edhe ata përfaqësues të atyre 600 mijë zgjedhësve, që votuan kundër qeverisë në kushtet më të vështira.
Përdoret brutaliteti dhe çdo mjet tjetër, për ta vënë opozitën në kontroll të plotë.
Edi Rama shpalos çdo ditë e më shumë në Shqipëri, psikologjinë e etërve të tij xhelatë, të pushtetit pa opozitë.
Edi Rama do të kontrollojë çdo gjë, të gjitha pushtetet në këtë vend.
Ka krijuar atë që në gjuhën popullore quhet shpif-opozitë. Në gjuhën aktuale, fake-opozitë.
Përdor një peng të shpërfytyruar nga çdo lloj integriteti moral, politik, njerëzor, të çfarëdollojshëm, që quhet Lul Brava.
Dhe do t’ua servirë shqiptarëve këtë, si opozitarin e tij.
Edi Rama, këto muaj ka dalë më qartë se kurrë një armik i egër i Kosovës dhe kombit shqiptar.
Më në fund, nuk jemi vetëm ne që e quajmë argat të Beogradit, nuk janë vetëm shqiptarët e Kosovës që e quajnë vëlla të Vuçiçit, por janë publicistë të mëdhenj europianë që e quajnë Pashiqi shqipfolës.
Gjatë këtij viti, ai është vërsulur si argat i mjerë, i verbër, kundër qeverisë, kundër Kosovës dhe interesave të saj, në një kohë kur vendoste i pari sanksione ndaj qeverisë së Kosovës. Kalonte nga samiti në samit, duke kërkuar që të mos bëhet presion mbi Serbinë, për të respektuar sanksionet e NATO-s dhe BE ndaj Rusisë.
Me gjithë përpjekjet që bën të dëshpëruara, për të mbrojtur në një mënyrë ose tjetër Millosheviçin e ri, Putinin e vogël, Aleksandër Vuçiçin, padronin e Edi Ramës, ai dështoi qartë muajt e fundit se është një Millosheviç i ri.
Dhe Edi Rama nuk është gjë tjetër veçse një argat mjeran i tij.
Pra, Edi Rama investoi çdo gjë, i detyruar, për mbrojtjen e padronit të tij, me një qëllim të
vetëm: ndarjen e Kosovës.
Të gjitha projektet e Aleksandër Vuçiç kanë një synim, ndarjen dhe asgjësimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Ai nuk e fsheh kurrë këtë.
Në të gjithë këto projekte, mbështetësi më kryesor është Edi Rama.
Edhe kjo përbën një problem thellësisht serioz për të gjithë ata që në ndërgjegjen e tyre kombëtare, mendojnë dhe besojnë se duhet mbrojtur interesi kombëtar, dhe se interesi kombëtar është një, për një komb është një, nuk bëhen dy.
Pra, situata është dramatike në të gjitha aspektet. Kontrolli kriminal i Edi Ramës forcohet çdo ditë e më shumë.
Shpresë e vetme për të sotmen dhe të ardhmen e këtij kombi është opozita shqiptare, është Partia Demokratike.
Në përpjekjen tonë për të përmbushur misionin e vështirë në këto rrethana, ne kemi shpallur vendosmërinë tonë për hapjen dhe reformimin e mëtejshëm të PD.
Për angazhimin e elitës së vendit në përpjekjet e kësaj partie.
Kemi shpallur bashkimin e opozitës dhe në këtë aspekt, hapat konkrete janë shënuar.
Janë shënuar hapa konkrete me rezultate konkrete në bashkimin e deputetëve të PD, por edhe në bashkimin me aleatët tradicionalë të PD, të spektrit opozitar.
Procesi i bashkimit nuk është një proces i thjeshtë, sepse nuk mund të ndodhë ndryshe veçse si një proces reflektimesh, si një proces i cili kërkon gradualitetin e tij, kërkon maturimin e tij.
Por e vërteta është se ky proces ka tronditur thellë Edi Ramën dhe e ka nxjerrë përsëri ashtu siç është, një armik i egër i opozitarizmit të vërtetë.
Personalisht jam optimist për këtë proces. Personalisht jam i bindur se cilado të jetë manovra që do bëjë Edi Rama, qëndrimi ynë si opozitë e vërtetë do e sfidojë atë në mënyrën më të merituar.
Ne nisëm analizën në parti. Ritmet e kësaj analize janë ngadalta.
Por analiza është e domosdoshme. Është e domosdoshme së pari për të paraqitur para mbështetësve tanë dhe anëtarëve tanë tablonë e vërtetë të farsës elektorale maj 2023.
Jo rrallë dëgjon mendime, por ne i dimë ato, është e vërtetë që një pjesë e mirë e dinë, por ne punojmë me durim edhe për ata të cilët krejtësisht të qartë nuk e kanë. Edhe për ata që thonë se Edi Rama i vjedh, por i fiton zgjedhjet. Këta nuk janë të pakët.
Edhe për ata të cilët thonë se këta njëlloj janë.
Pra, janë një seri kategorish qytetarësh, me të cilët ne jemi të detyruar të ulemi, të dialogojmë, të arsyetojmë.
Janë 600 mijë, e thashë edhe njëherë, që votuan kundër qeverisë. Atëherë, arsyetimi me ta, debati me ta, është i domosdoshëm, kemi të bëjmë me një regjim të qartë diktatorial.
Kemi të bëjmë me një regjim, i cili për konjukturat gjeopolitike të kohës, pret me 16 tetor, Samitin e Berlinit.
Ne e mirëpresim samitin, pa diskutim, por ne do bëjmë gjithçka për të paraqitur para audiencës së nderuar evropiane, të vërtetat e Edi Ramës dhe regjimit të tij.
Kjo sigurisht jo me asnjë qëllim tjetër, përveçse një informim korrekt në të gjitha nivelet, për këtë regjim që bazohet në krimin, në drogën dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë.
Mediat kanadeze publikuan një artikull të gjatë të tërë për kartelin e Sinaloas dhe miqtë e Edi Ramës, Luftar Hysën, etj.
Pra, të gjitha këto e bëjnë më të komplikuar betejën tonë, por ne do e bëjmë këtë betejë, se ne kemi të drejtën, ne kemi të vërtetat me vete.
Ne nuk shtojmë, nuk deformojmë asnjë të dhënë.
Është Edi Rama, i cili manipulon dhe kontrollon këtu parlamentin, ekzekutivin, gjyqësorin, agjencitë e quajtura të pavarura, ekonominë, klanet e fuqishme mafioze të vendit.
Por ky debat i yni dhe kjo analiza e jona, duhet të ketë qëllim më madhor, motivimin e mbështetësve, anëtarëve, simpatizantëve tanë për fillimin sa më parë të një beteje të qëndrueshme, të një lëvizje të fuqishme popullore, që duhet të ketë synimin më madhor, largimin e Edi Ramës nga pushteti.
Natyrisht analiza jonë duhet të adresojë të gjithë problematikën e shfaqur gjatë procesit elektoral, pas procesit elektoral, në mënyrë që ne t’u japim përgjigjet më të merituara.