Vrasja e Dorian Dulit, ishte kthyer ndër detyrat parësore të grupit “Bajri” në Shkodër. Duli, cilësohej prej tyre si mik potent dhe i rrezikshëm i familjes Lici, të cilët mund ta përdornin kundër anëtarëve të grupit “Bajri”.
Kjo ka sjellë kontraktimin e disa personave për të vrarë Dorian Dulin, ku mes tyre ishte Nuredin Dumani.
Në një bisedë të zhvilluar në muajin Shkurt 2021, mes Nuredin Dumanit dhe Bardhyl Mavraj alias Bajri, ky i fundit i kërkon Dumanit një takim në Shqipëri, me qëllim për të folur kokë më kokë për këtë punë.
Dumani gjatë kësaj kohe, fshihej në Kosovë dhe s’mund të vinte në Shqipëri, pasi kërkohej nga Policia dhe Prokuroria.
Ndërsa komunikimi i tyre, ka vijuar përmes aplikacionit “Sky”, duke shkëmbyer informacione për llojin e makinës, një “Golf 7”R32 që lëvizte Dorian Duli dhe Genc Tafili.
Sipas bashkëbisedimit Nuredin Dumani, pranon të takohet me Bardhyl Mavraj, por pasi të kishte kryer vrasjen e Dorian Dulit dhe atëherë sipas Dumanit takimi do bëhej njësoj si Ismail Qemali dhe Isa Boletini.
“…po mo vlla do takojm…por thashë takoj si Ismail Qemali me Isa Boletinin me flamur në dor, ta kisha hek këtë kuçkën…Dorin…e të vij në takim me faqe të bardhë…”- i shkruan Nuredin Dumani, Bardhyl Mavraj, djalit të xhaxhait të Behar Bajrit.
Gjithashtu në datën 17 shkurt 2021, Bardhyl Mavraj i shkruan Nuredin Dumanit, duke i shpjeguar se duhej të ishte korekt me të, pasi për vrasjen e Dorian Dulit, ka aktivizuar edhe persona të tjerë.
Mavraj i shkruan:”…shife që të jena korret se janë dhe nja 2 grupe tjerë me e kry atë punë dhe po e kryve i pari, veç më thuj 3-4 dit para dhe të baj lekët gati dhe me e kry dhe një borxh ta kam…”.
Në vazhdim Nuredin Dumani i shprehet se kërkon të bëj një punë të pastër duke mos lënë dyshime tek personi që do i japë informacionin e do e nxjerri në prit të cilit i referohet me “miku”, dhe që dyshohet se “miku” është përdoruesi Sky me nofkën “Sakati”.
Ai dërgon mesazhet: ”…vëlla mos u mërzit për atë punë se tu punu jam e mys që sonte po dua, por dua ta bëj tamam që mos i ngelet belaja mikut ton që na e qit në pritë….as buka që ha dhe fryma që marr do ta myll unë atë pun rri i qet nga kjo pjes….ja po qe se ke ven njerëz mrapa objektivit, atëherë mos të bohemi lomsh, ta kryjnë kush ta ket ma mirë e ma kollaj. Mua s’mundet të më garoj kush, as un garoj me njeri. Unë s’po e boj për lek këtë pun vllai, të kam thanë që në fillim unë stë bona pazar fare, që do të thotë se boj për lek. Ok çunat ta marin nji lek se gjyna po bëjn punën. Nejse un ça të kom than, do ta mbaj deri sa kem frymë…”.
Në fakt Dorian Duli ishte vendosur në kryq nga Nuredin Dumani, por ky i fundit po mundohej të kryente krimin në mënyrë të sofistikuar me qëllim, që mos i hapte probleme, Aleksandër Bahos alias “Sakatit”.
“Sakati” do e ftonte në shtëpinë e tij, Dorian Dulin, me qëllim për të ngrënë drekë dhe në vazhdën e këtij plani për vrasje, do fikte dhe kamerat e sigurisë të shtëpisë.
Por problemi qëndronte tek kamerat e shkollës në fshatin ku ka shtëpinë “Sakati”, që s’mund të fikeshin dhe që mund të sillnin probleme për Aleksandër Bahon, kur policia dhe prokuroria të kryenin hetimet./OraNews