Nga Boldnews.al
Gjyqtari Shkëlzen Selimi dhe bashkëshortja e tij e kanë kaluar testin e pasurisë në procesin e Vetingut, edhe pse SPAK-u nuk e ka marrë në konsideratë një fakt të tillë.
Ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë ka hedhur akuza të rënda ndaj SPAK-ut, të cilin e akuzon për zhdukje aktesh procedurale gjatë hetimit dhe manipulim të akt-ekspertimeve që paraqisin të dhëna të rreme.
Në seancën gjyqësore të zhvilluar këtë të Premte (15 shtator 2023) në Gjykatën e Posaçme, prokurorja e çështjes, Doloreza Musabelliu prezantoi situatën për tre akte ekspertimi të kryer mbi pasurinë e Selimit dhe familjarëve të tij.
Në të tre aktet e ekspertimit, të porositur nga Prokuroria, bilanci financiar i Shkëlzen Selimit dhe familjes së tij ka dalë pozitiv.
Por, prokuroria është zgjeruar edhe në kryerjen e aktit të ekspertimit të të ardhurave të babait të tij. Dhe, aktet e ekspertimit për babin e Shkëlzen Selimit kanë dalë në konkluzione të ndryshme.
Në aktin e parë, konkluzioni për bilancin e babait të Selimit ka dalë negativ. Në aktin e dytë, bilanci për të ka dalë pozitiv.
Prokurorja ka porositur edhe një akt të tretë ekspertimi. Si në çdo rast të mëparshëm, pasuria e Shkëlzen Selimit ka dalë pozitive.
Ndërsa, për pasurinë e babait të tij, ky akt ekspertimi ka një konkluzion që mund të konsiderohet më së paku “i çuditshëm”.
Ky akt i tretë ekspertimi ka përdorur dy metoda, nga të cilat kanë dalë dy rezultate tërësisht të kundërta me njëri-tjetrin. Njëri variant është pozitiv, varianti tjetër është negativ.
Ky ndryshim rezultati lidhet specifikisht me të ardhurat e babait të Shkëlzen Selimit. Ai ka pasur biznes para vitit 1999, por institucionet tatimore nuk kanë ruajtur të dhënat para asaj kohe.
Sipas ekspertit, në rast se konsiderohen të plota të ardhurat e babait të Selimit, përfshirë edhe pagesën e tatimeve para vitit 1999, atëherë bilanci del pozitiv.
Por, në rast se vlerësohet se tatimet nga i ati i ish-gjyqtarit Selimi nuk janë paguar, atëherë bilanci del negativ, pasi nuk jusitifikohet një pjesë e të ardhurave me burime të ligjshme.
Prokurorja e çështjes deklaroi para gjykatës se preferonte këtë variantin e dytë të aktit të tretë, pasi, sipas saj, “ishte më pranë të vërtetës”.
Qëndrimi i prokurores nxiti reagimin e ish-gjyqtarit Selimi dhe mbrojtësit të tij ligjor.
Debati për akt-ekspertimet
Në fillim të seancës gjyqësore, prokurorja Musabelliu deklaroi se një akt-ekspertimi, i kryer nga ekspertja Lindita Muçaj, ishte revokuar me kërkesë të të pandehurit, për shkak të gabimeve.
Deklarimi i prokurores nuk përputhej saktësisht me realitetin. Ish-gjyqtari Selimi, i marrë i pandehur në këtë gjykim, ka kërkuar revokimin e aktit të ekspertimit jo për “gabime materiale”, por për falsifikim.
Madje, ai informoi gjykatën se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ekspertes në Prokurorinë e Tiranës. Sipas Shkëlzen Selimit, ekspertja “ka kryer qëllimisht gabime matematikore dhe ka rritur shpenzimet, me qëllim që bilanci financiar i tij të dalë me vlera negative”.
Në fjalën e tij, ish-gjyqtari deklaroi gjithashtu se ai gjendet në pozitën proceduriale të të pandehurit për shkak të kallëzimit të Fran Dashit, një person ky që është dënuar më herët nga Shkëlzen Selimi, si edhe bazuar mbi një akt-ekspertimi të rremë.
Për prokuroren, këto të dhëna nuk u konsideruan thelbësore, e cila vijoi fjalën e saj, duke prezantuar një akt-ekspertimi kontabël tjetër, për të cilën ajo tha se e kishte “shpallur të papërdorshëm”. Në këtë akt-ekspertimi të dytë, bilanci financiar i Shkëlzen Selimit dhe familjarëve të tij dilte pozitiv.
Prokurorja tha se e kishte shpallur të papërdorshëm këtë akt-ekspertim pasi, sipas saj, kishte konstatuar se ekspertja ishte takuar me bashkëshorten e të pandehurit, Rilinda Selimi, gjithashtu një ish-gjyqtare në sistemin e drejtësisë.
Vendimi i prokurores u kundërshtua forcërisht nga ish-gjyqtari Selimi, i cili e quajti edhe fyese qëndrimin e saj.
Sipas Selimit, Kodi i Procedurës Penale e ka të shprehur qartë se eksperti merr kontakte me palët për sqarime dhe kërkim provash.
Gjykata e pyeti prokuroren nëse ajo kishte konstatuar paligjshmëri në veprimet e ekspertes dhe nëse po, ai kishte sugjeruar fillimin e ndjekjes penale.
Prokurorja Musabelliu nuk dha një përgjigje të qartë, duke lënë të kuptohet se nuk kishte zbuluar veprime të kundërligjshme.
Ndërkohë, gjyqtari Selimi kërkoi nga gjykata që të pyetej ekspertja nëse ndaj saj ka pasur presion dhe nga kush, duke lënë të kuptohet se presioni mund të ketë ardhur nga prokuroria.
Një akt i tretë me dy variante
Më tej, pasi prokurorja kishte rrëzuar më herët dy akt-ekspertimet e para, paraqiti një akt të tretë ekspertimi. Në këtë rast, dokumenti ishte edhe më i çuditshëm, madje i padëgjuar në procese gjyqësore.
Eksperti që ka përgatitur këtë akt, ka përdorur dy variante, të cilët kanë konkluzione të ndryshme.
Sa i përket pasurisë së Shkëlzen Selimit, edhe në këtë rast bilanci ka dalë pozitiv, me të dy metodat dhe dy variantet.
Ndryshimi qëndron tek bilanci i pasurive të babait të tij.
Në njërin variant, bilanci i pasurive të babait të ish-gjyqtarit Shkëlzen Selimi del me vlera pozitive. Në variantin e dytë, rezultati del negativ.
Ky ndryshim rezultati lidhet specifikisht me të ardhurat e babait të Shkëlzen Selimit. Ai ka pasur biznes para vitit 1999, por institucionet tatimore nuk kanë ruajtur të dhënat para asaj kohe.
Sipas ekspertit, në rast se konsiderohen të plota të ardhurat e babait të Selimit, përfshirë edhe pagesën e tatimeve para vitit 1999, atëherë bilanci del pozitiv.
Por, në rast se vlerësohet se tatimet nga i ati i ish-gjyqtarit Selimi nuk janë paguar, atëherë bilanci del negativ, pasi nuk jusitifikohet një pjesë e të ardhurave me burime të ligjshme.
Prokurorja ka zgjedhur që të vlerësojë si më të pranueshëm variantin e dytë, pra atë që nxjerr me bilanc negativ pasuritë e babait të Selimit.
Gjatë gjykimit, kryesuesja e trupit gjykues e pyeti prokuroren nëse në variantin e dytë, që nxirrte babain e të pandehurit me bilanc negativ, a ishte zbritur vetëm vlera e tatimit apo gjithë të ardhurën.
Prokurorja u përgjigj se nuk i njihte gjithë të ardhurën, meqë, sipas saj, institucionet nuk kishin konfirmuar nëse babai i të pandehurit kishte paguar apo jo tatimet për fitimet e kryera para vitit 2019.
Ky qëndrim i prokurores u kundërshtua nga ish- gjyqtari si i pabazuar, pasi kjo nuk e bën të ardhurën e paligjshme, për më tepër kur bëhet fjalë për detyrim të të tretëve. Dhe, në këtë rast, ish-gjyqtari kujtoi se përgjegjësia civile, aq më tepër ajo penale, është individuale.
Siç rezulton nga provat në gjykim, të tre aktet e ekspertimit, si dy të parët që u shpallën të papërdorshëm nga prokurorja, ashtu edhe akti i tretë që është me dy variante, njëri pozitiv e tjetri negativ-të gjithë të porositur nga Prokuroria e Posaçme- në çdo rast konstatojnë se pasuria e ish-gjyqtarit Shkëlzen Selimi është e ligjshme.
Gjithçka që është në diskutim lidhet me pagesën ose jo të tatimeve nga ana e babait të Shkëlzen Selimit, në periudhën para vitit 1999.
Pikërisht, për këtë arsye, ish-gjyqtari Selimi deklaroi në seancë se ai nuk ka asnjë përgjegjësi administrative apo penale, pasi përgjegjësia është individuale.
Debati për pasurinë
Në vijim, palët në procesin gjyqësor debatuan mbi faktin që hetimi mbi pasurinë e ish-gjyqtarëve Shkëlzen dhe Rilinda Selimi ishte kryer nga organet e Vetingut, të cilët e kanë konsideruar të ligjshme.
Prokurorja Musabelliu këmbënguli se Vetingu është një proces administrativ dhe se rezultatet nuk mund të merren apriori në një proces penale, megjithëse ishte vetë përfaqësuesja e organit të Akuzës që kishte kërkuar marrjen e raportit financiar pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA), ku janë analizuar të dhëna jo vetëm për familjen e gjyqtarëve, por edhe të babait të Shkëlzen Selimit.
Në përfundim të procesit të rivlerësimit, organet e Vetingut, jo vetëm nuk kanë gjetur pasuri të fshehura, por përkundrazi kanë arritur në konkluzionin se pasuritë janë me burime të ligjshme.
Ish-gjyqtari Selimi kërkoi nga gjykata që, për të kryer një proces të plotë dhe të saktë, të thërriste në seancë si dëshmitarë këshilltarët dhe ekspertët e njësisë ligjore dhe ekonomike të KPK-së dhe KPA-së, si edhe komisionerët që kanë kryer Vetingun e tij, për të dhënë shpjegime mi ligjshshmërinë e pasurisë.
Në vijim, ish-gjyqtari i lartë, Shkëlzen Selimi, hodhi akuza të forta se kanë humbur prova dhe kërkesa proceduriale të dorëzuara prej tij gjatë hetimit penal, duke sjellë paligjshmëri.
Në përfundim të një debati mbi 2 orë e 30 minuta, gjykata vendosi të caktojë seancën e radhës në 28 Shtator 2023, ku do të pyeten ekspertët.