Ilir Beqaj, promotori kryesor i konçesionit të sterilizimit të paisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milion euro, tashmë është vënë në lupën e SPAK, ku pasuria e tij rezulton të jetë objekti kryesor i hetimti.
Verifikimi i pasurisë së Beqaj dhe njerëzve të afërm të tij, është një nga detyrat që gjykata e posaçme i ka lënë dy prokurorëve të SPAK, për të hetuar.
Ndërsa hetimet janë shtrirë edhe në akuzën e “Korrupsionit pasiv” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.
Sipas dosjes paraprake të SPAK, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj së bashku me ish-zv/ministrin Klodian Rjepaj, janë dy njerëzit kryesorë që kanë organizuar dhe miratuar, me të gjitha mënyrat konçesionin e sterilizimit, duke ja dhuruar këtë biznes dy miqve të tyre, Ilir Rrapaj dhe italianit Umbro Staçini.
Për shkak të kësaj marëdhënie miqësie apo qoftë dhe shoqërore, Ilir Beqaj, në këtë procedurë konçesionare, ka qënë në konflikt të hapur të interesit, teksa ka firmosur 4 dokumentat kryesorë të konçesionit 10 vjeçar htë sterilizimit të paisjeve kirurgjikale.
Ndërsa si pasojë e kësaj situate, kanë lindur dyshime të arsyeshme bazuar në prova konkrete, se Beqaj dhe ish-zv/ministri i Shëndetësisë Rrjepaj, kanë përfituar shuma parash.
Beqaj në fund të vitit 2015 dhe gjatë vitit 2016, u hetua nga prokurori i Tiranës, Endrit Bimi. Por ky i fundit nuk çoi deri në fund hetimet, duke vendosur pushimin e çështjes penale.
Ndërkohë sot, për të provuar dhe zbardhur çdo dyshim të arsyeshëm të aferës korruptive, SPAK po kryen hetime për verifikimin e pasurisë së ish-ministrit të Shëndetësisë dhe jo vetëm.
Një pjesë e pasurisë së Ilir Beqaj është zbardhur përmes burimeve të hapura të informacionit. Ndërsa SPAK, i nevojitet kohë për të hedhur dritë mbi pasuritë e mundshme të fshehura në emra të tjerë.
Beqaj e ka nisur karrierën e tij në administratën publike si drejtor i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, duke vijuar më pas të mbajë disa poste publike në administratë deri në Ministër i Shëndetësisë gjatë periudhës 2013 deri në vitin 2017.
Gjatë kësaj kohe Ilir Beqaj, ka shërbyer si sekretar në PS dhe komisar politik i PS në disa qarqe.
Beqaj, do mbahet mend edhe për skandalin, ku shkarkoi me telefon Drejtorin e Fondit të Kujdesit Shëndetësor në Tropojë, Ndriçim Hajdarmataj, pasi ky i fundit mungoi në mbledhjen e PS-së, në Tropojë.
Beqaj i kërkon llogari në telefon se përse nuk ishte në mbledhjen e Partisë Socialiste të Qarkut dhe në fund i thotë, madje i përsërit disa herë shprehjen: “…Suksese në jetë…!”, duke i lënë të kuptohet se ishte shkarkuar nga detyra.
Përmes dokumentave është provuar se Beqaj dhe familjarët e tij gëzojnë disa pasuri në Tiranë dhe jo vetëm, pasi ka indicie të forta përmes dëshmitarëve se Beqaj ka apartament dhe në zonën e “Lungomares” në Vlorë.
Sipas shkresave të siguruara ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe gruaja e tij, Adriana Beqaj, në datën 19 dhjetor 2016 janë bërë pronarë të një apartameni me sipërfaqe 198.92 metra katror në Tiranë.
Pasuria ndodhet në kryeqytet në rrugën “4 shkurti“ dhe është blerë kundrejt një shumë prej 142 mijë euro.
Gjithashtu në të njëjtën datë 19 dhjetor 2016, Ilir Beqja dhe gruaja e tij, në të njëjtin pallat ku blenë apartamentin, rezultojnë të kenë blerë dhe një garazh me sipërfaqe prej 20 metra katror.
Një tjetër pronë me vlerë mbi 150 mijë euro, Ilir Beqaj e ka rregjistruar qysh prej muajit Shtator 2001, dhe pasuria ndodhet në rrugën “Gjin Bue Shpata”, që ndodhet mes zonës së ish-bllokut dhe stadiumit “Selman Stërmasi”.
Kjo pasuri rezulton e rregjistruar në emër të Ilir Beqaj, vëllai të tij, Fatos Beqaj dhe nënës, Lirije Beqaj.
Po kështu në emër të Ilir Beqaj, rezulton i rregjistruar një apartament që ndodhet në rrugën “Pjetër Bogdani” me sipërfaqe 96 metra katrorë. Por këtij apartamenti në 13 shtator 2010 i është vendosur në kartelën e pasurisë, shënimi i rregjistrimit në favor të “Alpha Bank”.
Pasuria dhe përfitimet e Beqaj karakterizohen mes ofiqeve të tij në administratën publike dhe biznesit të kompanisë “INTECH+”,e cila ka përfituar një pjesë të mirë të tortës në tenderat publikë.
Edhe pse me fitim të konsiderueshëm, Ilir Beqaj, deklaron se në Gusht 2013 ka shitur 51 për qind të kompanisë INTECH+ tek shoku i tij, Sokol Sinani, me vlerën financiare prej 183 milion lekë të vjetra.
Por pas shitjes së kësaj kompanie dhe hyrjes së Ilir Beqaj ministër Shëndetësie në vitin 2013 e në vijim, kompania u kthye në protagonisten kryesore të fitimit të tenderave publikë, duke arkëtuar miliona euro.
Hija e Ilir Beqaj ka shumë dyshime se shfaqet pas çdo suksesi në tendera të kësaj kompanie.
Oreksi i kësaj kompanie, ka ardhur duke u shtuar në vitet në vijim pasi ka rrëmbyer gjatë vitit 2015-2018, plot 248 transaksione nga Thesari i Shtetit me vlerë totale prej 5 miliarde e 433 milion lekë.
Gjithashtu nga viti 2019 deri në vitin 2023, kompania “INTECH+” ka fituar 352 transaksione bankare me vlerë financiare prej 4 miliard e 565 milion lekë.
Të ardhura finaciare dhe pasuri, Beqaj disponin bizenese të tjera si një aktivitet tregtar konsulence në emër të gruas, Adriana Beqaj, dhe firmave të tjera si “Albania Ionian Coast Olive Oil”, “Proinvest Al” të menaxhuara nga bashkëshortja, Adriana Beqaj.
Vetëm nga personi fizik si konsulente, gruaja e Beqaj deklaron se ka të ardhura prej gati 70 milion lekë të vjetra neto.
Kompania “Albania Ionian Coast Olive Oil” është hapur në Sarandë në vitin 2019 mes Renata Sinanit dhe Adriana Beqaj, e cila ka si objekt mbjelljen dhe kultivimin e pemëve të ullirit dhe prodhimin e vajit të ullirit me qëllim eksportimi.
Adriana Beqaj deklaron një nipt si Fermere me Nr.L84121931F, nga i cili ka fituar rreth 3 milion lekë të vjetra.
Gruaja e Ilir Beqaj, disponon gjysmën e një apartamenti në Tiranë,të përfituar me akt-trashëgimie. Ndërsa emri i saj shfaqet dhe tek kompania “Albania Food and Hospitality Lab”.
Tek kjo kompani e themeluar në vitin 2019, gruaja e Beqaj zotëronte 50 për qind të aksioneve. Por pas 1 muaj nga themelimi i firmës, ajo ja ka dhuruar aksionerit tjetër Arti Malaj, 35 për qind të aksioneve.
Shitja e aksioneve të mbetura prej 15 për qind të kësaj kompanie,ka vijuar dhe në vitin 2020, duke hequr përfundimisht dorë nga kjo pasuri. Shitja e aksioneve është kryer tek Arti Malaj, me vlerën 1 milion e gjysëm lekë dhe nuk është kryer përmes dhurimit.
Ndërsa rezulton se gjatë vitit 2004-2005, Ilir Beqaj ka fituar një shumë monetare në euro prej 26 mijë e 460 euro duke shërbyer si konsulent pranë dy kompanive të huaja si “Valtech Francë” dhe “Sema Belgium”.
Ndërsa njëherësh ka deklaruar 4 paga me vlera të ndryshme financiare në shtet, si Anëtar i Këshillit Administrativ në SHSSH, si Anëtar i Këhsillit Administrativ në ISKSH, si Kryetar Komisione në Këshillin e Ministrave dhe si Drejtor iInstitutit të Sigurimeve Shoqërore.
Gjithashtu në vitin 2005 Ilir Beqaj, deklaron se disponon 7 llogari bankare në vlera të ndryshme në lek, euro dhe dollar.
Ndërsa në deklaratën e po këtij viti pasqyrohet të ardhura 9.2 milion lekë të vjetra të përfituara nga qëraja e një apartamenti, 4 mijë euro të përfituara nga shërbime konsulence në “SOROS” e bashkëshortes së tij dhe 600 mijë lekëtë vjetra të fituara si interes bankar nga 20 milion lekë të investuara në Bono Thesari.
Kurse në deklaratën e pasurisë të vitit 2010,kohë kur Ilir Beqaj ishtë bërë Deputet i Kuvendit të Shqipëris, ai ka deklaruar si pronë të tij tre apartamente, me vlerë totale prej 257 mijë euro. Kjo shifër financiare, sipas Beqaj është siguruar përmes dhurimit të dy prindërve të tij Hamit dhe Lirije, në kredie në Bankën e Kursimeve, nga puna dhe aktiviteti profesional e sipërmarja.
Beqaj deklaron aksione 51 për qind në kompaninë “INTECH +” me vlerë kapitali 112 milion lekë të vjetra. Deklaron një autoveturë “Toyota RAV4” me vlerë 24 mijë euro.
Ndërsa gruaja e tij në vitin 2010 Adriana Beqaj, deklaron 8 llogari bankare dhe aksione me vlerë 10 mijë euro në kompaninë “Proinvest Al” si dhe 3.320 euro dhuratë.
Në deklaratën e vitit 2019-2020 të ardhura financiare deklaron dhe Dëborah Beqaj, vajza e ish-ministrit të Shëndetësisë, e cila nga muaji Prill deri në dhjetor 2020 ka fituar 17 mijë euro për shkak të punës me “Brightstone Group“ që kryen në një bankë në Utreht të Hollandës.
Ndërsa për vitin 2019 pohon se ka pasur të ardhura gjatë punës në Tiranë prej mbi 2 milion lekë të vjetra./OraNews