Victor Da Silva prej ditësh është kthyer në çështje te Partizani. Braziliani që pas sfidës së kthimit me Valmieran ndodhet i pezulluar nga stafi i kuq, ndërsa ende nuk dihet se cili do të jetë fati i tij nëkëtë sezon.
Lojtari nuk stërvitet me pjesën tjetër të skuadrës dhe as nuk grumbullohet nga trajneri Zoran Zekic.
Gjithësesi ka një kusht që Da Silva t’i shpëtojë më parë pezullimit. E gjitha ka të bëjë me Dwamenan.
Ky i fundit pëlqehet nga kampionët, ndërsa për brazilianin kan ëinteres rrogozhinasit.
Në këto kushte drejtuesit e Partizanit dëshirojnë një shkëmbim të lojtarëve dhe në këtë mënyrë Da Silva do të kalonte te Egnatia dhe Dwamena në kryeqytet.
Por diçka e tillë vështirë të ndodhë, pasi rrogozhinasit nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga kapiteni i tyre.
Në këto kushte pezullimi i Da Silvës mbetet në fuqi, pasi Partizani e ka ndëshkuar pa afat. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë mes palëve, por gjithësesi duket se një largim është në “horizont”.