Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me sherrin e ndodhur në Kavajë mbrëmjen e djeshme, ku u dhunua me sende të forta, grushte dhe shkop bejsbolli, 49-vjeçari Zenel Lushkja.
Mësohet se mollë sherri është bërë një borxh i pashlyer në shumën e 25 mijë eurove.
Njëri prej autorëve të sulmit ndaj 49-vjeçarit, i identifikuar si Danjel Habibi i ka pasur borxh shumë në fjalë Lushkjas.
Në debat e sipër 49-vjeçari i revoltuar e ka goditur me grusht Habibin, por brenda lokalit ku ndodheshin, persona të tjerë kanë ndërhyrë për të shuar konfliktin.
Megjithatë sherri nuk ka përfunduar në lokal, pasi disa orë më vonë dyshja janë konfliktuar sërish dhe 49-vjeçarit i kanë goditur edhe makinën.
Policia ka nisur një hetim lidhur me ngjarjen dhe po punon për kapjen e autorëve, ndërsa i plagosuri Zenel Lushkja po trajtohet me ndihmën e nevojshme mjekësore në spital.
Ndërkohë, janë publikuar edhe pamjet e dhunës brutale që është ushtruar ndaj 49-vjeçarit.
Siç shihet nga pamjet, 4 persona dalin nga një makinë dhe i vërsulen Lushkjas, i cili ndodhej në një tjetër mjet. Një nga autorët është 23-vjeçari Danjel Habibi, ndërsa një tjetër është identifikuar si shtetasi me iniciale Q.B. 35 vjeç.
NJOFTIMI:
Rreth orës 20:15, në lagjen nr. 1 Kavajë, dyshohet se shtetasit D. H., 23 vjeç , dhe Q. B., rreth 35 vjeç, janë konfliktuar me sende të forta me shtetasin Z. L., 49 vjeç.
Si pasojë e konfliktit shtetasi Z. L., është dëmtuar dhe po merr ndihmën mjekësore në spitalin e Kavajës, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë po kontrollojnë zonën për lokalizimin dhe kapjen e dy autorëve të dyshuar.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.