Nga Bold News.al
Prej disa vitesh, historia e pronarëve “në letra” të kompanisë koncesionare “Integrated Energy bv” të landfillit të Sharrës ishin fiksuar në dy momente, të cilat nuk kishin asnjë lidhje me pronarët de fakto, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.
Momenti i parë: Në vitin 2021, bazuar në ligjin e sapo-miratuar për “Regjistrimin e Pronarëve Përfitues”, u shënuan për herë të parë pronarët fundorë. Ata ishin Giuseppe Ciaffaglione, Alberto Presezzi dhe Salvatore Ruselli, të cilët zotëronin kompaninë mëm në Hollandë, fillimisht me emrin “Integrated Energy” dhe më tej me “Geogenix bv”.
Momenti i dytë: Në Prill të vitit 2023, shënohen ndryshimet në Regjistrin e Pronarëve Përfitues. Largohen Ciaffaglione dhe Ruselli dhe pronarit që mbetej, Presezzi, i shtohen Max dhe Dominique Abitoll.
Punimet e Komisionit Hetimor Parlamentar për inceneratorët, të zhvilluar në fillim të vitit 2022, zbuluan një moment të tretë, i cili në fakt kishte të bënte me fillesën e kompanisë koncesionare.
Në Gusht 2016, dy kompanitë italiane, “Paul Wurth”, “Energy Recuperator spa” dhe shoqëria shqiptare “Integrated Technology Service” e Klodian Zotos, krijojnë shoqërinë “Integrated Energy bv”, me seli në Hollandë, e cila fitoi kontratën koncesionare për landfillin e Sharrës.
Në punimet e Komisionit Hetimor u provuar për herë të parë, me dokumenta, ajo që dihej prej kohësh se në landfillin e Sharrës ishte i përfshirë Zoto, emri i të cilit ishte prezent edhe në dy koncesione të tjera mbetjesh, në Elbasan dhe në Fier.
Ndërkohë, hetimet e Prokurorisë së Posaçme, të finalizuara së fundi me sekuestrimin e kompanisë koncesionare të Sharrës, arritën në përfundimin se Klodian Zoto nuk ka qenë thjesht një aktor në këtë histori.
Ai ka qenë fillimi dhe fundi i kompanisë koncesionare të Sharrës. Në krah të tij ka qenë gjithnjë “njeriu hije”, Mirel Mërtiri.
“Boldnews.al” ka siguruar të dhëna të mjaftueshme nga hetimi i Prokurorisë SPAK, në të cilat kuptohen manovrat “ndërkombëtare” për të fshehur pronësinë e vërtetë të kompanisë që fitoi kontratën 428 milionë euro në total.
Tiranë-Amsterdam
Në qershor të vitit 2016, kompanitë “Integrated Technology Service” e Zotos, si edhe “Paul Wurth” dhe “Energy Recuperator”, i drejtohen Ministrisë së Mjedisit me një “propozim të pakërkuar” për ndërtimin e një impianti të përpunimit të mbetjeve në Sharrë të Tiranës, i cili përfshinte edhe një incenerator për djegie mbeturinash.
Në gusht 2016, të treja kompanisë, sjellin të njëjtin “propozim të pakërkuar”, me disa detaje më tepër, por kësaj radhe në emrin e një entiteti të ri që kishin krijuar të treja, “Integrated Energy bv”, me seli në Amsterdam të Hollandës.
Një vit më pas, në Gusht 2017, kompania “hollandeze”, “Integrated Energy bv” fiton kontratën koncesionare për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Sharrës, me kosto 128 milionë euro, bazuar mbi një procedurë tejet të dyshimtë dhe që aktualisht është nën hetim nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion.
Pas fitimit të kontratës koncesionare, kompania “mëmë”, e cila kishte regjistruar në Shqipëri një shoqëri me të njëjtin emër, “Integrated Energy”, fillon të shpërbëhet nga aksionerët.
Pak javë pas nënshkrimit të kontratës koncesionare, e më saktësisht në Dhjetor 2017, aksioneri “Paul Wurth” vendos të shesë aksionet e tij tek ortaku tjetër, “Integrated Technology Service (ITS)” e Klodian Zotos. Shumë shpejt, në Janar 2018, edhe “Energy Recuperator”, e cila tashmë zotërohej nga “Paul Wurth” shet aksionet tek kompania e Zotos.
Pronari i vetëm mbetet “ITS” e Zotos. Ky fakt ka mbetur tejet diskret dhe u bë i ditur vetëm pas hetimeve të SPAK-ut.
“Paul Wurth” sa për figurë
Thomas Hansman i “Paul Wurth” është pyetuar nga prokurorët e SPAK-ut nëpërmjet një letër-porosie për rolin në kompaninë mëmë të koncesionarit të Sharrës.
Hansman deklaroi se “Paul Wurth” ka kontribuuar për të krijuar kompaninë “Integrated Energy bv”, e cila kishte një projekt për menaxhimin e mbetjeve në Tiranë.
Po ashtu, ai ka deklaruar se diku nga viti 2016-2017, ka blerë aksionet e “Energy Recuperator”, e cila ishte në pronësi të Ernesto Grenelli. Ishte ky i fundit që e kishte njohur me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin.
Hansman deklaroi se ai shiti aksionet e tij të “Integrated Energy bv” tek aksioneri tjetër, “ITS” e Klodian Zotos, pasi projekti për inceneratorin e Sharrës nuk po realizohej, për shkak të mungesës së financimit.
Ai thotë se shitja, e formalizuar me një kontratë datë 28 Dhjetor 2017, ka qenë në një vlerë fare minimale dhe ai nuk ka marrë asnjë përfitim nga kontrata koncesionare.
Po ashtu, ai deklaron për prokurorët shqiptare se në 12 janar 2018, ka shitur tek ‘ITS” e Zotos edhe aksionet e ortakut tjetër, “Energy Recuperator”, që zotërohej gjithashtu nga “Paul Wurth”.
Thomas Hansman deklaron se njeh vetëm Klodian Zoton dhe nuk ka dijeni se cilët janë personat që kanë kryer detyrën e drejtorit apo menaxherëve të kompanisë “hollandeze”, gjatë kohës që ai ka qenë aksioner i “Integrated Energy bv”.
Ndërkohë, SPAK-u, gjatë verifikimit të kompjuterit personal të Klodian Zotos, është gjetur një kontratë në format ëord, me palë “Paul Wurth”, “ITS” dhe “Energy 2” që mban datën 29 Korrik 2016, pra një vit para se të fitohej koncesioni i Sharrës.
Në atë kontratë thuhej se “Paul Wurth” dhe “Energy Recuperator” do të ishin të detyruara të shisnin aksionet e tyre që kishin tek “Integrated Energy bv”, tek “Integrated Technology Service” e Klodian Zotos, në momentin që do t’i kërkohej nga ky i fundit.
Për prokurorët shqiptarë, kjo dëshmon se dy kompanitë italiane janë përfshirë në shoqërinë “Integrated Energy bv” vetëm për të plotësuar kriteret për kontratën me qeverinë shqiptare dhe se Zoto ishte “de fakto” përfituesi i koncesionit të Sharrës.
Tentativat për fshehjen e pronarëve
Prej këtij momenti, kur “ITS” e Zotos merr kontrollin e plotë edhe “de jure”, në janar 2018, nisën lëvizjet për të fshehur pronarët reale të kompanisë “hollandeze” dhe për të mos u bërë të dukshëm në Shqipëri.
Këto tentativa lexohen në disa komunikime të kapura nga SPAK-u në kompjuterin e Klodian Zotos.
Një bisedë elektronike zhvillohet në 29 dhjetor 2017 mes Klodian Zotos dhe një prej menaxherëve të emëruar në kompaninë “mëmë” në Hollandë, Marc Lappat.
“Nga diskutimi ynë kuptova se ‘Energy Recuperator’ shiti aksionet tek ‘Integrated Technology Service” e juaj. ‘Paul Wurth parashikon të transferojë aksionet e saj të kompanië në Hollandë tek ‘Integrated Technology Service’ dhe një kuotë do ta transferojë tek një fondacion i ri hollandez. Këtë kuotë do ta mbajë vetëm me qëllimin që të shmang përmendjen e Integrated Technology Service në regjistrin publik si aksioner i vetëm…”, bën Marc Lappat një përmbledhje të komunikimit me Klodian Zoton.
Në 24 Mars 2019, Denisa Tollkuçi, juriste e Klodian Zotos, i drejtohet përfaqësuesit të kompanisë italiane, “Paul Wurth” Fabrizio Strobino: “Në këtë moment, aksioneri i kompanisë është Giuseppe Ciaffaglione, i cili zotëron 100 përqind të aksioneve. Tashmë ju i dini arsyet e transaksioneve”. Ky komunikim lë të kuptohet se Ciaffaglione është përdorur thjesht si “mbulesë” për pronarët realë.
Në të njëjtën periudhë me këto komunikime, por edhe kohë më pas, janë zbuluar nga SPAK-u një seri komunikimesh elektronike, ku dalin hapur Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të cilët merren me menaxhimin financiar, raportet me nënkontraktorët, vendimmarrjen për drejtorët dhe menaxherët e kompanisë.
Praktikisht, aty dalin hapur si pronarë realë të koncesionarit të Sharrës dhe kompanisë mëmë të saj në Hollandë.
Por, në letra funksionon ndryshe.
Pronarët e parë “në letra”
Kompania hollandeze “Integrated Energy bv” (më pas “Geogenix”) regjistron për herë të parë në regjistrat shqiptarë “pronarët fundorë në letra”, në 25 qershor 2021, bazuar në detyrimin që rridhte nga ligji “Për Regjistrimin e Pronarëve Përfitues” që kishin mbi 20 përqind të aksioneve.
Emrat që shënohen si pronarë të kompanisë që zotëronte koncesionarin e Sharrës janë: Giuseppe Ciaffaglione me 30 përqind të aksioneve; Salvatore Ruselli nëpërmjet kompanisë “Hydros srl” me 25 përqind të aksioneve; dhe Alberto Presezzi nëpërmjet “Presezzi spa” me 30 përqind.
Ciaffagflione, “pronar” me aksione dhuratë
Ciaffaglione, i cili më herët u shfaq si “aksioner 100 përqind” i kompanisë hollandeze, aktualisht është në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare, për një histori korrupsioni me ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë Alqi Bllako, të zbuluar gjatë hetimit të zhvilluar nga SPAK-u për inceneratorin e Fierit.
Ndërkohë që po bën përpjekjet në Itali për t’iu shmangur përballjes ligjore në Shqipëri, ai i është përgjigjur pyetjeve të SPAK-ut, nëpërmjet letër-porosisë.
Në Regjistrin e Pronarëve Përfitues, Ciaffaglione rezulton pronar fundor i “Geogenix bv” me 18 përqind të aksioneve.
Ai deklaron se nuk ka paguar asnjë lekë për këto aksione, por i janë dhuruar nga Klodian Zoto, për bashkëpunimin e vazhdueshëm në rrafshin teknik, fillimisht në inceneratorin e Elbasanit dhe në atë të Fierit.
Ciaffaglione duket një “njeri i bindur” i dyshes Mërtiri-Zoto, pasi pranon që ka nënshkruar “letra të bardha”, dokumenta financiarë apo teknikë, të cilët nuk i kishte hartuar vetë. Po ashtu, ai deklaron për prokurorët e SPAK-ut se atij i jepeshin kupona për të kryer transferta financiare bankare pa e ditur shumën që transferohej.
Giuseppe Ciaffaglione, megjithëse rezultonte pronar “de jure” i kompanisë mëmë në Hollandë, ai ka deklaruar për prokurorët se nuk njeh asnjë nga personat që kanë kryer në kohë të ndryshme detyrën e menaxherit apo drejtorit pranë “Geogenix” në Amsterdam.
Dyshimet e SPAK-ut janë që Giuseppe Ciaffaglione është regjistruar “fiktivisht” si pronar real.
Ruselli, pronar “pa dijeni”
Në Regjistrin e Pronarëve Përfitues në Shqipëri, Salvatore Ruselli dhe kompania e tij, “Hydro Srl” rezulton se është pronar fundor me 25 përqind në shoqërinë “mëmë” të koncesionarit të Sharrës, “Geogenix bv”.
Ruselli ka deklaruar për prokurorët shqiptarë se ka rënë në kontakt me shoqërinë koncesionare të Sharrës, “Integrated Energy bv” nëpërmjet italianit tjetër, Giuseppe Ciaffaglione.
Ai ka marrë një ofertë për të ndërtuar impiantin e kullimisht në Sharrë dhe, për të mbajtur kontaktet me projektin në Shqipëri, ka blerë në vitin 2020 një kuotë të vetme, me vlerë të papërfillshme, në kompaninë hollandeze “Geogenix bv”.
Ai deklaron se është në pritje të finalizimit të kontratës për impiantin e kullimit, por nuk ka asnjë informacion për situacionin dhe kohën kur mund të përfundojnë punimet civile në zonën e mbetjeve në Tiranë.
Po ashtu, Ruselli deklaron se nuk ka informacion dhe as nuk e ka vënë njeri në dijeni se rezulton pronar fundor me 25 përqind të kompanisë hollandeze “Geogenix”. Gjithashtu, ai deklaron se nuk ka autorizuar asnjë person që të përdor të dhënat e tij për regjistrimin në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Shqipëri.
Presezzi nuk ishte ortak në 2021
Në qershor të vitit 2021, Alberto Presezzi, nëpërmjet kompanisë “Franco Tosi Mecanica”, regjistrohet si pronar përfitues i shoqërisë holandeze “Geogenix bv”, me 43 përqind të aksioneve.
Por, referuar të dhënave të deklaruara prej tij për llogari të Prokurorisë së Posaçme, ai në atë kohë nuk rezulton të ketë pasur aksione në shoqërinë “mëmë” të inceneratorit të Tiranës.
Alberto Presezzi deklaron se ka rënë fillimisht në dijeni të projektit për inceneratorin e Fierit në vitin 2017, bazuar në kontaktet me Giuseppe Ciaffaglione. Po ashtu, kontaktet mes tyre kanë vijuar edhe në vitin 2018 e 2019 për projektin e inceneratorit të Sharrës, por nuk kanë konkretizuar asnjë lloj bashkëpunimi mes tyre.
Më tej, Presezzi thotë se kompania e tij, “Franco Tosi Mecanina”, në 6 Prill 2022, nënshkroi Marrëveshje me Giuseppe Ciaffaglione për të marrë aksione tek shoqëria hollandeze “Geogenix bv”.
Pra, siç shihet, ai pranon që ka hyrë në kompaninë “mëmë” në prill të vitit 2022, ndërkohë që në Regjistrin e Pronarëve Përfitues të Shqipërisë, ai është regjistruar si pronar fundor një vit më parë, në qershor 2021.
Pronarët e dytë në letra-“në gjumë”
Emri i Alberto Presezzi shfaqet edhe në listën e pronarëve të dytë fundorë “në letra” të shoqërisë hollandeze “Geogenix”.
Në Prill të vitit 2023, në Regjistrin e Pronarëve Përfitues të Shqipërisë për kompaninë “Geogenix” bëhet këto ndryshime: largohen aksionerët Salvatore Ruselli dhe Giuseppe Ciafagglione. Mbetet Alberto Presezzi, ndërkohë që shtohen Max dhe Dominique Abitol, nëpërmjet kompanisë së tyre me seli në Zvicër, “ICARE”.
Sipas deklarimeve të Presezzi, kompania e tij “Franco Tossi” dhe “ICARE” iu bashkuan shoqërisë “mëmë” të inceneratorit të Tiranës, në bazë të një Marrëveshjeje me ish-aksionerin, Giuseppe Ciaffaglione.
Presezzi dhe “ICARE” rezultojnë aksionerët maxhoritarë të “Geogenix bv”. Megjithatë, aksionet e tyre janë jo-aktive, “të fjetura”, siç përmenden në dokumentat e SPAK-ut.
Sipas Marrëveshjes Ciaffaglione-Presezzi-ICARE, aksionet e këtyre dy të fundit do të aktivizoheshin vetëm në rast se ata do të gjenin financim me vlerë 100 milionë euro për inceneratorin e Sharrës.
Pasi të gjendej financimi nga këto dy shoqëri (Presezzi dhe ICARE), do të aktivizoheshin si aksionerë të kompanisë “Geogenix bv” në Hollandë dhe do të merrnin kontrollin e plotë dhe menaxhimin financiar të saj.
Alberto Presezzi deklaron se nuk ka dijeni dhe informacion se çfarë ndodh me menaxhimin financiar dhe kontrollin e shoqërisë hollandeze “Geogenix bv”, pasi ai dhe shoqëria zviceriane “ICARE” nuk kanë arritur që të sigurojnë financimin për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.
Presezzi deklaron se, megjithëse zotërojnë shumicën e aksioneve të “Geogenix”, për shkak se ato janë të fjetura, ai dhe zviceranët e ICARE nuk kanë asnjë rol në kompani, nuk e dinë se si menaxhohet dhe kush i cakton drejtorët e saj. Ai thotë se nuk e di se ku përfundojnë të ardhurat e përfituara nga koncesionari i Sharrës
Gjithçka rreth Zoto-Mërtirit
Duke i përmbledhur deklarimet e këtyre personazheve, krijohet idea se një grup biznesmenësh e investitorësh të huaj “naivë”, të cilët janë përdorur ose keqpërdorur për projektin multi-miliona euro të Sharrës.
Ndërkohë që vërtetësia e deklarimeve të tyre mbetet për t’u verifikuar nga hetimet e SPAK-ut, gjithësesi në fjalët e tyre ka një elementë të përbashkët.
Ata njohin të gjithë si menaxherë dhe drejtues të projektit për inceneratorin e Sharrës dy personazhe: Klodian Zoton, pronarin e “Integrated Technology Service” dhe Mirel Mërtirin, i cili nuk figuron askund si pronar, por që konsiderohet si “truri” i menaxhimit të të gjithë operacioneve financiare në impiantin e mbetjeve të Sharrës.
Në fund të Korrikut 2023, Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) vendosi nën sekuestro kompaninë koncesionare të landfillit të Sharrës, “Integrated Energy bv”, në kuadër të hetimit për “shpërdorim detyre”, “korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë dhe të të zgjedhurve vendorë” e “pastrim të produkteve të veprës penale”.
Në njoftimin zyrtar për këtë zhvillim, SPAK-u deklaron se “nga aktet e administruara deri në këtë fazë të hetimit….ka rezultuar se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, si dhe janë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.