Ish-ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri mohon se i është paguar qëndrimi në hotele jashtë vendit nga “bosi i inceneratorëve” Klodian Zoto.
Një ditë më parë, në media u raportua se në dosjen në ngarkim të Arben Ahmetajt, SPAK thotë se në dy raste, Klodian Zoto i ka paguar qëndrimet në hotel edhe ish-ministrit Damian Gjiknuri.
Akuza që deputeti socialist i mohoi gjatë një prononcim për gazetarët këtë të enjte, teksa futej në seancë plenare.
“Unë qëndrimet e mia i kam bërë publike në komisionin hetimor, s’ka ndodhur asgjë e re që nga ajo kohë, përveç se gjithsekujt që do të përmendë emrin tim për ngritjen e kauzave politike”, tha Gjiknuri.
Lidhur me dy udhëtimet që përmenden në dosjen e prokurorisë, Gjiknuri thotë se ato janë zyrtare dhe se ministria disponon dokumentet përkatëse për shpenzimet, ndryshe nga sa konkludon prokuroria.
I pyetur pse nuk i publikon dokumentet që të vërtetojë pretendimet e tij, Gjiknuri u shpreh: Po i publikova faturat, çfarë do thuash pastaj? Pse çfarë jam unë të shuaj kuriozitetin tuaj?!
Ai u shpreh se nuk ka bërë shkelje ligjore në firmosjen e dokumenteve ku ka dhënë dakordësi për projektet e inceneratorëve të përfituara nga kompanitë e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit.
“Të gjitha udhëtimet, të pretenduara janë udhëtime zyrtare, ka dokumentacion përkatës në Ministrinë e Infrastrukturës. Janë në dijeni që mbase edhe prokuroria i zotëron, edhe unë i zotëroj, por udhëtimet e mia si ministër janë të deklaruara, janë udhëtime zyrtare dhe nuk kam vajtur për qejf. Sa i përket rolit tim si ministër, roli im si ministër nuk ka asnjë shkelje në asnjë procedurë. I kam shpjeguar në Komision Hetimor roli që ka pasur ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë. Nuk ka dalë dikush të citojë një shkelje ligji nga unë si ministër. Firmosja në një akt të qeverisë nuk përbën as vepër penale, as shpërdorim detyre sepse çdo ministër përgjigjet për atributin e zyrës që përfaqëson dhe nuk është qeveria organizatë kriminale, por institucion i organizuar ku secili ministër shpreh mendimet e tij dhe ushtron funksionin sipas detyrës që ka. Mos e bëni hetimin penal sikur po hetojmë pacientin zero, ky njeh këtë, dhe secili paska marrë virusin. Bëhet fjalë për akte zyrtare dhe pasoja konkrete. Lidhjet rastësore me personat, apo njohjet nuk kanë asnjë lloj vlere”, tha Gjiknuri.
LEXO EDHE: