Shoqëri, që operojnë në sektorin Fason hapin dhe mbyllin NIPT-e, transferojnë aktivitetin nga një emër në tjetrin me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe mospagesën e sigurimeve shoqërore ndaj punëmarrësve
Administrata Tatimore ka zbuluar një skemë mashtrimi me Sigurimet Shoqërore. Subjekte të ndryshme, që operojnë në sektorin Fason, të lidhura me njëra tjetrën kanë përdorur skemën e hapjes dhe mbylljes së NIPT-ve, kalimin e biznesit nga një emër në një tjetër me qëllim shmangien e pagesës së Sigurimeve Shoqërore për punonjësit e tyre.
Në subjektet e identifikuara nga Administrata Tatimore janë konstatuar individë me shtetësi shqiptare dhe italiane, që ushtrojnë aktivitete ekonomike në disa qytete të Shqipërisë, të cilët kanë transferuar aktivitetin e tyre nga një emër në një emër tjetër si palë të lidhura, me qëlllim shmangien e mundësisë së Administratës Tatimore për mbledhjen e detyrimeve të punonjësve të tyre.
Administrata Tatimore, në zbatim të ligjit nr. 9920 për “Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” e konsideron këtë fenomen si një nga shkeljet më të rënda që një biznes i bën shtetit dhe punëmarrësit pasi këto biznese jo vetëm kanë shmangur detyrimet fiskale, por gjithashtu me veprimet dhe mosveprimet e tyre nëpërmjet skemave të ngritura kanë dëmtuar edhe punonjësit e tyre, të cilëve për një kohë të caktuar nuk i kanë paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, duke i rrezikuar pensionin si dhe mbulimin e shërbimeve shëndetësore.
Administrata Tatimore po ndjek me prioritet hetimet ndaj këtyre shoqërive për të vërtetuar dhe dokumentuar shkeljen e ligjit dhe për ti kallëzuar këto shoqëri dhe individë përgjegjës me shkelje të rëndë pranë organeve ligjzbatuese.
Administrata Tatimore është e angazhuar në misionin e saj për të evidentuar dhe dokumentuar raste të tjera të këtyre shmangieve, me qëllim mbledhjen e detyrimeve tatimore dhe mbrojtjen e individëve të punësuar. Inkurajojmë çdo të punësuar në Republikën e Shqipërisë të denoncojë pranë DPT rastet e mospagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore nga ana e punëdhënësit si e drejtë ligjore që çdo qytetar ka për të siguruar pension në të ardhmen dhe shërbime shëndetësore falas.