Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi vendim për konfiskimin e pasurisë së subjektit Jania Alia.
Shtatë pasuritë e Jani Aliajt, nga dyqane, ullishte e vilë, do i kalojnë shtetit. Ai u bë subjekt i OFL-së në mars 2022, ku iu kërkuar deklarimi i burimit të pasurisë.
46 vjeçari është dënuar në mungesë nga Gjykata e Tiranës me burgim të përjetshëm, për vrasjen e Elton Çiçës, ngjarje e ndodhur më 1 maj të vitit 2016, në kryeqytet.
Aktualisht vijon të jetë një ndër personat më të kërkuar nga Policia e Shtetit. Gjithashtu ndaj Jani Aliajt ka edhe një masë arresti me burg dhënë nga Gjykata e Përmetit, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër, mbetur në tentativë”, në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Kush është Jani Alia?
Emri i shtetasit Jani Alia është mjaft i njohur edhe për faktin se krimi për të cilin është dënuar ka ndodhur brenda një lokali në zonën e Ish-bllokut në Tiranë, ku ekzekutoi Çiçon.
Por, si nisi konflikti mes dy personazheve të njohur të botës së krimit. Jani Alia dhe Elton Çiço janë që të dy nga Tepelena. Disa vite më parë, Alia qëlloi me thikë duke i shkaktuar vrasjen shokut të fëmijërisë së Çiços.
Bëhet fjalë për një vrasje të ndodhur në vitin 2000 në fshatin me emrin Zhabakin. Jani Alia goditi për vdekje me thikë djalin e shtetasit Shyqo Ballazhiu nga Tepelena. Ai ishte shoku i fëmijërisë së Elton Çiços, bashkëmoshatar i tij. Ata ishin rritur bashkë në Tepelenë dhe Çiço ishte interesuar shumë për të mësuar se kush ishte autori i vrasjes së shokut të tij.
Në momentin që e ka marrë vesh se autori ishte po ashtu nga Tepelena dhe sapo ka mësuar emrin e tij, Çiço i ka dërguar fjalë në burg Alisë, duke i thënë se do të merrte hak për këtë vrasje. Jani Alia, në atë kohë 23 vjeç, ishte arrestuar nga Policia helene dhe ndodhej në paraburgim.
Rreth tri vite më vonë, ndodh që arrestohet në Greqi edhe Elton Çiço. Dy tepelenasit rastis të përballen në të njëjtin vend, në Burgun e Koridhalosë, Alia i dënuar me 18 vjet burg për vrasje dhe Çiço me 5 vjet për drogë. Aty ndodhi përplasja e parë fizike mes tyre, pasi Çiço plagosi me thikë Alinë, kur ndodheshin në ajrim. Disa javë pas kësaj ngjarjeje, Jani Alia del me leje nga burgu, pasi kishte bërë 10 vjet, por nuk kthehet më në burg dhe shpallet në kërkim nga Policia greke. Pak kohë më pas lirohet edhe Elton Çiço, pasi përfundon dënimin. Pas këtij momenti nisin edhe atentatet.
Jani Alia u tentua të ekzekutohej nga Elton Çiço më 10 janar të tre viteve më parë. Ai qëllon disa herë në drejtim të tij me armë zjarri, por nga plumbat plagoset vetëm një person i rastësishëm. Policia nis hetimet për ngjarjen dhe zbulon se objekti i këtij atentati ishte pikërisht Jani Alia, i cili në atë moment kishte në përdorim një makinë tip “BMË X6”, të cilën më pas e zhduku. Ky mjet aktualisht është i bllokuar nga Policia. Por vetë Alia, i pyetur nga Policia në lidhje me këtë ngjarje, nuk preferoi të bënte kallëzim, duke mos bashkëpunuar me grupin hetimor.
I vendosur për hakmarrje, Çiço organizoi edhe një tjetër atentat ndaj Jani Alisë, kësaj here në Gjirokastër. Edhe për këtë ngjarje, Policia nuk mundi të provonte autorësinë e Elton Çiçës, edhe pse ishte i dyshuar. Ndërsa vetë Alia, as kësaj radhe nuk pranoi të bënte kallëzim, duke pohuar se ajo që ndodhi ishte ngatërresë.
Prej këtij momenti, Alia mbërrin në Tiranë, ku kërkon mbështetjen e Renato Milloshit, me të cilin kishte miqësi të hershme, të njohur në Tepelenë. Duke qenë se nuk e njihte mirë Tiranën, Alia ndihmohet vazhdimisht nga Milloshi, deri në vrasjen e Elton Çiços.
Vendimi i plotë i Gjykatës së Posaçme të Apelit:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.73 datë 09.05.2023 ka vendosur lënien në fuqi të vendimit nr.53 datë 28.12.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë me objekt konfiskimin e pasurive të subjektit të Aktit Normativ nr. 1 datë 31.01.2020 “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit të sigurisë publike”, të ndryshuar, në lidhje me subjektin Jani Alia dhe personave të tretë të lidhur me të.
Me vendimin nr.53 datë 28.12.2022 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (vendim i lënë në fuqi me vendimin nr.73 datë 09.05.2023 të Gjykatës së Apelit), ndërmjet të tjerave ka vendosur:
Konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit të pasurive të sekuestruara me vendimin nr.152 datë 30.09.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si më poshtë:
1. Pasuria e llojit Njësi me sipërfaqe 27 m2, në emër të shtetases L. Alia, e fituar me kontratën e shitjes në shumën 29.000 (njëzetë e nëntë mijë) Euro;
2. Pasuria e llojit Njësi me sipërfaqe 38.15 m2, në emër të shtetases L. Alia, e fituar me kontratën e shitjes në shumën 41.000 (dyzetë e një mijë) Euro;
3. pasuria e llojit Njësi me sipërfaqe 26.4 m2, me adresë “Palorto” Gjirokastër, në emër të shtetasit N. Alia;
4. pasuria e llojit Njësi me sipërfaqe 130 m2, me adresë Lagjia Palorto Gjirokastër, në emër të shtetasit N. Alia;
5. Objektin në proces legalizimi në emër të shtetasit N. Alia, me adresë Palorto, Gjirokastër;
6. Pasuria e llojit ullishte, me sipërfaqe 200 m2, në emër të shtetasit N. Alia, me adresë Borsh, Sarandë;
7. Objektin Vila “Kav…….”, në proces legalizimi në emër të N. Alia etj, me adresë Borsh, Sarandë.