Në mbrojtjen e tij për aferën e inceneratorëve, kryeministri Edi Rama ka deklaruar shpesh se garancia për impiantet e përpunimit të mbetjeve është përfshirja e kompanisë ndërkombëtare “Paul Wurth” në ndërtimin dhe operimin e tyre.
Por, për Mirel Mërtirin, i cilësuar nga Prokuroria e Posaçme si “pronari faktik” e kompanisë koncesionare të inceneratorit të Elbasanit, “ata të kompanisë PË (Paul Wurth) janë “plehra”, një term tejet pezhorativ në zhargonin shqiptar.
Madje, jo vetëm “plehra”, por Mërtiri, në një komunikim me bashkëpunëtorin e tij, Klodian Zoto, kërcënon se do të ndërpresë raportet me “Paul Wurth”, për shkak të problematikave të shumta që ka sjellë kompania e huaj, në vlerësimin e tij.
Këto detaje zbulon në konkluzionet e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), e cila kërkon nga gjykata dënimin e Mërtirit dhe Zotos me nga 10 vjet burgim, të akuzuar se kanë kryer veprat penale të “korrupsionit aktiv të zyrtarë të lartë shtetërorë” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.
Në të njëjtën dosje, SPAK-u kërkon dënimin me burgim të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, ish-sekretarit të përgjithshëm të asaj ministrie, Alqi Bllako, disa ish-zyrtarëve që janë marrë me procedurat e koncesionit, si edhe të biznesmenes Stela Gugallja, bashkëjetuese e Mirel Mërtirit dhe “pronare në letra” e shoqërisë koncesionare “Albtek Energy” që fitoi kontratën për inceneratorin e Elbasanit.
Rama për “Paul Wurth”
Në Maj të vitit 2018, kryeministri Rama, i shoqëruar nga disa anëtarë të kabinetit të tij qeveritar dhe të Bashkisë së Tiranës, zhvillojnë një vizitë në kantierin e landfillit të Sharrës, në periferinë perëndimore të kryeqytetit.
Ai foli me superlativa për projektin, duke përmendur ndër të tjera edhe rolin e shoqërisë së huaj, “Paul Wurth”.
“Garanci e projektit është edhe Paul Wurth, investitor dhe aksioneri i shoqërisë koncesionare Integrated Energy BV Spv, kompani lider e shtrirë globalisht, që do të operojë për 30 vite projektin “Zona e Trajtimit të Mbetjeve Tirane”: “Është një linjë botërore për impiantet e trajtimit të mbetjeve e cila merr pjesë në projekt sipas standardeve europiane të avancuara për mbrojtjen e ambientit. E gjithë teknologjia e përdorur në projektin e Tiranës garanton respektim të ambientit dhe eficiencë në konvertimin në energji elektrike të mbetjeve që digjen, energji e cila do të shpërndahet në rrjetin elektrik,” shprehet Rama.
Mërtiri: “Plehrat!”
Por çfarë mendon Mirel Mërtiri, njeriu që duket se menaxhonte të gjithë aspektet operacionale të shoqërisë koncesionare “Albtek Energy”, e cila kishte fituar kontratën për ndërtimin e impiantit të mbetjeve në Elbasan, për bashkëpunimin me “Paul Wurth”?
Në dosjen hetimore të SPAK-ut lexohet ndër të tjera:
Në datën 21.07.2017, i pandehuri Mirel Mërtiri i ka dërguar një email të pandehurit Klodian Zoto, që lidhet me procesin e ndërtimit të inceneratorit të Elbasanit. Bashkëngjitur ndodhet një e-mail tjetër që i është dërguar të pandehurit Mirel Mërtiri në datën 20.07.2017, në gjuhën italiane që gjatë hetimeve është përkthyer në gjuhën shqipe, në të cilin parashtrohen problematika në lidhje me programin e punimeve.
“I pandehuri Mirel Mërtiri i ka shkruar të pandehurit Klodian Zoto si vijon: “A janë në rregull keta plehrat??? Ju lutem një përgjigje shumë të Fortë sot dhe paralajmëroni PË (Paul Wurth, shën.red) që ndërprisni çdo marrëdhënie deri në rregullimin e të gjithë problematikave që ka EL (Elbasani, shën red….”, thuhet në dosjen e SPAK-ut.
Është e paqartë se për cilën arsye shfaqet i irrituar Mërtiri me kompaninë e huaj. Megjithatë, për aq sa gjendet e përmendur në dosjen hetimore të SPAK-ut, kuptohet se “bosi” është Mërtiri dhe “Paul Wurth” është thjesht një nënkontraktor, si shumë të tjerë që kanë bashkëpunuar me “grupin e inceneratorëve”.
“Paul Wurth” dhe inceneratorët
E-mail-i i shkëmbyer mes Mërtirit dhe Zotos tregojnë se “Paul Wurth” ka qenë e përfshirë në bashkëpunim me “grupin e inceneratorëve” që tek projekti i impiantit të mbetjeve në Elbasan, i cili nisi ndërtimin në vitin 2014.
Ndërkohë, të dhënat zyrtare, të bëra publike shumë vonë, treguan se kompania e huaj është angazhuar zyrtarisht, kësaj radhe si “aksioneve”, tek shoqëria “Integrated Energy bv”, e cila fitoi koncesionin 128 milionë euro për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Sharrës, në Tiranë, në vitin 2016.
Në datën 23 Qershor 2016, tre kompani, përkatësisht “Energy Recuperator S.P.A.”, “Paul Wurth Italia S.P.A.” dhe “Integrated Technology Services” (në pronësi të Klodian Zotos), i drejtuan Ministrisë së Mjedisit, një shkresë me lëndë “Letër interesi për projektpropozimin”, ku ato shpreheshin të interesuara për rehabilitimin e landfillit ekzistues të Sharrës, ndërtimin e landfilleve të reja dhe inceneratorit për prodhimin e energjisë elektrike.
Vetëm 5 ditë më vonë, ministri i Mjedisit në atë kohë, Lefter Koka, e konsideron të pranueshme kërkesën dhe fton kompaninë që të paraqes projektin e detajuar.
Njëkohësisht, Lefter Koka vë në dijeni për propozimin edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, fakt që dëshmon se kryebashkiaku ishte në dijeni që në fillim të procedurës.
Në shtator 2016, shoqëritë transferohen në Hollandë dhe nga aty sjellin propozimin e tyre bashkë me një studim, pra shoqëria koncesionare “Integrated Energy B.V.” vë në dispozicion të Ministrisë së Mjedisit dokumentacionin shtesë për propozimin e pakërkuar, duke informuar gjithashtu se kjo shoqëri ishte formuar nga kompanitë nismëtare të projektit dhe kishte për qëllim një implementim të rregullt të projektit për Zonën e Trajtimit të Mbetjeve Tiranë.
Në vitin 2021, hyri në fuqi ligji që detyronte kompanitë të regjistronin pronarët fundorë, të cilët zotëronin më së paku 25 përqind të aksioneve të tyre.
Në Regjistrin e Pronave Përfitues për shoqërinë “Integrated Energy bv”, e regjistruar në Amsterdam të Hollandës, nuk rezulton që, të paktën prej vitit 2021, të figurojë emri i “Paul Wurth” si pronar përfitues.
Si shumë detaje të “aferës së inceneratorëve”, edhe historia e pronarëve realë të tyre vijon të mbetet mister.
Drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, deklaroi pak ditë më parë se hetimi për aferën e inceneratorëve ka shumë vështirësi, për faktin se nuk dihet ende se kush janë pronarët realë.