Nga Boldnews.al
Të paktën tre agjenci mediatike on-line, “Boldnews.al”, “Birn” dhe “Lapsi.al”, në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra, vendosën në pikëpyetje vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila legjitimoi kërkesën e “opozitës së vulës”, me rezultat frymëmarrje për mandatin e deputetes dhe ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.
Dy grupime të opozitës, njëra e përbërë nga 1/10 e deputetëve (14 deputetë), përfaqësues të “vulës” dhe një tjetër, i përbërë nga 1/5 e deputetëve (28 deputetë), iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese të shqyrtonte dy kërkesa të ndryshme, të cilat lidheshin të dyja me “konfliktin e interest” të Olta Xhaçkës, pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, kishte fituar statusin e “investitorit strategjik” për resort në Dhërmi.
Gjithësesi, dy kërkesat kishin ndryshime thelbësore mes tyre.
Gjykata Kushtetuese shqyrtoi paraprakisht kërkesën e 1/10 së deputetëve, me përfaqësues zyrtar Gazmend Bardhin, të cilët kërkuan që Kushtetuesja të detyronte Parlamentin të dërgonte për shqyrtim raportin e minorancës parlamentare, e cila kishte arritur në konkluzionin se Olta Xhaçka kishte shkelur Kushtetutën.
Me një numër minimal deputetësh, vetëm 14, “grupi i vulës” nuk legjitimohej të kërkonte shkarkimin e Olta Xhaçkës drejtëpërdrejtë në Gjykatën Kushtetuese. Por, nën një sens protagonizmi të tepruar, ky grupim i vogël kërkoi atë që mundej, pra rivendosjen e të drejtës së tyre në Parlament.
Padia e dytë, ajo e 1/5 së deputetëve, pra 28 deputetë, një numër i legjitimuar për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesa për thelbin e çështjeve, ishte më e drejtëpërdrejtë-kërkohej shkarkimi i Olta Xhaçkës nga Kushtetuesja, pa u stërholluar në ece-jake institucionale.
Të dy kërkesat u shqyrtuan në të njëjtën ditë, me rend kronologjik kërkesën e 1/10 së deputetëve të vulës dhe më tej, me 1/5 e deputetëve që përbëjnë shumicën e parlamentarëve opozitarë.
Gjykata Kushtetuese, e cila ka treguar se nuk ka forcë e vullnet për t’u përballur me qeverinë e Edi Ramës, bëri një zgjidhje “të mesme”. Ajo pranoi fillimisht kërkesën e 1/10 të “vulës” për t’ia kthyer çështjen Parlamentit dhe pushoi kërkesën e 1/5 së deputetëve opozitarë, me argumentin se “kjo çështje tashmë i ishte kthyer Parlamentit”.
Gaz Bardhi e ka “inatin” me mediat
“Boldnews.al” ishte një ndër mediat e para që vuri në pikëpyetje këtë vendim të Kushtetueses, duke ngritur dyshimet se lëvizja e “deputetëve të vulës” i dha frymëmarrje dhe vijimësi mandatit të Olta Xhaçkës.
Deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, i cili përfaqësoi “grupimin e vulës” në kërkesën para Gjykatës Kushtetuese, u ndje i keqardhura nga këto raportime mediatike.
“Është për të ardhur keq që disa media online keqinformojnë publikun për çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës. Nuk e di nëse e bëjnë nga padituria apo shërbejnë si mercenarë lajmesh të rreme, por di të them që ka shumë baltë, shpifje dhe ligësi ndaj deputetëve të PD që ndoqën të vetmen rrugë të duhur kushtetuese për të marrë në shqyrtim mandatin e Olta Xhaçkës”, u shpreh ndër të tjera Bardhi, në një status në rrjete sociale, në 24 Shkurt të vitit 2023.
“Vendimet e GJK e konfirmuan kërkesën e drejtë të disa deputetëve të PD, mes të cilëve isha dhe unë, duke rrëzuar një tjetër kërkesë, që edhe një student i vitit të parë juridik e kupton se është një tentativë për ta varrosur çështjen, duke kërkuar atë për të cilën GJK ka 7 vjet që e ka zgjidhur në mënyrë përfundimtare. Ky është i njëjti grup që refuzoi t’i bashkohej kërkesës sonë për komisionin hetimor për investimet strategjike”, vijoi më tej Bardhi, duke përforcuar gjithnjë e më shumë se paditë në Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës ishin më shumë një garë brenda grupimeve të PD-së se sa një kërkesë që lidhej me shkeljet kushtetuese të Ministres së Jashtme.
Por, përtej emocioneve të deputetit demokrat, zhvillimet para dhe sidomos gjatë e pas dhënies së vendimit “as mish, as peshk” të Kushtetueses tregojnë se “opozita e vulës”, me shumë mundësi, do të humbasë përfundimisht atë betejë, të cilën e konsideroi si “fitore” në momentin e parë.
Pse “grupi i vulës” do të dështojë
Tashmë çështja është rikthyer për shqyrtim në Parlament. Maxhoranca e Edi Ramës, pasi disa shtyrjesh, nën argumentin e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 14 Majit, e ka përfshirë në rendin e ditës të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, duke filluar nga e Premtja e 2 qershorit 2023.
Një analizë e shkurtër juridike sugjeron se beteja e “opozitës së vulës” për mandatin e Olta Xhaçkës mund të rezultojë humbëse përballë një maxhorance që ka treguar se nuk i lëshon lehtë personazhet e saj, aq më tepër një nga ministrat më të afërt të Edi Ramës.
Por, le të mbetemi në kuadrin kushtetues dhe ligjor.
Gjykata Kushtetuese vendosi që Parlamenti të marrë në shqyrtim raportin e opozitës, të miratuar në tetor të vitit 2022 dhe t’ia përcjellë asaj gjykate zyrtarisht, me vendim të miratuar në seancë plenare.
Por, a është ky vendim drejtëpërdrejtë i zbatueshëm për Parlamentin? Pra, a është Parlamenti thjesht një “noter”? Nuk duket se është kështu.
Gjithçka rrotullohet në nenin 70, pika 3 të Kushtetutës. Aty thuhet: “Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”.
Pra, ndërkohë që Kushtetuta flet vetëm “për deputetët”, çështja që shtrohet për diskutim është nëse përbën shkelje kur përfituesi është familjari i afërt (bashkëshorti i deputetit).
Në nenin 119/1 të Rregullores së Parlamentit, si edhe në vendimin nr. 7 të vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese, është sanksionuar se Kuvendi, si interpretues i parë i normës kushtetuese, verifikon vetëm nëse deputeti PERSONALISHT kryer aktivitet tregtar apo ka përfitime nga burime publike.
Në rastin konkret, Olta Xhaçka nuk ka përfituar PERSONALISHT. Përfitimet janë të bashkëshortit të saj, ish-deputet socialist dhe biznesmen.
Pra, me shumë gjasë, Parlamenti, i kontrolluar në maxhorancë nga socialistët e Edi Ramës, pritet të arrijë sërish në përfundimin që Olta Xhaçka nuk ka papajtueshmëri me funksionin sipas nenin 70/3 të Kushtetutës, përsa kohë ajo nuk ka përfituar PERSONALISHT.
Çfarë do të thotë një vendim i tillë, që me shumë mundësi pritet të miratohet sërish nga maxhoranca?
Do të thotë që Parlamenti sërish nuk do të dërgojë raportin e minorancës në Gjykatën Kushtetuese
Nga ana tjetër, tashmë çështja nuk mund ngrihet në Gjykatën Kushtetuese nga 1/5 e deputetëve.
Ligji parashikon që nuk mund të ngrihet padi për të njëjtin objekt, në rast se gjykimi është pushuar më parë, pasi konsiderohet “gjë e gjykuar”.
Në këtë mënyrë, “grupi i vulës opozitare”, jo vetëm që nuk pritet të bindë maxhorancën për të dërguar çështjen e Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese, por bllokoi përfundimisht edhe 1/5 e deputetëve për ta ridërguar rastin për shqyrtim.
Një zgjidhje e mirë do të ishte që “grupi i vulës” të tërhiqej para se Gjykata Kushtetuese të merrte vendim për kërkesën e tyre, duke i hapur rrugë shqyrtimit të kërkesës së 1/5 së deputetëve, të cilëve u njihej e drejta që të kërkonin shpalljen e pavlefshmërisë së mandatit të Olta Xhaçkës.
Por, kjo “lëvizje” nuk u realizua në kohë. Tashmë Gjykata Kushtetuese e riktheu çështjen në Parlament dhe ky i fundit, me shumë gjasë, nuk do ta dërgojë sërish çështjen në Kushtetuese.
Një lojë “procedurash”, të cilat pritet të përfundojnë me vijimin e mandatit të deputetes Xhaçka, ndërkohë që “opozita e vulës” do të mbajë në duar flamurin e një “fitoreje”, që nuk i hyn askujt në punë, përveç Ministres së Jashtme dhe bashkëshortit të saj “investitor strategjik”.
Historia e mandatit të Xhaçkës
Polemikat për çështjen “Xhaçka” nisën në Mars të vitit 2022. Opozita parlamentare kërkoi ngritjen e një Komisioni Hetimor për shpalljen e papajtueshëm me Kushtetutën të mandatit të deputetes Olta Xhaçka, me argumentin se ajo siguronte përfitime financiare personale nga vendimmarrje publike.
Bashkëshorti i Xhaçkës, Artan Gaçi ishte shpallur “investitor strategjik” për ndërtimin e një resorti në Himarë me firmën e kryeministrit Edi Rama.
Njëkohësisht, kunata e Xhaçkës përfitoi nga një Vendim i qeverisë “Rama” të drejtën e shfrytëzimit të bregut përballë resortit të Artan Gaçit.
Në Qershor 2022, Parlamenti miratoi ngritjen e Komisionit Hetimor.
Në 17 nëntor 2022, maxhoranca socialiste, me forcën e kartonëve, refuzoi të dërgonte në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të shqyrtuar nëse Olta Xhaçka ishte në shkelje të ligjit.
Pas këtij vendimi të Parlamentit, në Gjykatën Kushtetuese dërgohen dy kërkesa nga grupet e deputetëve të opozitës.
Katërmbëdhjetë deputetë të grupimit “Alibeaj” ose 1/10 e totalit të ligjvënësve, kërkuan detyrimin e Kuvendit që të dërgonte pranë Gjykatës Kushtetuese raportin e minorancës parlamentare për shpalljen e pavlefshmërisë së mandatit të Olta Xhaçkës.
Ndërkohë, 28 deputetë të tjerë opozitarë, ose 1/5 e Parlamentit, të atashuar pranë Sali Berishës, paraqitën një kërkesë më të avancuar; 1. të shpallej anti-kushtetues vendimi i Parlamentit që refuzonte dërgimin në Gjykatë të raportit të minorancës, dhe; 2. Konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.
Të dy kërkesat u depozituan në të njëjtën ditë pranë Gjykatës Kushtetuese. Por, shqyrtimi paraprak i tyre u bë në data të ndryshme. Kërkesa e grupit ‘Alibeaj” u mor në shqyrtim paraprak në 5 Dhjetor 2022, ndërsa ajo e deputetëve të Berishës në 7 Dhjetor 2022.
Të dy kërkesat u pranuan për të kaluar në seancë plenare. Siç u kuptua më vonë, distanca kohore pë shqyrtimin paraprak të dy kërkesave nuk ishte edhe aq rastësore.
Renditja e tyre, ku kërkesa e grupit “Alibeaj” ishte e para dhe kërkesë e grupit të Berishës e dyta, ishte determinant për rezultatin final.
Pasi Gjykata Kushtetuese pranoi kërkesën e grupit “Alibeaj” për rikthimin e çështjes në Parlament, padia tjetër, ajo e deputetëve pranë Berishës, mbeti pa objekt, pasi tashmë gjyqtarët e kishin hequr nga dora rastin “Xhaçka” dhe ia kishin kthyer Kuvendit vetëm pak minuta më parë.